Argëtimi përmes pajisjeve kompjuterike, televizive dhe telefonave është një trend i përqafuar në masë edhe nga fëmijët shqiptarë.
Madje në pjesën dërmuese të rasteve vetë prindërit janë ata që përmbushin tekat e fëmijëve të tyre, duke i lejuar që të qëndrojnë me orë të zgjatura para lojërave kompjuterike apo stacioneve televizive. Kohë, e cila në të vërtetë vetëm sa e dëmton zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Krahas problemeve me mbipeshën, obezitetin dhe humbjen e dëshirës për t’u marrë me librat, specialistët e shëndetësisë vënë në dukje se një problematikë e konstatuar nga vizitat e kryera prej fëmijëve gjatë dy javëve të fundit është edhe vështirësia që ata shfaqin me shikimin.
Shumë prej fëmijëve manifestojnë probleme të shumta me shikimin, si rrjedhojë e qëndrimit me orare të stërzgjatura para këtyre ekraneve. Kjo problematikë është bërë edhe më e dukshëm si rrjedhojë e rregullit të ri që është vendosur për regjistrimet e klasave të para. Ku për herë të parë gjatë këtij viti një ndër dokumentet e kërkuara për regjistrim është edhe raporti i vizitës së zhvilluar tek okulisti, të cilat kanë konfirmuar probleme të shumta në radhët e nxënësve, sa i takon shikimit. Prindërit duhet të jenë më të vëmendshëm që të mos neglizhojnë kujdesin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve të tyre veçanërisht sa i takon orëve të qëndrimit para këtyre pajisjeve teknologjike, dëmet e të cilave janë të shumta.
Fëmijët me probleme duhet të korrigjohen sa më parë. Deri në moshën 10-vjeçare nuk duhet t’i blejmë kompjuter, tabletë apo mjete të teknologjisë së fundit.
Fëmija duhet të shohë programin në televizor gjysmë ore dhe vetëm kaq.
Nëse një fëmijë dy-tre vjeçar e vendos përpara një ekrani për orë të tëra, atëherë do të ketë probleme. Prindërit duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre.
Ka shumë raste që prindërit bashkëpunojnë me ne, por ka edhe raste që prindërit e keqkuptojnë dhe mendojnë se duhet vetëm të vendoset një firmë.
Commentaires