top of page
Search

8 mars 2020 / Gladiola Jorbus

8 mars 2020 Nga dritarja e botës, Jetën kundroj, goditjet e ashpra, vallen e maskave. Teatrin absurd të rinive të vjedhura. Ylberi, rrugët pikturon me lotë gëzimi e malli. Dielli, një pulëbardhë e zjarrtë, Fshihet pas horizontit. Mund të vishemi me buzëqeshje. Do të shkëlqenim më shumë Se diademat.

Grua, Je princesha mbi bizele. Gjerdani i smeraldtë mbi gjoksin e damës mopasiane. Je valkiria vikinge. Zhan D’Arka vegimtare. Shenjtorja dhe kurtizania Që grimohen me pluhurizë dashurie. Sa dhembje mund të përshkruajnë pllakat e një trotuari! Dhe fjalët shndërrohen Në lutje të cunguara.

Grua, sa jetë pulson e vdes brenda teje! Emrat e shuar nga vrasësit - përbindësha Qytetet do të mbushin me britma e klithma. Mimozat dënesen në degë, në duar. Gratë janë ëndrra që s’duhen lënduar...


Comments


bottom of page