Nga Zade Kuqi
Ajo mendoi se ambasadori ishte si një figurë statike dhe i vajti mendja në kohë dekada të shumta më përpara që ambasadorin e quanin si një gjë e panjohur dhe në formë lëmshi mjegullor të lëvizshëm e që shfaqej nga deti.
Ndoshta duke qenë qenia nacionale e cënuar skajshmërisht dhe duke qenë shteti një krijesë tepër e gjakuar, atëherë mungonin dimensionet e përcaktimit të qenies së atdheut dhe rolit të tij në arenën ndërkombetare, prandaj mungonin ca përkufizime e saktësi. Edhe ajo mendoi se ambasadori ishte pjesë e disa gjërave, gati-gati të kota dhe se s’duhej të kishte frikë e mund t’i jepte plotësisht të drejtë vetes për këtë që sapo mendoi.
Futi duart në xhepa, ndonëse ishte brenda në zyrë, e bëri nga të ftoftit apo shprehia këtë herë? Po mendonte se çfarë mund të hante këtë ditë? Pse kishte uri, në mos që kur brendia e qenies ka shumë shqetësime dhe kërkesa, organizmi nxiton ritmin dhe tret gjithçka ka brenda tij?
Edhe filloi të sillte para syve lista me kuptime të ngrënies nga dyqane të vogla, duke u munduar të gjejë emrin e ndonjë ushqimi që nuk do ta dëmtonte shumë e me ndonjë çmim sa më të ulët. Kjo edhe nuk ishte e mundur, por, të paktën mund të mendonte. “Të mendoj, nuk ma ndalon askush”, i foli vetes. “Është e drejta ime apo jo”...qeshi nën buzë mes ironisë dhe dëshpërimit.
U ngrit dhe shkoi në banjo që të kontrollonte problemin edhe më tej të mundshëm me jashtëqitjen, sepse kjo po e moliste me presionin e shtuar mbi qenien. Po shihte që të paktën gjaku i qe ndalur këtë herë. Ishte diagnostifikuar me kancer dhe mendoi se të vetmin nder që mund t’ia bënte vetes ishte të mos mendonte fare për atë.
Natën e kaluar dikush i tha se në kortezhin e të hënës, femrat nuk kishin bërë fare përpjekje që të shkonin në përcjelljen e të vdekurit te kodra lart që e kishin pagëzuar kështu për shkakun e uljes së efektit që sillte emri varret.
Ajo mblodhi vetullat, pa e ditur realisht arsyen dhe pyeti gati rastësishte, pse? “Sepse”, i tha një vajze lëneshë rreth të pesëdhjetave, “ e dija që vellait tim të madh nuk i pëlqente dhe kështu nuk bëra përpjekje fare që të shkoja”.
Ajo u kthye edhe më shumë nga shoqëruesja që po i fliste nga ana e majtë e saj dhe e veshtroi me një palë sy plot habi e dilemma. “Siii?....”
Një burrë në të gjashtëdhjetat i foli në këndin e saj.
-Po, e vërtetë! Unë s’doja që të vinin te varret, ditën në fjalë, asnjë nga gratë. S’doja që të përziheshin burrat dhe gratë pikërisht në zinë tone, aty ku po groposnin…
Ajo u step. Sytë nga habia iu zmadhuan edhe një herë më shumë, duke arritur dyfishin e përmasës që kishin ata.
-Ju jetoni në Gjermani,- iu dejtua ajo burrit në të gjashtëdhjetat, - dhe keni pranuar të na gjykoni kështu neve këtu; o tmerr!...
Në mëngjes, kur u zgjua, elektriku kishte ikur, diku gjatë orëve të natës, pasi që kishin ra të flenin. Nata kishte qenë me stuhi dhe e errët. Vrushkuj ere kishin shkundur gjithë gjethet e mundshme nga pemët dhe drurët e ndryshëm. S’kishte rrymë dhe s’kishte as ujë. Ajo hyri dhe doli shpejtë nga banjoja. Tek po e mbyllte derën, verejti se te dera qëndronte një grua e re me një top letre në dorë që ia zgjati.
U mblodh në vete dhe u shtua shumë zjarri i heshtur brenda saj. Si në një film të përshpejtuar ju shfaqën në egon e saj që po e mbushte me blerim fushe, gëmusha e njerëz dhe nuk po qetësohej dot. Kështu e bërë plot mendime e ndjenja, u shfaq në rrugë.
Deri në stacionin e qytetit rrugën e bëri në këmbë me duart e futura në xhepat e xhupit të zi. Rrugica për te varrezat ishte, thuaja e shtruar gjithë në verdhë dhe prapë ju shfaqën sa e sa mendime, edhe që…të vdekurit ishin aty që prej kush e di se kur... nuk po ndalte ritmin e hapave.
Hodhi vështrimin tej mbi male; një det mjegulle kishte përpirë shumicën prej tyre dhe dukej se për një kohë do t’i mbante ashtu të zaptuara. Ndoshta veç një borë e re mund ta largonte gjithë atë ngatërrim iluzioni e ëndrre, gjithë atë përzierje depresive.
Nuk donte ta mendonte këtë masiv ngjyrash të mugëta me emrin ambasador. “Ҫ’më rri qepur si rrodhe ky emër akoma?”
Comments