Ne nje reagim te saj, Kandidatja per deputete, Anduena Qefalia pergenjeshtron dhe me fakte hedh poshte nje lajm keqinformues te kanalit televiziv, Top-Channel:
Sot televizioni Top-Channel ka publikuar një lajm keqinformues rreth thirrjes drejtuar miqve të mi për donacione për të mbuluar shpenzimet e fushatës.
Së pari, televizioni ka insinuuar me dashakeqësi kur ka thënë “Kandidatja e PD në Tiranë kërkon para hapur” duke u përpjekur të krijojë përshtypjen se ky është një akt i paligjshëm dhe korruptiv.
Mbledhja e fondeve nga dhurues me shtetësi shqiptare për fushatat elektorale të kandidatëve dhe partive është një veprim tërësisht i ligjshëm dhe rregullohet nga neni 87/1 i Kodit Zgjedhor, Neni 94 dhe Ligji nr.8580 datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike”.
Në zbatim të kuadrit ligjor përkatës, kam krijuar një llogari të posaçme për mbledhjen e dhurimeve private dhe sot kam dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve formularin e deklarimit të llogarisë. Llogaria do të monitorohet dhe verifikohet nga KQZ sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi.
Sa i përket habisë që televizioni në fjalë aludon se paska shkaktuar thirrja ime për mbështetje të fushatës, shpreh keqardhjen që modeli i amerikan dhe europian i ngritjes së fondeve për fushatat e kandidatëve politikë nuk është përmendur.
Me këtë rast, njoftoj miqtë e mi që kanë dhuruar dhe do të dhurojnë për fushatën time që përveç kontrollit nga KQZ, unë do të bëj transparente listën e shpenzimeve dhe shumat përkatëse për të gjithë fushatën.
Me respekt dhe mirënjohje për mbështetjen tuaj të pakursyer,
Anduena
Comments