top of page
Search

A je krenar që je shqiptar ? Nga Jeta Dedja




Kam vënë re se organizimet e festave të fund-Nëntorit i bashkon diçka. Pankartat me shkrimet “O sa mirë me qenë Shqiptar”, ose “Jam krenar që jam shqiptar”!

A është kjo krenari për historinë e shkuar apo për të tashmen, unë nuk e di. Normalisht krenaria lidhet më ndjesitë pozitive që e shoqërojnë njeriun për shkak të një arritjeje të tij personale, ose të një njeriu të afërt. Për shembull; “Jam nënë krenare për dy djemtë e mi që përfunduan me rezultate të larta shkollën” ose “Jam krenare që u kualifikova e para në një konkurs”.

Ka edhe një lloj krenarie tjetër që njerëzit e lidhin me përkatësinë në një grup që teorikisht duhet të jetë i admirueshëm, me vlera të lakmueshme, që të tjerët jashtë këtij grupi do donin t’i kishin. Sërish kjo lloj përkatësie është e lidhur me vlerat individuale. Nëse je dikush me vlerë do të bësh pjesë në këtë grup. Një tjetër variant krenarie është ajo e përkatësisë në një etni të caktuar. Është ndjenja e kënaqësisë së dikujt që ndan të njëjtën gjuhë, kulturë, zakone, e prejardhje me një komunitet. Kjo është dalluar mes shqiptarëve. Besoj e keni parasysh shprehjen: “Jam krenar që jam shqiptar”!


Po nga buron kjo krenaria? Tek dy rastet e para e kishte burimin tek arritjet personale, po në këtë rast? Është arritje të jesh shqiptar, apo është një përkatësi e lindur, për të cilën ti nuk ke shpenzuar asnjë gram energji. Është kjo një arritje komunitare? Çfarë ka bërë populli shqiptar për t’u ndjerë kaq krenar për nacionalitetin? Ka luftuar? Ka bërë marrëveshje? Ka bërë sehir? Ka pranuar çfarë i është dhënë? Ka gjasa të burojë prej opresionit shekullor dhe kërcënimit të shfarosjes, po aq sa edhe prej rastësive e fatit. Po sërish, cilat janë ato cilësi të admirueshme ekskluzive, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë tek dikush dhe e bëjnë atë krenar që quhet shqiptar?

Sigurisht që gjenden vlera të mëdha mes kombit tonë të cilat nuk di të them nëse janë të brendshme apo të ndikuara nga rrethanat, megjithatë ato që u njihen botërisht shqiptarëve janë të dallueshme edhe sot në pjesën dërrmuese të popullatës. Por sërish vlera të tilla si bujaria, mikpritja, besa, pastërtia, edukimi, familja janë të lidhura me mikron, personalen, të cilat po të mblidhen individualisht mund të përftohet një produkt për të ndjerë krenari kombëtare.


Le ta lëmë personalen e të kalojmë tek kolektivja, fjalë e cila uroj të mos ju ngjallë kujtime të hidhura prej asosacioneve me periudhën e diktaturës. Krenaria për Atdheun është pa vlerë esenciale nëse ajo shihet thjesht e lidhur me përkatësinë e trashëguar. Krenaria e vërtetë për vendin dhe emrin shqiptar, ashtu sic duhet të jetë për cdo kombësi tjetër, duhet të lidhet me veprën e gjithsecilit për t’i sjellë të mira vendit dhe bashkëatdhetarëve dhe për të shfaqur humanizëm e solidaritet në rastet kur jeta shfaq sfida madhore. A i kemi ende këto vlera kolektive për të cilat të ndihemi sot krenarë? Padyshim që po. Por, a mund të zgjohemi e të ngrihemi ne shqiptarët të bashkuar ndaj padrejtësive të luftojmë për lirinë dhe barazinë, për fuqizimin e individit, për mbrojtjen e interesave të përbashkëta dhe zbatimin e ligjeve? Sepse këto janë vlerat bazë të një kombi për të cilin gjithsecili do duhej të festonte e të thërriste me të madhe “Jam krenar”.

Kam frikë se problemi themelor i “Njëshit”, qeverisjes së vazhdueshme në dëm të kombit, ndër të tjera ka sjellë forma të moderuara diktature, pushtimi dhe protektorati, duke minuar dhe vlerat tona, mundësitë dhe aftësitë për t’i shfaqur ato. A nuk është kështu sot?


Supremacia Rilindase, në pozitat e dominantit ka marxhinalizuar shtetasit e saj duke i nxjerrë jashtë rrethit të pushtetit dhe mirëqënies. Po të analizojmë lokacionin social të grupit dominant do të vërejme se janë pasardhësit e drejtuesve të diktaturës, janë të pasur, të lidhur me krimin, të një gjenerate, me historira të ngjashme politike, katapultime në maja, çuditërisht të përfolur në masë për lidhjet me Xhorxh Soros. Edhe pse në minorancë numrash grupi dominant ka arritur të mbajë nën zgjedhë shumicën, duke ditur që shqiptarët nuk bëhen bashkë të rrëzojnë njëshin aktual në mungesë të besimit te njëshi tjetër që u serviret. Me këtë fuqi në dorë, supremët rilindas shkatërrojnë ditë për ditë njëlloj si paraardhësit e tyre, vlerat e një kombi. Nisur nga rasti i Njëshit të tyre, si simbol i anti-vlerës, i cili i ndodhur aty me ndihmën e grupeve të interesit shpërbëu Partinë Socialiste duke e zëvendësuar me Rilindjen, grupi dominant përcjell mesazhin nga lart-poshtë se bashkëpunimi dhe dhënia e mbështetjes për të fuqizuar dikë tjetër nuk ia vlen. Sepse “Njëshi” në një shtet të vogël si Shqipëria është i destinuar të sundojë duke shkeluar interesat e grupeve anësore të rrethit të pushtetit.


Gjithashtu, përvoja e zbatimit të ligjeve në periudhën e demokracisë sipas oreksit të partisë që ka pushtetin është krejt e ngjashme me shtetin diktatorial të Enver Hoxhës, duke bërë që shpresa dhe besimi i shqiptarëve në një të ardhme më të mirë të venitet dhe energjia për të sjellë ndryshim në vend të bjerë në nivele të ulëta.


E pra, a mund të themi sot "O sa mirë me qenë shqiptar" kur me pasivitet kolektiv soditim që shumica kërkon të largohet nga vendi i zhytyr në dëshpërim, ku qytetarët ndihen të shtypur nga arroganca e pushtetit, ku media ka frikë të investigojë e publikojë lidhjet e krimit me politikën, ku indiferenca e shtetit ndaj mjerimit është e paprecedentë, ku krimineli bën ligje dhe i qesh në fytyrë drejtësisë, ku i pasuri tallet me punën dhe i varfri zgjedh alternativë skllavërinë ose vdekjen?

Ky është realiteti në Shqipëri, nga një diktaturë në tjetrën, nga një Nëntor në tjetrin duke festuar krenarisht lirinë e pavarësinë.


Nëntor 2019

©FlasShqip.ca

Comments


bottom of page