Nga Pajtim Çaushi
Gjatë kohëve nga qyteti i Konispolit kanë dalë veç të tjerëve të fushave të ndryshme edhe jo pak individë të shenjuar të mendimit e të shkrimit.
Dihet, fillesa e dokumentuar është me të hershmin Lek Matrënga. Poezia e tij "E mbësueme e krishterë" është e para poezi e njohur në letrat shqipe.
Vijon me Muhamet Kuçukun e poemës së njohur "Erveheja", me Haxhi Muratin e katër vëllimeve poetikë të botuar në SHBA gjatë viteve '30 të shekullit XX me Veiz Sejkon si studiues, poet e prozator, me Ibrahim Daut Hoxhën si enciklopedist në disa fusha e të tjerë.
Në fushën e shkrimtarisë bashkëkohëse janë bërë të njohur autorë si Arben Iliazi, Alush Avduli, Bashkim Kuçuku, Bardhyl Maliqi, Hekuran Halili, Halil Shabani, Hamit Taka, Fatbardha Bello, Eduart Veli, Vitori Omeri...
S'po po zgjatem më tej me emra të njohur e të evidentuar pasi synimi i këtij shkrimi nuk është evidenca sipas alfabetit, po diku tjetër.
Kështu, nga gjithw sa përmenda do të qëndroj pak më gjatë tek shkrimtari i ditëve tona, i talentuari Alush Avduli. Kjo jo për ta veçuar e vlerësuar ndryshe nga të tjerët, por për të vënë në dukje disa veçanti të jetës personale dhe veprës së tij si krjues. Pra, individin njerëzor dhe individualitetin krijues...
Mendoj që si të vërtetës, ashtu dhe të pavërtetës duhet t'u vemë emrin që kanë pa kthesa...
Nga gjithë sa kanë qënë bashkënxënës me të apo ata që e njohën si nxënës në shkollën e Shalësit e gjimnazin e Konispolit, Alushi ka patur fatin më dramatik që mund të ketë fëmija apo i riu.
Atij lupa e kohës dhe e regjimit "biografia" i mohoi më të domosdoshmen e më njerëzoren për qënien njeri: barazinë me të tjerët...!
E shënova si fat dramatik për vet paradoksin e dukurisë: ishte nxënës elitar në lëndën e letërsisë, i evidentuar që gjatë asaj kohe edhe si autor. Njëheraz, ishte deklamues e recitues i talentuar si dhe krijues poezish e hartimesh të bukur.
E megjithatë, dera e shkollës së lartë iu mbyll duke e lënë jashtë mes llohës së regjimit e ngricës së biografisë.
Kështu, ndërsa shokët e shoqet bashkënxënëse, me harenë e moshës në zemër e valiçen e ëndrrave në dorë, u ngjitën në shkallët e Universitetit, Alushit iu tregua puna në kooperativë bujqësore dhe shërbimi i detyrar ushtarak.
Ashtu si tek personazhet e antikitetit, edhe fati i tij ishte i paracaktuar nga lubia diskriminuese me emrin përçarës luftë e klasave. E megjithatë, ai nuk u rrëzua të zvarritej, por qëndroi drejt në këmbë.
Nuk u mërzit as me shkaktarët, as me fatlumët. Qëndroi i heshtur në shoqërinë e fatit të vet dhe u betua se do të studionte gjithë me ngulm kohës për të përvetësuar ato njohuri që të tjerët do t'i merrnin në auditoret e të lartës.
Me vullnet e durim mori dije e kulturë duke lënë pas në radhë shumë nga të tjerët qofshin të njohur apo të panjohur.
Për asnjë ditë nuk iu nda krijimtarisë letrare, veças poezisë.
Unë di të gërmoj tokën për të mbjell vargjet, thoshte me shaka të tjerëve.
Në anën tjetër veten e nxiste për të synonte më të bukurën në poezi.
Dhe ashtu ndodhi. Veças në emigracion ai i pasuroi njohuritë e veta estetike edhe me plot koncepte moderne dhe autorë të huaj që të tjerët as emrin nuk u patën dëgjuar.
Poezia e tij u rrit, u pasurua, u modernizua. Lirikës së brishtë të viteve si gjimnazist, iu shtuan rudhat e mendimit, fuqitë e përgjithësimit dhe shtresat e thellësisë.
Me kohë krahas poezisë e ndieu veten të plotësuar për të shprehur mendime e vlerësime objektive edhe për veprat që botonin shokët apo autorë të tjerë vendas e të huaj.
Në drejtim të shkrimeve vlerësuese e studimore ai dallohen për mprehtësi vrojtimi, mendimi e vlerësimi.
Alushi është edhe një eseist tejet origjinal. Qëndrimet e tij eseistike shprehin risi gjykimi për fushën që trajtojnë. Mundohet dhe arrin të shkëputet nga skemat tradicionale të eseve latine dhe anglosaksone duke ndihmuar për fytyrëzimin kombëtar të këtij lloj krijimi aq të lakmuar nga disa autorë.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe ndihmesën e vyer që ka dhënë dhe jep Alushi në fushën e shqipërimeve nga poetë dhe estetë të vendeve e kohëve të ndryshme. Kështu ndihmon për ta pasuruar bibliotekën kombëtare me vargje të autorëve nga pika të shumta të globit.
Besoj që vetëm për kaq sa përmenda shkurt, mendoj se shkrimtari Alush Avduli zë një vend nderi mes krijuesve të tjerë të vendit tonë. Pra, ja të gjitha këto më bënë ta veçoja e ta trajtoja pak më gjerë e më ndryshe këtë krijues.
Tiranë, Maj 2023.
???
Erdha ,nuk e di se nga,por di qe erdha,
Pashe para meje rruge dhe ne te eca,
Dhe do te vazhdoj te eci,desha apo nuk desha,
Si erdha ?Si e pashe rrugen time ?
Nuk e di !....
Dhe rruga ime,c'eshte rruga ime ?
A eshte ajo e gjate apo e shkurter ?
Ne te jam duke u ngjitur,apo duke zbritur ?
Jam une qe eci ne rruge ,
Apo rruga leviz ?
Apo te dy qendrojme ngurosur,
Ndersa ajo qe ecen eshte koha ?
Nuk e di !....
Jam i ri apo i vjeter ne kete ekzistence ?
A jam i lire dhe i pafre ,apo eci i lidhur me zinxhire ?
A jam drejtues i fatit tim,apo fati me eshte caktuar ?
Do te doja ta dija,por....
Nuk e di!
Po me heret se te behesha njeri,
A thua kam qene gje send?
Apo isha inekzistent ?
A ka pergjigje ky mister ,
Apo i tille do mbetet perhere ?
Nuk e di !....E perse nuk e di ?!
Nuk e di!
KURVA
Nje kurve leviz ndermjet nesh
E perkedhelim e hyjnizojme
Sipas kenaqesive te casteve.
Vertiten qejfet tona
Formojne rreth
Me qender kurven
Qe corjenton ideologjite morale
Ato qe e krijuan
Dhe i japin frymemarrje.
PËRSËRI PËR VËNDLINDJEN
Lugina në mes
me kujtesën dimërore të përroit të Barçit.
Përsipër majat e maleve
me qëndrime progresive grrisin fluturime korbi,
majat e çveshura,
zëmrimin e reve e harkojnë në vetëtima.
Pejsazhe të mobiluara me mizerje
dhe kontrata festive.
Vëndlindja ime,
errësira e shënjtërur e mitrës
dhe rritja ime e përcaktuar
me propogandën e pleshtave
që mu bën shembuj.
Në vëndlindjen time
banorët bëjnë jetën e insekteve
në brejtjen e tyre të vogël,
kërshëria e tyre patetike
ka vlerën e besdisjes së mizës
në bishtin tundës të kaut.
Tek këto insekte militante
dashuria e flijimit për ikonat
është dëshira pa fytyrë e kohës.
Hierarkët e shtetit sa kuaj të vjetër!
Me luspën magjike të qytetrimit
rivështrojnë vëndlindjen e humbur.
Harrimi i kënaqësisë së tyre të panginjur
mbi pamje e bukur të krrusjes.
Dhe hirearkët i dhurojnë kapistra të reja
për tërheqjen e lirive.
Ata krekosen.
E vëndlindja ime rrugton
në gjelbërimin e braktisjes.
Comments