top of page
Search

Anës detit i palarë

Nga Pajtim Çaushi

Një miku im, mësues nga Delvina, mori familjen e vet dhe bujti në Sarandë për tri katër orë plazh e pas kësaj të rikthehej në shtëpi. Gusht. Vapë. Mori edhe çadrën të futnin pak kokën në këtë përvëlim.

Arriti. Vuri dorën në ballë të gjente ndonjë cep për ta ngritur, por nuk arriti të ngulte as shkopin se ia bëhu një djalë fytyrë vrenjtur dhe i tha me tonin autoritar të një pronari të rreptë:

- Largohu, s'lejohet të ngresh çadër këtu, merr shezlong!

- Pak do rri, por s'kam as mundësi të paguaj shezlongun tuaj, - iu përgjigj qetësisht delvinjoti i urtë.

- Ik dhe mos e zgjat! - urdhëroi "padroni i detit".

Miku im mësues vërejti rrotull fqinjëve të "pronarit" të rreptë që të gjente pakëz vend për çadrën e tij diku gjetkë, por jo.

Çdo pëllëmbë toke deri tek uji gëlonte nga hijetoret me kashtë që të kujtonin çadrat e fisit të kajive në filmat turq apo të ushtarëve osmanë që rrethonin kështjellat në Mesjetë.

Ç'të bënte mesuesi delvinjot?... Kujt t'i drejtohej e ku të ankohej?... U mendua, askund nuk pa dritë për të kërkuar të drejten veç kujtimeve.

Dy prej tyre ia goditen më gjatë trurin.

I pari qe vargu i ndërtuar me paradoksin therës të Nolit:

- Anës detit - i palarë, e përsëriti me zë të ulët se mos dëgjonte "pronari" i rreptë!

I dyti ishte me pamjen dhe fjalët e ministrucit të Turizmit nga fisi "i njohur" i Klosit të thëna para kamerave që në muajin Mars:

- Askush të mos guxojë të zaptojë pjesën e qytetarëve në bregdet se do përballet me ligjin!... Tridhjetë perqindshin ta gezojnë se është i tyre!

Eh o ministruc! - psherëtiu mësuesi e mandej mërmëriti për vete e për të tjerët:

- U mburre në ngricë e shi

këndove në kotec bosh

në korrik të humbi zëri

posi pulës nën kokosh!...



Comments


bottom of page