Nga Markel Baballëku
Mendoj se shumica e inxhinierëve nuk e kanë të lehtë një përgjigje shterruese për këtë pyetje, përfshirë veten këtu.
Urdhri, përtej faktit që ngritja e tij është detyrim ligjor, mund të shihet edhe në dritën e një organizmi që do të ndihmonin në përmirësimin e shërbimeve që bashkësia e inxhinierëve ofron. Në të kundërtën, pra nëse gjykohet se urdhri nuk shërben, duhet ndryshuar ligji 10171/2009 “Për profesionet e rregulluara”.
Marr të mirëqënë që ligji 10171/2009 do të duhej të zbatohej, në vijim disa pika që mund të ndihmojnë për Urdhrin e Inxhinierit.
Sipas ligjit 10171/2009, misioni i Urdhrit është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit të rregulluar, si dhe mbrojtja e publikut nga kequshtrimi i profesionit.
Interpretuar sa më sipër Urdhri mbikqyr dhe mbron veprimtarinë e anëtarëve të tij si dhe nxit kualifikimet e nevojshme dhe trajnimet e herëpashershme të tyre. Përmbledhur përpjekja për përmbushjen e misionit mund të bëhet përmes:
1-) Hartimit të kodit të etikës që inxhinierët duhet të respektojnë, mbikqyrjen e zbatimit të tij dhe rekomandimin e masave të nevojshme kur vërtetohet shkelja e tij;
2-) Mirëmbajtjes së regjistrit me përditësimet dhe kualifikimet e vazhduara të anëtarëve të tij; Njoftimeve të vazhdueshme për kryerjen e kualifikimeve të nevojshme, trajnime në vazhdimësi dhe kontrolleve përkatëse. Mund të nxiten dhe përkrahen kualifikime me natyrë të veçantë dhe anëtarët që kanë ofruar shërbime me shkallë të lartë profesionalizmi;
3-) Mbrojtjes së të drejtave të inxhinierëve kur ato cenohen dhe kur marrëdhënia e inxhinierit me palë të tjera ndikon në cilësinë dhe sigurinë e shërbimit/produktit;
4-) Dhënies së udhëzimeve për përditësimin dhe përmirësimin si të kuadrit ligjor, kushteve teknike dhe normave në fushën përkatëse të veprimtarisë ashtu edhe në hallkat e zinxhirit që ndikojnë në përmirësimin e aftësive profesionale të anëtarëve të tij.
Përtej pikave të mësipërme (mund të ketë edhe të tjera me natyrë të ngjashme), çështje të tjera që shfaqin mbivendosje kompetencash sjellin mjegull dhe ngatërresa në zbatimin e ligjit. Disa prej tyre mendoj se janë:
1-) Provimi i shtetit: Sipas ligjit në fuqi 10171/2009, provimi i shtetit organizohet nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe ligji për Urdhrin nuk mund ti mbivendosë kritere shtesë. Sot kjo pikë vijon të mbulohet tërthorazi përmes procedurës së dhënies së licencës. Nëse licencat nuk do të zëvendësohen nga provimi i shtetit (sikurse vijon), përmbajtja dhe procedura e marrjes së tyre kërkon rregullim;
2-) Kualifikimet: Kualifikimet kryhen nga institucione të akredituara dhe nuk mendoj se Urdhri mund të organizoj kurse kualifikimi por të njohë dhe regjistroj kualifikimet e kryera nga anëtarët e tij në institucione të akredituara. Urdhri mund të organizojë/bashkëorganizojë dhe të nxisë pjesëmarrjen e anëtarëve të tij në workshope, seminare, trajnime, konferenca etj.
3-) Pjesëmarrja në procedura konkurrimi për projekte nuk mund të ndikohet nga përparësi të dhëna me ligj. Nuk mendoj që drejtuesit e një bashkësie do të duhet të konkurrojnë anëtarët e saj;
Kompetencat e Urdhrit derivojnë edhe nga leximi i pikës që kërkon ngritjen e tij - pika 3, neni 15 i ligjit 10171/2009: “Organizimi dhe funksionimi i urdhrit profesional bëhet me ligj të veçantë”. Vërtet Urdhri ngrihet me ligj por aty do të duhet të përcaktohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Urdhrit dhe jo të merren kompetenca që vet ligji 10171/2009 i përcakton qartë se kush i ka.
Ndërkohë,
Për të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë profesionale, Ligji 10171/2009 “Për profesionet e rregulluara”, kërkon konkretisht: që kandidati të jetë i diplomuar [neni 7 “Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar”] dhe: të ketë kryer praktikën profesionale; të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit; të regjistrohet në Urdhrin përkatës [Neni 8 “Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar”, germat a,b,c].
Nga shqyrtimi i 4 kritereve të mësipërme rezulton: Kriteri 7 lidhet me diplomën universitare; Kriteri 8-a administrohet nga ministria përgjegjëse për arsimit; Kriteri 8-b administrohet nga Autoriteti kompetent - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (Kriteri 8-b dhe pjesërisht 8-a deri tani përmbushen përmes procesit të licensimit); Kriteri 8-c lidhet me Urdhrin, madje regjistrimi në urdhër mendoj se është i thjeshtë kur tre kriteret e tjera janë të përmbushura nga kandidati.
Pra, Urdhri nuk mund të shtojë kritere të tjera për të mundësuar ushtrimin e profesionit por mund të nxisë rritjen e aftësisë profesionale dhe të rekomandoj masa të nevojshme kur vërtetohet shkelja e kodit të etikës.
Më sipër nuk jam fokusuar në dy çështje të organizimit dhe funksionimit të Urdhrit, të cekura më parë dhe të cilat mendoj se duan rishikim: 1-) Përcjelljen e shumicës së çështjeve në Rregulloren e Urdhrit dhe 2-) Asambleja e parë dhe Këshilli përkatës drejtues.
Nëse ligji për Urdhrin shihet edhe në përmbushje të pikave të mësipërme mendoj se arrihet synimi i ligjit 10171/2009.
Comments