Në vitet e pluralizmit, ndeshim një fenomen që po bëhet masiv, ku njerëz pa identitet, pa dinjitet e pa personalitet, të zhytur në delirin e madhështisë, në emër të lirisë dhe demokracisë, nga hiçi, duan të kthehen në personazhe, e pse jo edhe në protagonistë shoqëror.
Në fillimet e demokracisë ata u shfaqën si rrëke, e dalëngadalë, kanë formuar një lumë të rrëmbyeshëm, që ka dalë nga shtrati dhe po rrezikon të përmbytë hierarkinë e vlerave të krijimtarisë në të gjitha fushat: në politikë, në ekonomi, në administrim, në shkencë, deri në krijimtarinë letraro-artistike me metodat e kusarisë.
Motivi i tyre është: mblidh, vidh, korr e mos lidh. Njerëz që s’kanë ditur të shkruajnë dhe as të lexojnë qartë gjatë jetës së tyre, tani në demokraci, mbase edhe në pleqërinë e tyre, u është mbushur mendja se mund të bëjnë karrierë, të marrin tituj shkencorë e medalje, të botojnë poezi e romane, pra, të bëhen të famshëm dhe të lënë gjurmë në të sotmen dhe të ardhmen.
Kjo dukuri doli sheshit gjatë kohës së demnstratave të studentëve gjatë dhjetorit 2019, kur me këmbënguljen e tyre, për të verifikuar titujt shkencorë të profesoriatit universitar. Atëherë u evidentuan shumë tituj shkencorë të vjedhur dhe të shitur si krijimtari e tyre, për të fituar apo konsoliduar titujt shkencorë, për të siguruar poste dhe, sigurisht, rrogat e majme.
Por unë në këtë këndvështrim do të merrem kryesisht me krijimtarinë letrare, për të cilën sot janë në shërbim të tyre dhjetra shtëpi botuese, gazeta, faqe letrare, portale, grupe, unione kombëtare e ndërkombëtare, pa përmendur fushën e pamatë të Facebook-ut, të cilat, pa përjashtim, botojnë ç’u bie në dorë, bruto , pa asnjë kriter e kontroll cilësie.
As shtëpitë botuese, as portalet dhe as gazetat nuk kanë më redaktorë të mirëfilltë, por u afrojnë dhe rekomandojnë autorëve emra të njohur të tyre, për të vjelur para. Por sot, edhe redaktorët e njohur, mbase edhe nga vështirësitë ekonomike të tyre, pranojnë çdo gjë që u serviret. Bëjnë sikur i kontrollojnë dhe i joshin me fjalë të bukura, për t’u rritur ofertën klientëve të verbër.
Po ashtu gjënden edhe poetë apo prozatorë, të cilët u shkruajnë autorëve të librave parathënie, që nuk do t’i shkruante as Bjelinski për Pushkinin, Agim Shehu për Eseninin apo Dritëro Agolli për Pol Elyar.
NARCIZMI ose TE DASHURUARIT ME VTEVETEN
Të dashuruarit me vetveten, është një ves i neveritshëm, një virus i rrezikshëm që të skllavëron. Vetëngopja me lavdi, është ngushëllim i karaktereve të dobëta, pjellë e egoizmit dhe paditurisë. Vetëdashja, është një oqean i pafund, ku noton fantazia e marrëzive, ku derdhen rrëketë e mediokërve dhe lulëzojnë orgjitë e të patalentuarve. Ciceroni thotë se: “I dashuruari me vetveten, nuk ka rivalë".
Kjo dukuri është një mjegullnajë e shpirtvegjëlve që lumturohen duke jetuar me iluzionet e gjenialitetit, nëpërmjet egoizmit dhe narcizmit. Është kjo arsyeja që nisa të shkruaj këta rreshta, duke parë inondatën që i kanoset krijimtarisë, duke grabitur e plaçkitur çfarë ju del përpara, pa e ditur se e kujt është “ara” e si është mbjellë “fara”. Të shkruarit është një dhunti, që i falet dhe e fiton njeriu qysh në fëmini ose në rini, që mendja është pjellore e koha me diell. Njerëz me deficenca arsimore, kulturore, varfëri shoqërore, kanë filluar të rendin pas emrit, pas lavdisë, në vitet e demokracisë. Shumë poetucë e rrëfimtarë, që futen fshehurazi nëpër labirinthet e poezisë dhe prozës së botuar, si strucë, mbledhin e vjedhin çfarë ju pëlqen, e i bëjnë pronë të tyre.
Kjo tymnajë që ka mbuluar gjithë horizontin e krijimtarisë, është refleks i gjithë moralit të shoqërisë. Disa autorë grabitës, veprojnë me qetësi, se e dinë që s’do t’i lexojë njeri. Kjo nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe, se në Shqipëri vidhet çdo pasuri, para e flori, e s’dënohet njeri, pa folur më për poezi e tregime. Nga evidentimi i rasteve, vërehet një fenomen përgjithësues, se të gjithë ata që kanë kalëruar me vonesë në krijimtari, vrapojnë për të shkruar sa më shumë, duke gatuar bukën e poezisë me miell e me krunde të marra hua.
Kjo kategori krijuesish, janë ata që kanë arsim të cunguar, të konvertuar me diplomat e demokracisë ose që kanë arsim në degë të vendosura nga të tjerë e jo nga pasioni. Arsimi është fytyra e mendjes, thotë Bjelinski. Në mjaft nga ato të quajturat "poezi" ka vetëm grumbuj fjalësh "poetike" e stisje të sforcuara vargjesh, stërhollime dhe labirinthe pa kuptim, duke menduar se sa më shumë fjalë poetike të përdorin vend e pa vend, sa më hermetike fraza, aq më e fuqishme është poezia.
Mungon kategorikisht lirika, e cila është poezia e shpirtit. Në letërsi kemi vepra të krijuara dhe vepra të bëra. Veprat e krijuara janë produkt i frymëzimit, kurse ato të bëra janë mendime të stisura, që shpesh quhen poezi mendimi. Edhe poezia e mendimi do talent e përvojë. Poezia e mendimit do mjeshtra të prerjes së Migjenit e Kadaresë, që idetë t'i kthejnë në vargje poetike. Te veprat e krijimit, përshëmbëll lirika, autori e shikon objektin si dashnor, kurse tek ajo e mendimit e shikon objektin si mendimtar.
Të duket se gjithë shqiptarët sot janë poetë dhe të gjithë lexuesit kritikë, të cilët japin mendime superkompetente. Poezia e vërtetë ndjehet. Ajo nuk shpjegohet, pasi ndjenja nuk shpjegohet dot. As autori vetë nuk e shpjegon dot e jo më të komentohet nga çdo njeri. Për të, realisht, ka dy përgjigje: më pëlqeu(e ndjeva), s'më pëlqeu(s'ndjeva gjë). Poezinë e ndien edhe ai që s'ka bërë shkollë dhe nuk i njeh termat e mekanizmat stilistike dhe s'ka nevojë për shpjegime.
Nuk dua të paragjykoj në bllok. Ka përjashtime të gjenisë popullore në gjithë Shqipërinë, në të gjitha kohërat, që vjershat e tyre janë bërë pasuri e gjithë popullit. Në pemën e krijimtarisë, këto janë fruta të rralla, që i sjell koha. Në historinë botërore të letërsisë, ka gjeni, që janë me shkollë të mesme, siç është rasti i shkrimtarit të madh amerikan, Xhek London, por këto janë përjashtime dhe jo ligjësi. Fajtorë nuk janë vetëm autorët që i pjellin dhe i mbjellin, por edhe ata që i kultivojnë, lavdërojnë dhe botojnë.
Në shumë botime mediokre, gjejmë vlerësime me superlativa, elozhe qesharake, lavde të pamerituara, të adresuara nga shokë e miq, që bëjnë komente superkompetente, por edhe nga shkrimtarë apo poetë me integritet dhe me emër në fushën e letërsisë. Ky altruizëm intelektual, cënon rëndë hierarkinë e vlerave në letërsi dhe i hap trasenë parakalimit të mediokritetit krijues. Në përgjithësi poezitë e femrave janë perla e kryevepra në sytë e meshkujve dhe ata i bëjnë nuse me vello panegjirikesh…
Veç këtyre krijohen unione, grupe e shoqata krijuesish, të cilat joshin krijuesit mediokër për të botuar në faqen e tyre, të cilët vrapojnë për të zgjeruar njohjen e tyre në publikun lexues. Puna ka arritur aq larg sa edhe intelektualë me tituj shkencorë ndërmarrin botimin e antologjive me poezi apo tregime, duke bërë gjoja një konkurs, ku, midis lumit të prurjeve, do të zgjidhen më të mira për antologjinë. Dhe nga soroi i madh, si më “të mira”, zgjidhen ato të autorëve që afrojnë më shumë benefice.
Comentários