PORTRET I PAAUTORIZUAR
ALKET VELIU - kandidat i PDIU-së për Këshillin e Bashkisë,
Tiranë
Njohje në një rast shenjues
Në kohë fushatash, kandidatësh e zgjedhjesh rëndom dëgjojmë shprehjen:
- Cilë të lësh e cilë të mbash?!... Të gjithë njëlloj janë!
E megjithatë, për të qënë sa më realistë, s'janë të gjithë të njëjtë. Për të kundërshtuar disi atë mënyrë të shprehuri po sjell një shembull që tregon të kundërtën e asaj mendësie.
Të kuptohemi, me personin që do të bëj objekt shkrimi nuk kam asnjë lidhje interesi apo familjare. E kundërta është e vërtetë: Alket Veliun si individ sapo e kam njohur. Shkak për njohje u bë shfaqja e dramës së mrekullueshme "Osman Taka" me autor shkrimtarin Arben Iliazi, të cilës i dha jetë skenike pikërisht Alket Veliu, drejtuesi i Fondacionit Çamëria "Hasan Tahsini".
Sinqerisht, rrallë apo asfare s'kam dëgjuar apo vërejtur që dikush
nga "të mëdhenjtë" tanë të sakrifikojë nga vetja për të nxitur e financuar veprimtari kulturore me vlera kombëtare.
Ja, pse e përcaktova rastin shenjues tek nëntitulli i shkrimit: Alketi pa qënë "i madh" në qeverira e parlamente, bëhet i Madh si njeri që stimulon si askush kulturën dhe artin kombëtar.
Atdhetari dhe intelektuali
Alket Veliu është i përkushtuar dhe mbështetës i zjarrtë e i pakursyer i kauzës, kulturës dhe traditës çame. Domosdo kështu do të ndodhte pasi babai i tij, Agushi, me çfarë kam parë në koleksionet e gazetës “Çamëria”, ishte që në krye anëtar e themelues i Shoqatës "Çamëria" - janar 1991.
Koncepti i Alketit për Çamërinë, perlën tonë të rrëmbyer nga fqinji i jugut, ka shtrirje e vështrim mbarëkombëtar.
- Çamëria është një nga gjymtyrët e trupit Shqipëri, thotë ai, ashtu siç janë Labëria, Myzeqeja, Presheva apo Ulqini. Asesi të mos shihet si e shkëputur, por pjesë e së tërës...!
Si drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin” ai është misionar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ka ndihmuar si askush tjetër vitet e fundit, në njohjen dhe promovimin e figurave të shquara të krahinës sonë.
Njohja e brezit të ri me historinë, kulturën dhe atdhetarinë çamë, padyshim është një vlerë e çmuar.
Po përmend disa nga veprimtaritë më të spikatura të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin” në 3 - 4 vitet e fundit:
- Ribotimi i librit “Këngë popullore nga Çamëria” i të mirënjohurit Fatos Mero Rrapaj, si një ngjarje e madhe kulturore atdhetare.
- Promovimi i Valles Çame me nxënës të shkollave të qytetit të Vlorës, ideuar nga Puen Bajrami dhe mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsin”.
- Promovimi i librit enciklopedik “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”, i historianit të njohur Ibrahim Daut Bejdeshati (Hoxha).
- Botimi i romanit të shkrimtarit Enver Kushi “Zonja nga Parga”.
- Me nismën e Klubit të Patriotëve të Rinj dhe me mbështetjen e Fondacionit
Çamëria “Hasan Tahsin” çelet në qytetin e Sarandës ekspozita lëvizëse me figura të shquara të krahinës së Çamërisë.
- Vizitë në në Konispol në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Bido Sejko” për të dhuruar Ekspozitën e fotove të personaliteteve të Çamërisë, e cila gjendet sot në hyrjen e shkollës.
- Veprimtari jubilare në 210-vjetorin e lindjes dhe 140-vjetorin e vdekjes së filozofit dhe veprimtarit Hasan Tahsini, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.
- Ekspozita: “Spastrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves” me foto nga këto dy treva shqiptare.
- Promovimi i librave “Misioni", “Babai" dhe “Mite, legjenda dhe përralla nga Çamëria” të shkrimtarit Hekuran Halili .
- Botimi i studimit “Çështja Çame gjatë Luftës së Dytë Botërore” i historianit Lorenc Agalliu.
- Botimi nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i librit “Muhamet Kuçuku - Çami”, i përgatitur nga Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, libër i cili mban siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
- Promovimi i librit “Korrespodencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës” të prof. Dr. Irakli Koçollari, botim i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.
- Promovimi i dy librave të Ambasador Shaban Muratit në Tiranë, Prishtinë e Tetovë: “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” dhe “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”, botim i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.
- Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe akademia “Rrënjët Shqiptare” hapin ekspozitën “Vështrim Historik Etnokulturor Pellazgjia - Epiri - Thesprotia - Çamëria”, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek Presidenca.
- “Le t’ia themi Çamërisht”, veprimtari me rastin e Festës së Flamurit ku u promovuan:
1. Libri i Nexhat Merxhushit “Doracaku për Çamërinë”
2. Kënga më e re çame “Le t’ia themi Çamërisht”, kënduar mjeshtërisht nga ikonat e muzikës çame, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi dhe Refat Sulejmani.
(Mundësuar botimi dhe realizimi i këngës nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”)
- “Qëndrestar në përndjekje”, film dokumentar në përvjetorin e ditëlindjes së Martirit të Demokracisë dhe Nderit të Kombit, Bilal Xhaferri. I mundësuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”. Filmi dokumentar është realizuar sipas idesë së Uran Butkës, Institutit të studimeve “Lumo Skëndo”, me skenar të Prof. Dr Bashkim Kuçukut, me regji të Admirina Peçit, dhe me pjesëmarrjen e artistes së popullit, Nderi Kombit, Margarita Xhepa.
- Promovimi në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, Kosovë i
“Dokumente dhe studime për Çamërinë”.
- Së fundi, dixhitalizimi i gazetës “Çamëria” që nga numri i parë i saj e në vazhdim dhe realizimi i produksionit unik të shfaqjes “Osman Taka”.
Tri pyetje, një përgjigje, një kujtesë...
E ç'mund të bëjë më shumë se Alketi një individ tjetër për atdheun,
Çamërinë, kulturën, ardhmërinë për tre katër vjetë...?
Përkundër, s'do të bëjë asgjë, se as që do ta mendojë...!
A mund të më thoni ndonjë nga kandidatët për kryetar bashkie në Shqipëri, apo kandidat për anatar të Këshillit Bashkiak, të ketë realizuar qoftë dhe një të dhjetën e këtyre që ka bërë Alket Veliu...?
S'ka asnjë se s'kanë bërë asgjë...!
Kush na përfaqëson më mirë në Këshillin Bashkiak të Tiranës dikushi pa gjurmë e pa gojë, apo Alketi me dhjetra gjurmë e cilësime intelektuali...?
Kuptohet, askush s'ka qoftë dhe një gjurmë si ato të Alketit...!
Pra, nëse këto tri pyetje do të ishin pjesë e një testi apo ankete në
kryeqytet, do të shënonin vetëm një emër: Alket Veliu...
Çamët nuk duhet të harrojnë që për 33 vjet asnjë qeveri shqiptare e majtë apo e djathtë nuk ka asnjë nismë konkrete për çështjen Çame.
Le të mos harrojnë shpërdorimin e besimit të tyre nëpërmjet votës. Po sjell një argument të turpshëm e drithërues: asnjë "lider;, i majtë apo i djathtë, nuk ka vënë një tufë me lule në Kllogjer, aty ku prehen viktimat e genocidit grek.
Komuniteti çam duhet ta ketë të qartë që nuk duhet të presë nga askush, por të punojë për të patur përfaqësimin e vet politik, nëpërmjet partisë së vet PDIU, si mundësi të vetme për të avancuar në zgjidhjen e çështjes Çame.
Përfqësues si Alket Veliu në Këshillin e Bashkisë së kryeqytetit na bëjnë nder si komunitet, pasi janë vlerë e patjetërsueshme e Çamërisë dhe e Shqipërisë.
Tiranë, prill 2023
Pajtim Çaushi, shkrimtar
Comments