Nga Neritan Ceka
Duke marrë pjesë në atë prezantim që bëhej nga vetë ministrja Margariti, unë ja shpjegova qartë se Butrinti nuk ka qenë grek, por epirot, sepse gjendej në Epir; pastaj edhe kaon, sepse gjendej në Kaoninë antike, dhe pastaj, edhe prasaib, sepse nga mbishkrimet e gjetura nga arkeologët rezulton se ishte kryeqyteti i një bashkësie të vogël politike, të njohur si Koinoni i Prasaibëve. Por duke qenë se një studiues shqiptar, si puna ime, i dukej zonjës ministre inferior ndaj një babloku englez, që e kishte cilësuar Butrintin si grek, ajo vendosi që teza e Butrintit epirot, kaon, apo prasaib, ishte e pabesueshme. Ky ishte një mesazh për bashkëpuntorët e saj, që as u merakosën fare edhe kur tek sajti i UNESCO, Butrinti figuron edhe sot e kësaj dite si grek.
Për më tepër, në një sajt të Ministrisë së Kulturës ata e konsideruan edhe Amantian si qytet grek, sepse kështu ishte shkruar te Wikipedia. Si duket vorioepirotët nuk u kënaqën me kaq pak dhe në një dokument tjetër të Ministrisë së Kulturës, që quhet “Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Arkeologjik të Bylisit”, edhe ky qytet konsiderohej si i themeluar nga grekët, kishte pasur vetëm një periudhë greke dhe romake, njëlloj si Butrinti, kishte lidhje vetëm me Epirin dhe Maqedoninë, që natyrisht konsiderohen si greke, dhe administrohej me ligje greke.
Edhe në këtë rast, si me Butrintin, plani ishte përgatitur nga arkeologë të huaj, sepse arkeologët shqiptarë që punojnë nga 1978 deri sot në Bylis, konsiderohen nga Ministria e Kulturës si inferiorë, arkaikë, folklorikë, nacionalistë, pra jo trendy si kolegët e tyre englezë dhe italianë që e kanë parë Bylisin vetëm nga Google dhe Wikipedia. Pra, që ta mbyll, problem jemi ne vetë dhe jo të huajt që bëjnë gallatë me identitetin tonë historik. Të paktën le të vijnë në Butrint dhe të shijojnë monumentet e mrekullueshme. Ç’rëndësi ka se kush i krijoi! Sa për VORIO-EPIROTET, fundja-fundit le të vijnë edhe ata në trojet imagjinare të të parëve të tyre!
Neritan Ceka.
Comments