Nga Pajtim Çaushi
Karroca e jetës s'qëndron
Kur largohej për një farë kohe prej vendlindjes, nuk e ndjek dot nga afër rrjedhën e jetës. Kjo është e kuptueshme pasi jeta është karrocë që s'ndalet kurrë. Udhëtarët e saj ndërrojnë, ndërsa ajo vetë jo. Këtë moskapje të ritmit të jetës e ndien porsa rikthehesh rishtas në qytetin tënd. Ndodhesh para të papriturash jo të këndshme dhe stepesh nga ndryshimi aq i beftë i regjistrit të gjëndjes civile. Nuk sheh më shumë fytyra si dikur të bëjnë xhiro në Qendër apo Buar, të qëndrojnë ulur tek rrethori i rrapit apo tek pezuli i dritares së librarisë së Izetit.
Trishtimin ta shton edhe më tepër momenti kur ndodhesh tek varrezat e Konispolit tonë të hershëm e të bukur. Varre të rinj. Nga fotot e pllakave të mermerit të vështronë ata që ke lënë gjallë, shokë e miq të mirë e të respektuar.
Kështu më ndodhi edhe mua kur u ndodha përballë emrit e banesës së përjetshme të njeriut të cilin e mbaja si model mirësie, Bino Goxhai.
Cilët qenë dy portretet e Binos?
a. Portreti fizik: emri i plotë Beniamin, por të gjithë i flisnin shkurt Bino. U lind më 14 qershor të vitit 1933 në Konispol Fisi i Goxhenjëve ishte nga më të respektuarit në Krahinën tonë. Familje e ditur dhe atdhetare. Pamja e tij ishte e hijshme. Fytyrë bardhoshe e buzëqeshur, e shëndetshme, me flokë të plotë, trup i mbajtur mirë dhe mbimesatar,
b. Portreti shpirtëror: i qetë, fliste me zë të ulët. Nuk mbaj mend të jetë nxehur apo të bërtiste ndonjëherë. Binua nuk dinte të shante e të ofendonte. Përherë i ekujlibruar.
- Ngadalë o njeri, merre shtruar se fjala të lidh e fjala të zgjidh, - i thoshte ndonjë të nxituari kur hanin drekën nën hijen e Arrës së Rrahut gjatë kooperativës.
Bino Goxhaj ishte i zgjuar dhe mendjekthjellët. Në kohën e monizmit dinte ta vlerësonte drejt jetën, marrëdhëniet dhe qëndrimet mes individëve.
Gjatë pushimeve të verës, ne nxënësit e shkollës, shkonim në punë për të nxjerrë ndonjë lek për librat dhe veshjet të cilat na duheshin në shtator. Një nga kooperativistët që nderonim e respektonim më shumë ishte Bino Goxhaj. Na dukej shumë i dashur e veçanrisht fisnik në sjelljet dhe fjalët e tij.
Një mëngjes disa anëtarë të rinj në brigadë i kërkonin brigadierit të thirrte menjëherë për llogari para tyre normistin e sektorin pasi ankoheshin se u kishte humbur disa ditë pune. Pasi shfynë e bërtistën dhe brigadieri as ua vari fare, Binua foli me qetësinë e tij fisnike:
- More djem, qetësohuni, mos e merrni me revan... Mësoni se jeni të rinj, gjithmonë vete i eturi tek kroi, jo kroi tek i eturi...
Të gjithë e dinin: normisti ishte i përkëdheluri i kryetarit.
Familja e Bino Goxhait
I ati Xhevdeti dhe e ëma Fejzieja qenë njerëz të nderuar jo vetëm në lagjen e Shehatit, por në gjithë Konispolin e fshatrat rreth tij. Punëtorë, të pavarur, humanë, të ndershëm.
Lindën tre djem: Binon, Zylfon, Nazarin dhe katër vajza: Zeliha, Lude, Afërdita dhe Myzejenin
Nga fëmijët Xhevdetit dhe Fejziesë kam patur rastin të njihja Afërditën dhe të kisha shoqe klase, por edhe të afërm si motër, Myzejenin. Pa e zgjatur, them se të dyja motrat qenë modeli i vajzave të kulturuara dhe të edukuara në veprime e në sjellje. Myzejeni ishte nxënëse shumë e mirë dhe lexonte vazhdimisht letërsi artistike.
Binua u martua me Lirinë, një grua e qeshur, e shoqërueshme, e respektuar dhe e emancipuar për kohën. Binua dhe Liria e plotësonin shumë bukur njeri tjetrin.
Ata lindën dy vajza: Nadirenë, Anetën dhe dy djem: Arbenin, Shkëlqimin.
Duke qënë se isha mesues në shkollën e mesme të Konispolit, pata rastin t'i kem nxënës të katër fëmijët e Bino Goxhait.
Nuk thonë kot: bëmë baba e mama që t'u ngjajmë. Fëmijëve të Binos e të Lirisë nuk mund t'u gjeje asnjë cen e mangësi, qoftë kjo edhe më e vogla, në qëndrimet e sjelljen e tyre. Të qetë, të dëgjueshëm, të qeshur, të respektuar, të sinqertë, shembullorë në gjithçka që mund të ketë njeriu. Edhe fëmijët e tyre të tillë janë, si prindërit, si gjyshi e gjyshja....
Mjaltin e prodhon bleta, jo areza...
Bino Goxhai ka qënë njeri i punës. Jo thjeshtë se punonte shumë, por edhe fakti se ishte merakli i punës. Kur brigadieri në kohën e kooperativës, donte t'i bëhej një punë e saktë e pa mangësi, këtë ia ngarkonte Binos me fjalët:
- Ik në filan vend... e di vetë ti si ta bësh...
Binua s'donte këshilla e kontrolle. Vetëdijen e punës e kishte në shkallën më sipërore që mund të mendohet.. Kurrë nuk harronte punën për fjalët e llomotitjet boshe.
- Mjaftë folët, futjuni punës, nuk e ziejnë fjalët pilafin, thoshte ai dhe shkonte vetë i pari pranë punës.
Këtë tipar madhor të tij e tregoi koha postkomuniste kur në plan të parë doli ekonomia e tregut. Pas vitit '90 Binua e ndieu veten të lirë për të shfaqur plotëssht veten si mjeshtër i punës,. Baçja e Goxhenjëve ishte me emër në Konispol, por kooperativa si çdo gje edhe atë e rrënoi. Kur iu kthye rishtas të zotit, Mjeshtri Bino e rinoi dhe e bëri një kopsht parajse.
Binos i zinte dora për shumçka, por veten e ndiente të plotësuar si mjeshtër në pemtari.
Porosi të vyera për cilindo
Fëmijët e Binos vijuan dhe vijojnë traditën e familjes së tyre fisnike. Për shkollimin e tyre ai dhe Liria nuk u kursyen asnjëherë. E vlerësonin lart arsimin dhe dijen. Në mbledhjet e prindërve në shkollë Liria thoshte:
- Pak vlejnë sytë nëse mendja është e verbër...
Meraku i Binos për pasardhësit shprehej tek dëshira njerëzore për t'u ngulitur dashurinë për punën. Këshilla e tij vlen për çdo brez,. Ajo ishte e thjeshtë por e vyer:
- Dora e zënë nuk kërkon lëmoshë, tregonte Binua për t'u thënë se puna asnjëherë nuk të lë pa bukë e mirëqënie.
Durimi është dera e gëzimit
Ky nëntitull është për djemtë dhe nuset e familjes së Bino Goxhait. Ashtu si foshnja nuk mund të ngrihet menjeherë në këmbë posa lind, edhe suksesi i biznesit të dy vëllezërve Goxhai, Arbenit dhe Shkëlqimit, nuk erdhi menjëherë. Ata e nisën punën në krye me një punishte të thjeshtë për përpunimin dhe nxjerrjen e vajit të ullirit, ndërsa sot kanë në punë një fabrikë moderne me prodhim vaji cilësor e të shëndetshëm i cili qarkullon kudo në Shqipëri e më tej.
Krah tyre edhe Etleva dhe Albana, dy nuset e tyre si shkëndi të cilat i rrinë punës mbi kokë. Dhe kur ke vullnetin dhe talentin, zgjuarsinë dhe trashëgiminë, besimin dhe durimin atëherë hapet e shkëlqen porta e gëzimit dhe e suksesit.
Ja, kështu brezat i kalojnë virtytet njeri tjetrit duke sjellë risi e lumturi për veten e për të tjerët.
Bino Goxhai ndërroi jetë më 24 qershor 2018. Emri dhe fjala e tij janë gdhendur qartë tek pasardhësit e denjë që la pas...
Comments