Pakëz shpjegim
Eshtë thënie e lashtë e ringjallur nga Frojdi i "përroit të ndërgjegjes".
Në shkrim ka kuptimin e dyfytyrësisë mes vetëdijes dhe nënvetëdijes.
Të gjithë jemi disi alter ego se gabimtarë kemi lindur, por disa që rrinë mbi ne në veprime dalin fare nga lëkura e vet dhe bëhen pronarë të thënies antike.
Të gjithëditurit
Normale të shprehesh për diçka ashtu si e mendon vet.
Normale të flasësh pak e të dëgjosh shumë se ndaj ke dy vesh e vetëm një gojë.
Normale të mërmëritësh për gjysmë te diturat e të heshtësh për të paditurat.
Kuptohet, nëse ndodh ndryshe nuk është normale.
Por e keqja qënka se anormalja nga disa u bë normale dhe s'heqin dorë prej saj deri në absurd.
Eshtë bërë e modës kudo e ngado.
Pra, të gjithë drejtuesit e shkallares administrative duke filluar që nga më i poshtmi nëper pashallëqet e thëna Bashki, në zyrat e quajtura Drejtori, në godinat madhore Ministri e deri tek Kryegodina e quajtur Kryeministri për gjithçka flet e përgjigjet i Pari.
Asnjë nga specialistët s'di. Si për garë apo inat kjo sëmundje paska hyrë edhe tek Partia apo partiçkat vogëlane.Të Parët i dinë tē gjitha, ata janë qënie të shumëditura, qënie Universitet.
Sheh fiku fikun...
Natyrshëm lind pyetja: vallë pse ndodh kjo ndër ne e kudo?...
Mos kanē ndonjë shembull apo pasqyrë që imitojnë si majmuni apo majmunkat? Se njeriu që është i salduar pas ndenjëses së zyrës kthehet nē imitues të atij që mban mbi i nderuar lexues, ai bëhet qengji i urtē e butë përpara Shefit e nopran para tē poshtēmve.
Dhe shembulli duket çdo darkë nëpër ekrane.
Kryeministri qënka i gjithëditur. Ai jep përgjigje për tërmetin, buxhetin. bankat, ndërtimet, investimet, bizneset, aviacionin, uraganët...
Nënkryeministri flet por edhe vepron. Ai vë përparësen e kuzhinierit, merr tasat, pjatat, garuzhdet, lugë e pirun dhe ushqen të dëmtuarit nga tërmeti.
Ministri i Bujqësisë pasi të sqaron për pulat, lopët, kokoshēt, dhitë, cjeptë, domatet, mishin e pulës, glasët e zogut e plot të tjera, mbërthen e kafshon kokrren bio të domates sa për ta filmuar kamera.
Eh, s'është një e dy, por të gjithë ministrat dhe të gjashtëdhjetë e dy sulltanët bashkiakët. Bile këta të fundit nxitojnë aq shumë kur flasin, sa i thonë fjalet gjysma gjysma. Patjeter këta të përkēdhelur të fatit nxitojnë se kanë frikë mos i harrojnë e mandej Shefi u shkul veshin.
Gjasme të paditur...
Për të qënë sa më të saktë, ata që janë kaposhē tē administratës shtetërore, parlamentare, bashkiake apo partiake hiqen të gjithëditur për ato që s'kanë fare haber dhe të paditur për ato që i dinë në maja të gishtave.
Nëse dikush guxon t'i pyes për PPP - ëtë, për tenderat, për zarfat, për punësimet, për korrupsionin, për femrat e plot të tjera, ngrejnë supet dhe gishtin tregues e drejtojnë nga specialistët.
Pra, ato që nuk i dinë, i dinë, ndërsa ato që i dinë, nuk i dinë.
Ja pra, kjo qënka sofistika e tyre moderne!
Zgjedhimi i foljeve di dhe dua
Sipas tyre s'kanë vlerë rregullat gjuhësore të zgjedhimit të foljeve.
Jo, fare!
Ato zgjedhohen vetëm sipas interesit të tyre. Dhe ja si kur u leverdia:
unë di - dua, ti s'di - s'do, ai dhe ajo s'di, s'do!..
Ndërsa kur nuk u leverdis dhe ruhen, e kthejnë kokëposhtë:
unë s'di - s'dua, ti di - do, ai dhe ajo di - do!...
Le të habiten gjuhëtarët, ata kanë gjuhësinë e tyre të sofistikës antike dhe mesjetare!...
Comments