Nga Tanush Çaushi*
Skenat përsëriten e përsëriten sa herë ne zhvillojmë zgjedhje. Të gjithë deklarojnë me tam tame e thirrma sa ngjiren për fitoren e garantuar. Dhe prapa tyre gjithë shpura e mediave jo-të varura shqiptare gjejnë shesh e bëjnë përshesh me ujë gjolesh të ndenjur. Vrapojnë para ekraneve opinionistët e “lidhur me litare” dhe bëjnë detyrën me fjali te stergjatura si litarë shiu e shtëllunga mjegulle.
Pas tyre servilët për të rrëmbyer kockën e premtuar nga tepsia e madhe. Dhe në fund, por jo të fundit militantët e "pafajshëm" që kanë bërë gati kostumët e drejtorëve. Thellë, në fund të fundit të rrështit shkon turma pas berihajt si tufa e deleve pas bariut të stanit.
Opozita ka fituar e thotë se fitorja është brenda në kuti. Qeveria ka shpallur fitoren ende pa u hedhur asnjë votë në kuti.
Dhe kjo histori vazhdon të përsëritet pambarimisht në vitet e pluralizmit shqiptar. Kjo turbullon ajrin e na humb shikim e nuhatje deri në ate masë sa që është e vështirë të përcaktojmë se në çfarë viti politik jemi.
Vërtetë në çfarë viti jemi, votojmë dhe jetojmë?...
Vallë si quhet ky i sivjetmi 96, 97, 2001, 2005, 2009, 2013, 2017 apo 2021?
Na duken vite uniforme, vite pa shenja, vite të përgjumur me ndonjë shashkë të hedhur si re në pantallona. Po, vërtet, në këtë turbullirë dallojmë silueta të zbehta qëniesh njerëzore që pasi kanë humbur, kanë zbritua apo sikur zbritur nga kali i pushtetit partiak apo shtetëror.
Dhe nxitojmë të përmendim emrat Godo, Nano e Berisha.
Por hall se monedha ka dy anë. Ata zbritën a sikur zbritën, ndërsa këta të sotmit as zbresin dhe as bëjnë sikur zbresin. Kjo lojë në të cilën jeni futur të nderuar kryetarë apo të nderuara kryesi ka ngjitje, por ka dhe zbritje. E thënë thjesht dhe shkurt quhet kështu:
- Fitove?... Tundu e shkundu!...
- Humbe? ... Ik, mos na hiq për hunde!
Çudi që ndodhi ndryshe...
Kryetari i Opozitës z.Basha, i cili pretendon se i përket një klase të re politike, humbet 4-pale zgjedhje dhe as që “i shkon ndërmend të japë dorëheqjen”. Me sa duket i pëlqen refreni i tij i përsëritur e ripërsëritur:
- Pse tê zbresë kur jam mbi kalë?...
Jo ore jo unë s'jam i marrë!...
Kur e mori Partinë Demokratike, të gjithe e kujtuan një djalë të mbarë dhe të qeshur, të mirë dhe të shkolluar jashtë me një kulturë perëndimore dhe i dhanë besimin dhe shpirtin militant.
Atëherë, pse ndodhi e kundërta?... Demokracia e brendshme në PD jo vetëm nuk u përmirësua, por u përkeqësua edhe tej Berishës.
Po më pas?...
Pse të ndodhte kështu?...
Menjëherë sa e mori partinë apo ja dhanë pak rëndësi ka, Basha filloi të shndërrohej në një autokrat dhe “ hakmarrës “ ndaj figurave që kishin një histori të gjatë në PD. Filloi spastrimi I heshtur e mbase tinzar kundërshtarëve politike, pikërisht i atyre që mund t'i bënin hije "lartësisë kryetaruce"!...
Pra, qëllimi nuk ishte reformimi dhe hapja e PD-se dhe shndërimi në një parti të re ndryshe, por ngrirja e partisë, tkurrja dhe kthimi në një ndërmarrje private fitimprurëse. Kështu, si në zboret e ushtrisë, u dha komanda:
- Prapa ktheu demokraci e brendshme!...
Në vend të rikrijonte një model që e kishte tashmë aplikuar partia, siç ishte K.O.P ( Komiteti i Orientimit të Politikave ), që tek e fundit e katakultoi në politikë, ai zgjodhi të përjashtonte mendimin ndryshe, dëbonte personalitetet e PD-së dhe të mbyllte gradualisht PD-në në disa figura “ jo të pëlqyeshme “ për elektoratin shqiptar dhe anëtarët e sinqertë të PD-së.
PD u kthye në Parti autokrate, gojëmbyllur dhe vetëm militanteske. Përfaqesuesit e PD-së që dilnin në ekrane vetëm shprehnin dhe recitonin mllefin dhe politikën e mohimit të gjithçkaje e më keq përsëritnin të thënat e të stërthenat poshtë e lart nga kryetari dirigjent.
Keq më vjen, por jam i detyruar që edhe unë, ashtu si hijet e tij me kostume të vjetëruar, të përsërit fjalët e dikujt nga larg. Kuptohet pakëz me ndryshe nga "çadrat" e tij puthadore. Dhe ja çshkruante ai i largshmi e i afërti njëheraz tek poezia Papagalli:
Pendët i janë shkurtuar,
flatrat i kanë rënë,
shumë fjalë ka mësuar,
por pak fjalë për të qënë...
Ja keshtu, por s'duhet keshtu!...
Commentaires