top of page
Search

Burrat venë në luftë.

Nga Hekuran Halili


Alush Taka, me parinë e Konispolit kishin thirrur në kuvend burrat e djemtë derë më derë. Nuk mungonte asnjë.

Sheshi para nënprefekturës, një godinë e vjetër shumë , ishte mbushur plot.

Nuk çaje dot mes atyre burrave e djemve të veshur me fustanella e xhamadan të bukur , të qindisur me merak, me feste të bardha në kokë që shkëleqnin nga dielli e pastërtia.

Të gjithë me armë në supe e pisqolla në brezin e leshtë e të gjërë edhe ai i qindisur si ylberi.

Krekosur,kapardisur, si veç ata.

Në këtë krahinë ,krenaria e krekosja nuk kanë të bëjnë me pasurinë ,fisin, por me atë që ke bërë e ke dhënë për derën tënde , për fisin, por më shumë për vendin tënd.

Dhe të gjithë kishin dhënë atë që detyroheshin dhe u kish dhënë mundësi Zoti, për vëndin e tyre të bukur, të rrallë, të lakmuar, shekullor ,që kur u zu bota.

Fjaloseshin , por mëndjen e cepin e syrit e kishin tek ballkoni i nënprefekturës, ku pritej të dilnin të parët e tyre, paria.

I pari u çfaq Alushi. Pas tij një djalëburrë me kostum allafrënga e borsalinë në kokë. I treti,,Dalani i Dalanejve, dhe në fund Emini i Kuçukajve , djalë mustaqedirsur , por vetëtimë, me flamur kombëtar në dorë. Zuri vend në cep të ballkonit e shpalosi flamurin dhe nis ta valëvit.

Alush komandanti ,siç i fliste populli, se kish qënë komandant i njërës ndër çetave më të mëdha e më trime në jugun e thellë ,Çamëri,në kohë të Turqisë, kish luftuar rreptë me ta, komandant i mbrojtjes së vendit në vitet 1913-1918, kur vendi u pushtua nga grek e italianë, i plagosur dy herë, me turq e grek, ndeu dorën në ajër drejt burrave.

Pllakosi heshtja. Burrat hoqën festet e leshta të bardha nga koka dhe e vunë në gjoks nga ana e zemrës, si shënjë respekti për të.

Respekt për këtë burrë të çartur që nuk kish kursyer asgjë për vendin e kombin, për nderin e flamurin!

Luftëtarët e burrat binden e urdhërohen jo me fjalë , por me vepra, me shëmbull personal.

Në këmbë trimërisht kish luftuar ai vet, çetën e ngriti me vëllezërit, djemtë e nipërit e tij, pastaj me burra të tjerë të krahinës, deri në dyzetë shpirt.

Vet e mbajti me armatim, veshje, të ngrënë e strehim, nëpër stanet e pronat e tij.

Asgjë nuk kish kursyer, as pasuri, as jetën, as gjakun. Një nip i kishte rënë dëshmor në përplasjet me andartë grek, një tjetër nipi e vëllai i ishin plagosur në këto luftëra, vetë dy herë.

I bëhej llafi dy këtij burri , mik i Ismail Qemalit, të cilit bashkë me çetën e Muharrem Rushit Koskalliut, edhe ai një tjetër komandant e trim legjendar i këtyre trevave, i vanë në Vlorë kur e ngritën flamurin e shpallën mëvehtësinë...?!

-Vëllezër ,djem, burra!- e nisi ai fjalën e tij.

- Jemi mbledhur për të kuvenduar dhe vendosur bashkërisht për çështje që ka të bëjë me fatin e atdheut.

Ju e dini se kështu jemi mbledhur vetëm në ngjarje të mëdha, sa herë që është dashur t’i dalim për zot vatanit, kur hasmi na ka ardhë tek dera, dhe në festën e madhe të flamurit.

Atdheu na do sot prap. Italiani mban të pushtuar Vlorën deri në Himarë dhe Tepelenë. Sazanin, nuk do ta lëshojë . Me thonjë e mba.

Qeveria e Lushnjës, me kryeministër delvinjotin tënë, Sulejman Delvina ,i ka bërë thirrje të gjithë vendit të marrë armët e ta shporrim.

Unë kaq kisha. Më shumë do dëgjoni nga i dërguari i qeverisë, nipi jonë , nga dera e shquar e Dinejve të Lopsit, Mazar e ka emrin, e mbylli ai fjalën.

Sheshi gjëmoi nga duartrokitjet, që thonin më shumë se çdo fjalë.

Ata burra ishin gati si përherë për të shkuar në luftë për vatanin.

Mes duar trokitjeve e mori fjalën Mazari.

Kish mbaruar studimet ne universitetin e Stambollit , ku kish edhe familjen, për ekonomi e diplomaci. Sulejman Delvina ishte mik me të jatin e tij dhe me të bërë qeverinë e Lushnjës, ja kërkoi mikut djalin , se vendi kish nevojë dhe ai ja kish dërguar.

Derë e madhe ajo e Dinejve të Lopsit e të Paramithisë.

Stërgjyshi i tij, Abedin bej Dinua, deri Ministër i Jashtëm i Perandorisë turke kish arritë, por e la detyrën e me Abdyl Frashërinë me shokë bënë kuvend të madh në Lidhjen Shqiptare të Prezrenit , për të shpëtuar tokat shqiptare nga coptimi në të katër vilajetet. Dardha bie nën dardhë. Si kish lënë gjë mangut stërgjyshit Mazari.

Me pak fjalë, por fjalë të peshuara me mend, ngrohura me zemër patrioti e atdhetari,,plot dituri e mënçuri, u foli për gjëndjen e vendit, për synimet e italianëve dhe armiqëve që lehnin rreth kufijëve të Shqipërisë, qëllimet e planet e qeverisë, për mbështetjn që po gjente ajo në të katër anët e vendit për të rrokur armët e hedhur në det ialianët.

Mbaroi. Në shesh pllakosi heshtja.

-Ky i bën shtëpi llafit- u dëgjua një zë i fortë burri.

Ishte zëri i Kupes , Kupe Sadushit, që të gjithë ja njihnin, se ai sokëllinte. Trupmadh, mbi dy metër i gjatë, me mesin sa bnaja rrapit, me duart putra ariu, luftëtar në të gjitha luftrat që kish bërë çeta e Alushit qëkur ish zënë.

Thonin, se ai vet kurrë nuk fliste për bëmat e tij, se me ato duar panxhë , kish mbytur shumë armiq zuazarë, kur i kishin mbaruar fishekët.

Thonin , si legjedë, se atë nuk e zinte plumbi.

-Ky i bën shtëpi llafit, aq fjalë, -përsëriti prap ai dhe fjala ju mbyt në detin e brohorimave e duartrokitjeve që mbuloi sheshin.

-Brravo., të lumtë, rrofsh, rroftë qeveria e jonë, rroftë Shqipëria..!

Dalani i Dalenejve, fis autokton e luftëtar den-babaden ne Konispol,stërgjyshi i të cilit kish qënë armik me Ali Pashën e Janinës e Turqinë, që kishte dhënë jetën në luftë kundër saj ,në Kretë, i bashkuar me kryengritësit grekë, dhe kretasit e kanë shpallur hero të tyre, i kanë bërë edhe bustin ku u vra, mori fjalën.

Ai u tha burrave se nga krahina do shkonin në luftë pesëdhjetë luftëtar, të ndarë në dy çeta.

Komandant i njërës çetë do të ish’ Alushi, ndërsa i tjetrës, një tjetër kapedan i madh, i atyre anëve, Muharrem koskaliu me derte.

Lista me emra luftëtarësh nuk ishte bërë. Për të gjithë ata që do të shkojnë në luftë, paria e zonës do t’u bëjë nga një uniformë nga koka në këmb, do t’u siguroj një kalë, nga një pushkë, municion dhe 20 napolonaflori ,për t’i lënë pas në familje.

- Kush dëshiron të vejë në luftë?, - e mbylli fjalën Dalani.

Sheshit u ngritën lart duart me pushkët e pisqollat në to.

Nuk mbeti njeri me dorën ulur.

Njerëzit e ballkonit u përlotën e u qafuan me njëri tjetrin. Edhe burrat në shesh filluan të përqaoheshin e brohorisnin.

Pastaj nga gjokset e tyre shpërtheu kënga...

Për Mëmëdhenë/

Për mëmëdhenë/

Vraponi burra /

Se s’ka me prit..

Pastaj ,këngë të tjera patriotike që kishin mësuar në shkollën shqipe të hapur që në vitin 1908, nga mësues Dine Rushit Halili.

- Hallall qumështi i nënave !- brriti i lotuar Alushi,- hallall!

Për Nanën Shqipëri!

Do vendosim ne si komision se kush do vejë e do ju njoftojmë një nga një, se të gjithë dot nuk vemi.

Duhemi edhe këtu, të mbajmë kufirin. Ujqit errësira e luftra duan. Në kufi kemi grekun që është gati të na sulet.

Tani shpërndahuni, e mbylli ai .

Burrat e djemuaria, grupe grupe sipas tarafit e miqësisë u shpërndanë nëpër kafenetë dhe dyqanet e sheshit ,që ishin mbi dhjetë.

Nisën bisedat për luftrat që kishin bërë, për trimëritë , për të vrarët e të plagosurit, për luftrat që i prisnin dhe flisnin për to sikur këndonin, pa ju bërë syri tërr .

-Burrat janë bërë për luftë,burrat i dalin për Zot vatanit, siç i dalin pragut të derës,burrat venë në luftë si në dasma, mendonte Alushi ulur tek tavolina e kreut, teksa rrufte kafenë me sytë jeshil që i lëshonin xixa…

Comments


bottom of page