top of page
Search

ASOKOHE NUK KISHA NJË PËRGJIGJEA - Zade Kuqi

Me ngatërrimin e botëve të ngjyrave dhe gjendjes shpirtërore, u ul. Pastaj u shtri në shtrat dhe jastakun e largoi te vendi, ku e mbështeste kokën.

Në atë pozicion krejt horizontalisht u ndje si një trup meit, një kufomë. U ndje e zbrazët, thuaja bosh. Insistimi i tij që të takoheshin, e kishte lodhur. Ajo kishte vite pa dashunue.


Nuk e braktiste dot boshësinë e saj. Aty ishte e përmbushur me dhimbjen dhe vetminë. Nganjëherë i ngjante si një zinxhirë i zgjatur shumë, shumë.

Po e zinte veten në kurth, pa mundur të pëgjigjej, kur po drejtonte pyetjen para pasqyrës, pse ta braktiste vetveten? Dashuria, si është?... “A mund ta bënte ai, të ndjehej ndryshe?” U frikësua nga mendimi i saj i shtruar në formë pyetjeje, sikur po shkulte shtyllën që mbante një peshë bregu për të. Ishte mjaftë e rënduar, kur u ngrit. Ndërsa filloi të ecte nëpër hapësirën e dhomës dhe të një koridori të ngushtë, ndjeu të ftoftë në shputa dhe në gishta të këmbëve. Këtë herë u ndje e pikëlluar për të ftohtit që po e përshkonte. I ra disa herë lartë e poshtë hapësirës së ngushtë të banimit, duke mbajtur gojën me shuplakën e dorës së majtë. Nuk ia shpjegonte vetes se pse po e mbante gojën të mbuluar me dorë? Pastaj, ashtu e kredhur në atë gjendje dëshpërimi, u ulë prapë në shtrat. Kokën e vuri mes dy duarve me vështrimin mbi një copë të vogël parketi dhe në çast nga ajo gjendje, ashtu e ulur buzë shtratit, u kthy nga e majta e saj dhe u shtri prapë në shtrat në pozicionin e mëparshëm, vetëm se kësaj here këmbën e djathtë që i dhimbte që nga kofsha e gjer në maja të gishtave, e hodhi mbi të majtën.


Ndoshta ky kryqëzim ne formë gërsheti mund t’ia pushonte pak dhimbjen e kërdhokullave! Edhe duart, njëren mbi tjetrën, i mblodhi të dyja bashkë. Po të njëjtën gjë bëri dhe me duart, të djathtën e hodhi mbi të majtën menjëherë poshtë qafës, mbi atë pjesë të vogël gjoksi, por duke u kujdesur që të mos rëndonte mbi gjinjtë. Mbylli sytë. Ç’të mendonte? Bota e koklavitur e jashmte, mos ndërthurte inde të padukshme?


I vajti buza drejt një të qeshure, por, jo, nuk qe e mundur kjo. Ishte një zgjidhje disi e çuditshme. Po sikur të mos mendonte fare? Më e keqja. E dinte që nuk mobilizohet dot qenia të jetë jomobile, joaktive. As ky pozicion fizik i trupit nuk e kënaqi; nuk po qetësohej dot. Atëherë ngriti dorën e djathtë, preku me të ballin dhe me dy gishtat e mesëm shtypi kapakun e syrit të majtë.


Më në fund e zuri fillin e mendimit dhe për një çast pati një ndjenjë kënaqësie mes gjithë asaj katrahure. Kjo i dha kuptimin fëmijëror, kur del kukuvajka në orën, aty nga vrima mbi akrepa lart që kënaq fëmijët dhe nxjerr një zë me goxha shije ku-ku, ku-ku, duke sinjalizuar një arritje, një qëllim, si të thuash u bë ora 11.


Takimi i tyre ishte pa fjalë. Kjo ishte gjëja e parë që asaj nuk i pëlqeu, por nuk kishin se përse të flisnin. Ishte një takim epshor, midis dy qenjeve të gjalla, midis dy krijesave që gjakonin njëjtë. Dhe pasi që u përdrodhën lakuriq njëri-tjetrit pa fund, ashtu mirë e mire, që të dy u veshën ngadalë duke mbledhur rrobat e hedhura, andej-këtej, nëpër dysheme, pas asaj të luftuare që mendimet t’i mbanin të ftohta, do të mernin rrugën gjithsecili në anën e tij të lagjes, ku banonin.

- A është fat që qëllova unë,- kaq i tha ai. Ajo u drodh nga mënyra e llogaritjes së gjërave, nga ana e tij.

- Mua mos më kërko të bëjë asgjë,- i tha ajo burrit.


Në atë pozicion shtrirë kur ai qëndronte mbi të, gjersa ia mbështillte butë e fort kofshët, e vështroi me një palë sy, ku lexohej guximi që po mundte frikën. Ai nuk u përqëndrua te buzët e saj, prej nga dolën ato fjalë, si tinguj të një zhurme të ikur logjike fare.


Sytë e tij i nguli mbi sytë e saj dhe pati një ndjenjë, sikur gjethet e verdha të vjeshtës endeshin poshtë e lart tyre. Nuk i pëlqeu kjo thyerje e imazhit të sundohet nga natyra dhe po i bëhej sikur po shndëroheshin në xhuxhë, për më tepër- në xhuxhë të kurdisur. Ai ishte në pikën më të keqe të mundshme, në mes të ndodhurës dhe të paimagjinuarës mirë.


Tashmë ai vazhdonte së rrotulluari dhe kishte kaluar në anën e majtë të saj. Në atë gjendje gjysmë të ngopur nga epshi, ai ia bëri edhe një pyetje të dytë, ç’prejse ishin futur në atë dhomë.

- Ç’farë po lexon?- Nuk dinte nëse e qëlloi momentin kureshtar apo qe vonuar pa matur më mire të gjitha, por, sidoqoftë tashmë nxorri fjalët.

- Montenjin dhe Beketin,- u përgjigj ajo shkurt, duke trokitur ngadalë me gishtat e duarve mbi gjoks.

- Ç’farë do urreje në këtë moment,- vazhdoi ai me një pyetje të tretë.

- Elegancën,- ia ktheu ajo, duke fshehur paksa sensin spiritual brenda vetes e duke dhënë prapë shkurtë e si me përtesë përgjigjen.

- Pse?, - vazhdoi burri. Në vend të përgjigjes, ajo mblodhi krahët pak, por aq, sa vetëm i lëvizi një grimë ata në të njëjtën kohë të dy, por pa thënë asnjë fjalë tjetër. Burri pati një dilemë për atë lëvizje të krahëve të saj, por nuk vazhdoj më tej. Në një moment kjo i ngjau në mungesë dëshire të saj që të mos flasë më thellë, por, në anën tjetër i ngjante në rritje vullneti që po e tregonte më energjike.


Në dhomë ra qetësi dhe po shtohej terri. Dashuria! Si mund të jetë ajo? Vallë, mund të jetë ashtu si ka shpirtin dhe gjendjen e tërësishme njeriu? Po të jetë keq qenia, edhe dashuria mund të jetë e mbytur me erëra pa drejtime të përcaktuara lehtë?


Nuk i pëlqente që në një moment asaj ju duk dashuria si një fushë me lule të thara nëpër një kohë të vrarë... nga tërbime erërash, apo qetësie të paduruar. Jo duhej të bënte përpjekje të shpërfillte linjën e këtyre mendimeve. Të mendonte për një moment aktin skulptural me shijen e lakuriqësisë mbi shtrat ose edhe ca më ndryshe…


Opmerkingen


bottom of page