top of page
Search

AUTOPSIA E REALITETIT NË ROMANIN E PAJTIM ÇAUSHIT

Nga Agron MEMA

( PAK SHËNIME NGA LEXIMI I ROMANIT TË FUNDIT TË SHKRIMTARIT SARANDIOT PAJTIM ÇAUSHI”NENKRYEMINISTRI” )

 

Një shkrimtar që di të befasojë me prurjet e tij në letërsinë shqipe, por fatkeqësisht aktivitetin letrar e ushtron në një qytet province si Saranda, pavarsisht si qytet i njohur në arenën ndërkombëtare dhe me një aktivitet artistik , që për nga larmia , mund të quhet mbretëresha e artit, sidomos tani në sezonin veror.

Them fatkeqsi në kuptimin praktik se si shikohen artistët shqipta në realitetin e sotëm dhe kjo edhe si përvoja ime si gazetar ku herë pas here shkrimet për artistët dhe aktivitetet artistike nëpër rrethe kanë një mospërfillje nga media e shkruar dhe vizive, duke u përqëndruar në kryeqytet dhe e kthyer promovimin në marketing.

Tani të vijmë tek prurja e re e Pajtim Çaushit, romani “NËNKRYEMINISTRI”.

Për vet faktin që lexohet me një frymë dhe koha e leximit të duket sikur sheh një reportazh televiziv të zhvillimit të ngjarjeve në Shqipëri në kohë dhe sisteme të ndryshme, romani ka prurje dhe gjetje të reja si stilistike si të elementeve letrare të prozës dhe poezisë të alternuara së bashku duke u kredhur në pellgun , apo oazin e prozës poetike, hulumtimit dhe prurjes së filozofisë popullore si mjet ilustrimi i idesë qëndrore të romanit por edhe si kolor i temes që trajton për arsye të kuptueshmërisë në gjithpërfshirje të kategorive të lexuesit.

Sepse për Pajtim Çaushin ka rëndësi ngjizja tek lexuesi dhe masivizimi i protestës së tij kundër këtij realiteti që gëryen si erozion jetën shqiptare dhe reagimin e tyre për ndryshim.

Pas leximit të romanit , mund të them se janë të pakta trillet për aritjen e fundit të Pajtim Çaushit, sidomos tek notat e humorit sepse autori në bisedat e përditshme nuk shfaq kaq shumë tendenca sarkazme dhe kjo tregon punën e madhe serioze me përgjegjshmërinë për realizimin e veprës së fundit letrare.

Dhe kur autorin e njeh nga afër, veprën e tij jo vetëm e kupton, por ajo të befason e mrekullon.


Megjithse me nota humori, autori romanin e ka reshtuar në kolanën e satirës, por pa frik mund të quhej edhe historik, por mendoj se krenaria dhe dhimbja që autori përjeton në realitetin shqiptar i ka dhënë të drejtën e trajtimit të një ëndrre humoristike duke mos e prezantuar realitetin shqiptar të nxirë.Vet problematika e trajtuar vjen si një realitet i hidhur i jetuar mes përjetimeve të fshehur si tranzicion i tejzgjatur por që shpërfytyron jetën e shqiptarit duke e kthyer thjeshtë si qenie frymore që vepron me instikte mbijetese.

Dhe këto plagë erozive duhen vite që të mbyllen, pikërisht tek kjo tejzgjatje buron protesta dhe denoncimi publik i shkrimtarit duke e brendashkruar në perimetrin e traditës dhe zakoneve të shqiptarit, parë kjo në trasparencën e zhvillimeve demokratike larg dogmave patriarkale të okupimit të jetës private fshehur nën etikën e moralit , por kjo nga të pa moralshmit.

Pajtim Çaushi, brenda profesionit të tij si mësonjës, merr përsipër në romanin e tij të sjellë edhe një psikoanalizë të edukimit të brezit të ri dhe sidomos problemet e shkollës duke u bazuar në trinomin Familje-shkollë-shoqëri duke e fokusuar tek personazhi kryesor, Pelivani se në fund të fundit këta do ti shërbejnë shoqërisë.


Jo pa qëllim emrat e personazheve dhe toponimeve sjellin një kuptueshmëri logjike dhe neveri tek lexuesi dhe shkrimtari këtu ka qenë tepër i vëmendshëm në mbështetje të idesë dhe temës që trajton duke mbetur në pozicionin e një shakaxhiu hokatar për një denoncim konkret.

Dhe autori sjell kohën me lementët e saj denoncues ku i dituri mbytet nga i pa dituri, i afti nga i paafti, dukuri që shqiptarët e vuajnë edhe sot nga emërimet në administratën publike me militantë partiak.

Pra , e përsëris, jo pa qëllim personazhet kanë emra pelivanësh e të krekosurish dhe kjo jo si ilustrim humori, por si element denoncimi të politikanëve të kohës së djeshme e asaj të sotme që autori e sjell me mjaft art si vijimësi e të kaluarës në mardhëniet që kanë personazhet me njëri-tjetrin gjatë ngjarjeve të romanit.

Pra një produkt ky i njeriut të ri dhe kompromisit me politikën dhe batakun qeverisës ”Made in Albania”.

Vijimësia e pushtetetit me drejtim mediokër kuptohet vetvetiu gjatë leximit të romanit.

Autori nis me vitet e socializmit kur pretendohej krijimi i njeriut të ri, por përmes ngjarjeve (jo vetëm ngjarje të romanit por edhe realitet shqiptar) ky njeri i ri nuk u krijua kurrë, por u krijua një kavie e sistemit e përpunuar dhe drejtuar nga segmentet e policisë partiake dhe autori këtë e ilustron në gojën e një personazhi të lartë shtetëror:

”Kush ma dredh, atë e tredh”, pra i humbas racën.

Pra u krijua një njeri i veshur me vese e sidomos këto vese gjenin shtratin e lulëzimit tek i pa afti dhe i përkëdheluri.

Nëpër rreshta autori nuk i shmanget realitetir tjetër, luftës së klasave ku nëpërmjet pak personazheve i nxjerr ata, ish të përndjekurit dhe të persekutuarit (dhe ji-jo pa qëllim numri i paktë i tyre në roman) si klasë fisnike e me vlera humane, por të përgjumur në proçeset demokratike, ndoshta nga pamundësia dhe këtë autori e shfajëson me lidhjen retrospektive të dashurisë së parë me personazhin , por dhe rolin që ka sigurimi i shtetit në vijimësinë e pushtetit politik dhe ekonomik pas proçeseve demokratike shqiptare,Leo Mero.


Nëpër rreshta e romanit, ku herë –herë kthehet në prozë poetike, autori përdor folklorin, vargjet dhe filozofinë popullore si dhe urtësinë e tij, kjo me qëllimin e nënvizimit të nënidesë se populli që vuan gjithë këtë turbullirë paaftësie dhe inteligjence qeverisese nga administrata e militarizuar dhe politike, ky popull të personifikon si dordolec humori dhe të fokuson tek pafalshmëria duke të personalizuar jo vetëm si pelivan por edhe si Nastradin i kohës.

Dhe denoncimi i kësaj administrate tranzite të tejzgjatur e të trashëguar që s’ka ndërmend për ta lëshuar, ai i kundër vë edhe orgjitë e kësaj administrate me një moral të shthurur, por pa harruar qëllimet dhe intrigat shekspiriane brenda orgjive për ruajtjen e pushtetit, ndërkohë që propagandonin moralin dhe jetesën e shoqërisë dhe familjes socialiste: bëni si them unë e mos bëni si bëj unë. Autori i mëshon me forcë kësajë nënideje.

Tinëzisht, duke kaluar mes rreshtave si një udhëtim mbrëmësor në shëtitoren e Sarandës ditëve të ç’do stine, vë edhe buzën në gaz, tund kokën dhe mendoj se Pajtimi, me autencitetin e tij, nuk lëviz nga tabani i botkuptimit dhe përjetimit të realitetit, pavarsisht këndvështrimit dhe stilit letrar, por konceptimi logjik është po ai që vet shkrimtari dhe poeti, mësuesi dhe intelektuali në koridorin psikoanalist, shpreh ndoshta herë-herë edhe me nuanca nervoze në biseda me miqtë, ndoshta një provë apo eksperiment i tij se si do të pritet një konceptimi tij në vepër, pavarsisht i vendosur në gojën e një personazhi letrar.

Pajtimi sjell papajtueshmërinë e këtij realiteti kuturbues për shqiptarët.Por autencitetidhe krenaria e shkrimtarit për trevën nga vjen nuk anashkalohen, ndofta me tre rreshta, por një tablo e qartë:kur një ministër do të hedhë vallen e Osman Takës.

Përveç mesazhit se kjo valle do burra dhe burrëri vjen edhe prakticiteti se kush të vendos edhe të heq që shkrimtari e prerifrazon me vargjet filozofike:

”Të gjithë përrenjtë derdhen në lumë/Kungujt bosh bëjnë më shumë zhurmë ”

Pra shkrimtari aludon një realitet se çështja çame po pengohet nga e kaluara shqiptare...ndaj ndodh edhe vendosja e të paaftit në krye të punëve shtetërore, pasi shkrimtari i vetëdijshëm dhe këtë vetëdije e pështjellon tek personazhet kryesor, gjithmonë pas ç’do emërimi qëndron oligarkia dhe këta i kthen në ushtarë të bindur të gjeneralit që dashur pa dashur po bëjnë grusht shteti të heshtur.

Dhe në gjithë këtë vorbull oligarkike të pushtetarve, shkrimtari përsëri , duke sjellur orgjitë e tyre si ndodhi jetsore e pashmangshme, përsëri tregohet me etikë ku imoraliteti kritikohet me humorin popullor duke shmangur banalitetin dhe gjatë gjithë ngjarjeve autori nuk le vend shumë për hallakatje.Nga socializmi në demokraci një përshkrim i realitetit brenda ndodhive shqiptare me detaje tronditse që brezave që nuk i jetuan do tu duken përralla.

Gjithë ajo marrëzi shqiptare e pas vitit 1990 vjen artistikisht në roman ku nuk mungon ilustrimi”Fate që dalin nga zarfe”.Autori përmes përshkimit të skenave erotike të shthurjes dhe imoralitetit të administratës së ç’do kohe sjell edhe mesazhin e një familjeje të shëndoshë duke mos shpëtuar nga superticioziteti letrar i tij që në këtë roman e ka me elementin letrar të nënzërit (ndërgjegjies) e cila thërret për apel ”Femra e thjeshtë të mer e të mbledh/Femra mbi poste të shtrydh e të hedh”.


Megjithse këtu autori i qëndron besnik idesë se në një pellg ku llokoçiten të gjithë oligarkët kthehen e pinë ujët e përmjerjes së tyre dhe kjo jo vetëm në mardhëniet erotike , por edhe pazaret politike , qeverisëse e emëruese deri tek dhuna paralamentare dhe trokitja për ankesa në dyert e të huajit duke zbardhur pazotësinë tonë për zgjidhjen e halleve tona.

Në fund të këtyre shënimeve dua ti mbyll me një fragment të romanit që mendoj se është ilustrimi i gjithë nënë- ideve dhe idesë së romanit

 

”Njerzit flasin e bëjnë, ndaj kanë gojë dhe mënd. Ndodh që i ngatërrojnë fjalët me bëmat, apo bëmat me fjalët. Flasin mirë e bëjnë keq.

Ose flasin keq e bëjnë mirë. Si t’u vijë.

Megjithatë më shpesh ndodh e para, jo e dyta.Me arsyetimet e tyre disa homosapientistë e antropologë shpjegojnë se kjo ka të bëjë me rolin e dy gojve të njeriut.Pra hyrsen e dalsen.Dhe vijojnë të numërojnë natyrën, aromën dhe gjendjen e materies fillestare e shformimin e sajë.

Pra si hyn e si del.Pavasisht nga dasitë që shprehin, të gjithë bien dakort se ajo që i komandon të dy gojët është mendja.

Ajo të ngre, ajo të hedh, thoshin duke nënkuptuar dy mendjet e qenies njeri.

Mendjen për mirë e mendjen për keq" (faqe 198)

Pra si përfundim , pavarsisht se nuk e thashë më lartë, autori jep se si okelio e të gjitha ndryshimeve në sistemet politike dhe ekonomike shqiptare dhe zhvillimeve të tyre ,qëndrojnë segmentet e shtetit duke më kujtuar një poezi të poetit dhe shkrimtarit Teodor Keko, deputet i parlamentit të parë pluralist shqiptar , kurnë sallë të parlamentit recitoi:

”Na erdhi demokracia/Me partira të mëdha/Zogjtë këndojnë ciu-ciu/Po në krye prap ata”

Romani ka shumë idera dhe analiza , pavarsisht gjinisë së humorit dhe ja vlen të lexohet ashtu si ja vlen që shkrimtari Pajtim Çaushi të urohet.

Suksese miku im Pajtim!


Agron MEMA

Sarandë-19-Korrik 2015

Comentários


bottom of page