Nga Agron MEMA Ditët e pandemisë virusale të COVID-19, shoqëruar edhe me vetizolim karantinues dhe një sërë masash të rrepta nga ana e qeverisë për lëvizjen e qytetarve dhe kryerjen e shërbimeve publike dhe familjare të nevojshme, duket se shoqërohen edhe me një farë tulatjeje, frike, humbje shprese dhe krijimi I një ndjenje pasigurie se si do ecet më tej dhe sa do zgjat.
Në fakt është një pyetje që ja bëjmë të gjithë vetes, pavarsisht postulatit të shumëpërsëritur dhe të shumëpërdorur: “Frikë jo, kujdes po”.
Në këtë situatë vijnë me një mesazh edhe artistat Limoz dhe Adriana Dizdari. Një mesazh nga ata që Qendrën e Artit “DEA” të Ksamilit kanë vite që e kanë kthyer në një qendër kulturore me dhjetra aktivitete artistike cilësore.
Janë ata që flasin me gjuhën e pentagramit dhe depërtojnë në çdo skutë të shpirtit për ta ndriçuar. Sepse dihet që arti në tërësi, muzika në vetvete, janë ushqim I shpirtit dhe burojnë nga shpirti, I flasin shpirtit, kuvendojnë me shpirtin dhe mbjellin optimizmin, kënaqësinë , bukurinë e jetës, lindin dëshirat dhe marrin udhë projektet, realizohen ëndrrat, shpalosen vizjonet, konkretizohen idetë, sepse shpirti është pastruar dhe jeta merr udhën e saj. Më herët Artisti I Merituar Limoz Dizdari , në një intervistë për shtypin e shkruar u shpreh se përgatitet për 250 vjetorin e Lindjes së kompozitorit të madh Bethoven. Është porositur edhe busti I tij I cili ka mbritur pranë Qendrës së Artit “DEA” në Ksamil.
Por…Jo të gjitha venë sipas parashikimeve dhe planifikimeve tona. Pandemia dhe situata e Fatkeqësisë natyrore e shpallur nga Qeveria Shqiptare bëri që ky koncert të mos zhvillohet ditën e përcaktuar, por jo të mos bëhet.
Ai vetëm sa shtyhet për më tej në një afat kohor pasi të qetësohet situata. Astu siç shprehet vet artisti Limoz Dizdari me fjalët e tij se:
” Fletët e kalendarit bien njëri pas tjetrit, pa zhurmë e plot solemnitet. Ato na kujtojnë të kaluarën, kohën që ka ikur. Disa prej faqeve na ndërgjegjësojnë më shumë, të bëjmë kujdes e ti respektojmë ashtu siç e meritojnë, për mësimet e vyera që na dhanë. Natyra , në një hark kohor shumëtë nxituar, na ka goditur rëndë, por ne, njerëzit, përveç korigjimeve për gabimet që kemi bërë ndaj natyrës, të kemi forcë e vullnet ti përballojmë sëbashku këto sfida të saj. Të mbështesim kryeministrin dhe poerositë e tij deri në lutje.
Të jemi të disiplinuar deri në fanatizëm ekstrem të këshillave të mendimit shkencor të mjekësisë dhe institucioneve tërësisht në favor të shëndetit qytetar e të vendit.
Jemi të gjithë të barabartë ndaj natyrës, vetëm Zotin kemi më lart.
Kemi kohë të merremi me Vitin Jubilar të Bethovenit, prej tij të marrim disiplinën, vullnetin dhe këmbënguljen e këtij njeriu hyjnor”,-shprehet Artisti I Merituar Limoz Dizdari. Artistat Limoz dhe Adriana Dizdari në një thirrje të tyre sqarojnë qytetarët për zhvillimin e këtij aktiviteti madhështor dhe shpalosin programin e pasur artistik të këtij aktiviteti të cilin po jua përcjellim më poshtë me fjalët e tyre drejtuar qytetarve dhe artdashësve:
Gjatë pushimeve verore është programuar të realizohen një sërë koncertesh të rinj nga shumë qytete të Shqipërisë. Qendra e Artit “DEA” ka dëshirën dhe vullnetin e saj të flaktë të mbyll këtë “Vit Jubilar” me një spektakël madhështor në Teatrin e Butrintit nëpërmjet tingujve të magjishëm të simfonisë së 9-të, brenda së cilës dëgjohet edhe shpirti shqiptar në Odën e gëzimit-si hymn I Evropës. Nevoja e korit, e solistëve dhe e orkestrës simfonike si dhe përcaktimi I datës së këtij koncerti të madh, I planifikimit të kolektivave dhe sigurimi I mjeteve financiare, sigurisht që janë vështirësi që meritojnë vëmendje, por nuk janë të pa kapërcyeshme.
Dëshira për të vlerësuar me madhështi këtë “Vit Jubilar” të lindjes së Bethovenit nuk është gjest I kushtueshëm , si ai I një fotografie të panevojshme e as I një eksportimi të ndeshjes së një bosieri botëror në një nga vendet e thella të fukarallëkut të Afrikës, por një angazhim I shpirtit vital I një populli të lashtë e plot vyrtyte, përmes një spektakli në vazhdimësi në një arenë të madhe si ajo e Butrintit.
Për ata që janë njohur me testamentin njerëzor të Bethovenit, kjo thirrje na mjafton të gjithve të bëhemi pjesë e zjarrtë e këtij spektakli të madh të vullnetit njerëzor ngritur mbi tre tinguj: LA, RE, MI, LA. Forca hyjnore që shtynte atë Njeri të ndërtonte atë strukturë emocionale pan-njerëzore, e bën të vështirë të mos besojmë tek ekzistenca e forcës hyjnore të Perëndisë e të besojmë më shumë tek forca e vullnetit njerëzor. Kjo thirrje u drejtohet përgjithësisht njerëzve të thjeshtë të marrin pjesë se nuk kushton asgjë para kënaqësisë shpirtërore dhe magjisë që jep arti I vërtetë. Vetëm një paketë cigare do të kurseni për tu bërë pjesë e koncertit dhe duke ndihmuar shëndetin tuaj. Në këto kushte kërkojmë të tregohemi të gjithë se jemi pjesë e Europës e cila na çeli dhe negociatat e po përpiqemi të bëhemi pjesë e vlerës së përbashkët të kombeve evropiane. Ne nuk kërkojmë vota për të siguruar pushtet, por për të garantuar se pushteti I njeriut të mirë është më I miri.
Mesazhi u drejtohet edhe bizneseve që pasuria e tyre më e madhe, është shpirti I tyre kreativ e që veprimtaria e tyre sociale udhëhiqet nga parimi I respektimit të vlerave edukuese për vëndin dhe njerëzit.
Ndaj I inkurajojmë që të blejnë sa më shumë bileta dhe t’ua falin njerëzve të thjeshtë si shprehje kujdesi dhe mirëkuptimi ndaj tyre, për të mbetur në kujtesën tonë si gjest I vëllait të madh kur na dhuronte një libër, ose I babait kur priste një biletë për familjen për të shkuar në opera që ne të ëndërronim e me dëshirë ti realizonim ato.
Në këtë “Vit Jubilar” të Bethovenit para Tij qëndrojmë të habitur, por të lumtur, të emocionuar , por të fortë e pa trishtim.
Të gjithë e gjer tek më modesti I racës e I profesionit tonë shprehen njëzëri : Kam Perëndinë time , Bethovenin!”-Përfundon mesazhi që artistat Limoz dhe Adriana Dizdari japin për qytetarët, bizneset dhe artëdashësit me rastin e “Vitit Jubilar” të Bethovenit, duke zgjuar shpresën se asgjë nuk vjen pa sakrificë, pa mund dhe sidomos pa optimizmin që ushqen në shpirt arti dhe veçanërisht muzika.
Comments