top of page
Search

Deputetët që do na mbijnë nga xhepi i Kryetarit

Nga Tanush Çaushi


Në Shqipëri sistemi aktual që aplikohet është ai proporcional rajonal, por me lista të mbyllura. Kjo dmth se votohet për partitë dhe jo për individin.

Në dakortësimin e fundit midis partive politike, më tepër energjia u përqëndrua tek administrimi zgjedhor dhe tek sistemi i identifikimit të zgjedhësve.

Edhe pse këto janë të nevojshme, ajo që është bërë kohët e fundit si "Thembra e Akilit", është ndryshimi i sistemit zgjedhor nga sistem me lista të mbyllura në lista të hapura.

Shumë diskutime publike u kanë bërë për këtë çështje, por në asnjë fjali nuk u përmend as nga Mazhoranca apo opozita. Ky problem u anashkalua si të ishte pa vlerë. Kë përfaqësojnë këta poltikanë? Si ka mundësi janë të pandjeshëm ndaj kërkesave të shqiptarëve? Reforma e 2009 nuk ishte gjë tjetër veçse kthim mbrapa për demokracinë.

Pse nuk u bë një analizë për situatën e parlamentarizmit dhe deputetët skandalozë që kemi?

Nga erdhën vallë këta pseudoparlamentarë? Përgjigjja e thjeshtë:

- Nga listat e mbyllura.

Po përse do na duheshin konkretisht ne qytetarëve listat e hapura dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor?

Janë shumë arsye, Po ju rendis disa prej tyre:

Cilësia e të zgjedhurve

Nëse do të shikojmë praktikisht në parlament kemi deputetët "rezerve" të listave të mbyllura.

A mund të themi se përfaqësojnë nivelin tonë mesatar intelektual?

Mendoj se jo. Janë poshtë nivelit mesatar.

A janë deputetët e Top Listës që janë aktualisht në parlament apo ata që e braktisën, dinjitozë dhe me nivelin tonë mesatar si shoqërisë?

Aspak do thosha.

Pra listat e mbyllura, kanë ulur cilësinë e të zgjedhurve në Parlament.


Përfaqësimi i komunitetit

Nisur nga mënyra si zgjidhen, këta deputetë nuk vijnë si pasojë e lidhjes me komunitetin dhe vlerave të tyre në të. Ata nuk janë figura përfaqësues të zonës apo qytetit, por shpesh figurat nga më negativet. Pra ky lloj sistemi humbet lidhjen e përfaqësuesit me komunitetin.

Interesat komunitare nuk përfaqësohen në Parlament, por ato partiake dhe të ngushta. Pra, është humbur lidhja e politikës me komunitetin.


Mungesa e Programeve dhe konkurencës

Ky lloj niveli parlamentarësh bën që mos të kemi përgjegjshmëri për votën në Parlament. Shikojmë votime masive dhe nuk ka debate, platforma që vijnë si rezultat i problemeve të ndryshme komunitare.

Konkluzioni

Te gjitha keto e shumë të tjera, bëjnë qe te kemi nje Parlament joproduktiv dhe joeficent. Fatkeqësisht edhe opozita shqiptare nuk e bëri si axhende të vetën këtë nevojë dhe dëshirë të shqiptarëve dhe të fitonte pikë politikisht tek e fundit.

Përkundrazi, preferoi të ruante statuskuonë dhe " rehatllëkun".

Mos ndryshimi i këtij sistemi do të vonojë shumë progresin dhe zhvillimin e vendit dhe zhvillimin e demokracisë në përgjithësi.

Njerëzit do demoralizohem më shumë dhe do braktisin edhe më shumë zgjedhjet.

Ndoshta këtë gjë kërkon Mazhoranca, mospjesëmmarje të elektoratit gri?

Po opozitën nuk po e kuptoj dot me këtë lloj qëndrimi? Pse është dakort ajo të zgjedhin deputetë " mavri me bojë"?

Lum si neve për deputetët që do na mbijnë nga sirtaret e partive per zgjedhjet e vitit që vjen.

Deputetë, jo nga vota e popullit, por nga xhepi i kryetarit.

Tanush Çaushi




Comments


bottom of page