top of page
Search

DASHURIA GJITHMONË ME ASNJË VARIANT TË HUMBJES

Nga Zade Kuqi

Ngjarjet, pasojat, heshtja, filozofitë, shpirti i njeriut, të gjitha kanë rreziqe të interpretohen gëzueshëm sinqerisht ose trishtueshëm nga qenie e ironi të dyzuara.

Vetë njeriu shpesh është enigmë e pakapshme.

Nganjëherë i përngjanë qiriut të mbytur në lotë, nganjëherë i përngjanë një humnere, ku bien ujërat e pellgut të natës që mbretëron mbi vend. Nganjëherë i përngjanë dashurisë dhe atëherë duket gjithë natyra e bota e gjallë ka festë.

“Dashuria ndodhë në çdo çast”, mendoi ajo me vete, gjersa hurb kafenë, aty përballë burrit që rri me një fytyrë plot gaz, por disi duke fshehur pikëllimin e tij thellë syve të zinj, në lokalin nën blinj.

“Dashuria ndodh në çdo çast”...të njëtën gjë mendon edhe në mëngjes, derisa mpreh majën e lapsit të zi, me të cilin rregullon vetullat dhe nuk di pse ajo harkorja qimengacmuese mbi sy, harkore hënore që krijon paqe apo nuk kthen prapa një luftë që mund të plas, e fut edhe më shumë në mendime.

Burri përballë që pas porosisë i sjellin një birrë, fillon të pijë, duke vështruar, herë pas herë gruan afër tij. As vetë ai nuk e di çka quhet harmoni, paqe, mirëqenie... kur pushon brenda tij ajo hëna, herë gjarpër, herë dallgë oqeani në shtrat dhe, në të vërtetë, në shtrat sheh vetëm një skulpturë nga allçia e ftohtë dhe gati krejt pa gjymtyrë. Prandaj begenis të mos hap gojën fare.

Vitet e gjata të njohjes dhe harresës i kanë lënë në zemër një gjurmë dhimbjeje në formën e një patkoi.


E merr paksa fëmijëror këtë simbol sipërfaqësor fati. Për ç’fat mund të bëjë fjalë një diçka që ka nxjerr rrënjët dhe ia ka zënë dielli?

Ajo, ashtu disi nga bisedat e herëpashershme me të, ndërtoi një lloj mozaiku për kohën e tij të kaluar. Një kohë e plumbtë. Por tashmë ajo ka hallin e saj.

“Dikush që më ka sëmbuar zemrën, nuk më shkruan më!”

Ajo në atë lodhjen e saj që nuk i largohej kurrë, priste për të natë e ditë! Por nuk shkruhet dhe sa më shumë që kalon koha, gjërat i bëhen edhe më të mjegulluara. Po rritet një bar që s’do e ha askush dhe as nuk do e kosis asnjeri. I erdhën shumë pyetje që nuk presin përgjigje dhe ato pyetje sikur bëhen të gjalla e sa shumë ndjenë mundim! Por për mundim shtohet dhe përgjigja, e cila nuk vjen akoma më hiç.

- Sa do të mund të zgjasë sëmundja?- i rrodhi pyetja prapë e ndjeu një lloj dobësie brenda vetes, përzier me prishje të ekuilibrit mendor.

- Kush e di- mendoi duke rënkuar. Është një sëmundje e rrezikshme dhe jo dosido. Një sëmundje, kur shiringu është i mbushur, të thuash, gjysma me ilaç të mirëfilltë e gjysma me helm.

Mendjen dhe zemrën nuk i fut dot në të njëjtën rrugë. Mendja e mbanë ulur këtu, humbur mes mjegullash të mëdha e paqartësie të shpeshtë, ndërsa brenda në zemër ndjenë një lloj gunge që sapo i ka gufuar dhe po e tërheq përpara, të mos ndalet.

- Sa të pafuqishëm janë ata që durojnë e presin pa një gjë të qartë! - Do të flasë tutje, por nuk arrin; ndjehet si i sëmuri, lidhur për shtrat. Mundohet të ngrihet; i duket si ngushëllim, nëse do të mund të ngrihet e të ec.

Pastaj ndërron mendim dhe i fol vetes, “ jo, rri, qëndro; je në mes të frontit dhe nuk guxon të largohesh.” Zë kokën me duar dhe hedh sytë tutje-tutje. “Nga fronti nuk ka largim, ka arratisje dhe në rast se vendoset për arratisje, do të ketë ballafaqim me pasoja që i zë pamëshirshëm ndjekja ligjore ushtarake.” Shikoi ato ca piktura dhe për herë të parë ju duken kaq abstrakte!

Si nuk e ka shikuar brendinë e tyre më qartë dhe tash e mundojnë ato ngjyra dhe nuanca pa fund të një duzine bojatisjesh me të mugët, të hirtë, të zverdhtë...”ngjyra të sëmura”.

- Në front jam, - vazhdon ajo dialogun me vetën e saj të dytë, - por mund të qëlloj të jem mes dy betejash dhe mund të kem të drejtë ta ndezë një duhan! Pastaj mund të vonojë ta kuptoj se mbaron lufta, ndërsa do të ikin tutje disa trena e të mos e kuptoj që vonesa ime në kohë do jetë me pasoja për të gjitha organet e trupit dhe kjo situatë alarmante autoimune do vrasë pandërgjegjshëm ndërgjegjen, sepse nuk do ngrihet akuzë mbi mjekun, akuzë mbi pasqyrën që nuk jepë pamjet reale, kurse ajo vetja e dytë brenda qenies, me gojën së përtypuri gjithmonë diçka, do të qeshet e qeshet.


Por ajo e shpirtit nuk duhet të vjen në asnjë variant në dyshim ose nuk duhet të vjen në shprehje të bart pasoja, të jetë fajtore, as imagjinare. Gjëja më e mundimshme për të është fakti se gjithë qenia e saj e kërkon atë. Çdo gjë brenda saj e kërkon mizorisht atë.


Ndërsa ai është rrudhur brenda gëzhojës së një kërmilli dhe lëviz plot mund ditëve të tij. Drita që ia ushqen shpirtin, sikur po fiket çdo herë e më shumë, dhe ai, që ta mbajë të ndezur atë dritë, me të cilën ushqen shpirtin e tij, se nuk bën ndryshe, llampës ia mëkon jetën e ndritjes, duke ia lënë fitilin e saj në damarët e tij.



Comments


bottom of page