top of page
Search

Derisa COVID 19 të na ndajë nga forca e zakonit e të na mbajë të bashkuar në shtëpi


Nga Gladiola Jorbus

Dhe u desh coronavirus-i, që krejt papritur, bota të heshtë. COVID-19 është sëmundja infektive e zbuluar më së fundmi, e shkaktuar nga koronavirusi.


Si virusi i ri, ashtu edhe sëmundja shpërthyen në Wuhan të Kinës, në dhjetor 2019.

Tashmë, njerëzit në të gjithë botën janë izoluar në shtëpitë e tyre duke larë duart me sapun, me higjienizues e alkool, a thua se po kryejnë një ritual hyjnor e blatues që do t’i shpëtojë nga kërcënimi më i madh i njerëzimit sot, një armik i padukshëm, që të vret nëse depërton brenda teje.


Të gjitha qeniet njerëzore duhet të ruajnë të paktën 1 m distancë nga njëri – tjetri, në mënyrë që të mos infektohen a të mos e përhapin infeksionin.

Ndërkohë planeti ofron një spektakël të mrekullueshëm. Në qiej sundojnë zogjtë, jo avionët. Në det mbretërojnë peshqit, janë minimizuar zhurmat, tronditjet, shqetësimet e përditshme. Duhet të ndodhte e gjithl kjo ‘luftë’ për të na rikujtuar se nuk jemi veçse të ftuarit, dhe jo zotërit e kësaj toke.



Madje dhe termi ‘qytetar i botës’ humbi krejtësisht kuptimin e tij, gjatë këtyre javëve me kufij të mbyllur, që po shndërrohen në muaj. Me sa duket - karantina është vendi i zakonshëm, ku shijojmë kafen e pasdites, kurse maskat dhe dorezat - mund të konsiderohen trendi Primavera 2020, kodi i ri i veshjes së qytetarëve në rrugë.


Nuk mund të thuash që nuk ndien frikë a panik, teksa dëgjon shifra marramendëse personash që kanë ndërruar jetë; jetë që shuhen pareshtur, pavarësisht moshës a gjendjes shëndetësore.

Një njeri që ikën nuk kthehet më pas, largohet përgjithmonë nga kjo tokë e bukur, që kohët e fundit jemi të detyruar ligjërisht, ta shkelim me orar.


Me boshatisjen e hapësirave publike, me pulsimin e një tjetër ritmi, me një mirëqenie të vendosur në pikëpyetje e që rri pezull në ajër, me izolimin e detyruar, e shpeshherë me vetminë e imponuar — për shkak të frikës nga infeksioni, me ndaljen në vend të veprimtarisë ekonomike, shoqërore, sociale, duket sikur për një çast bota ka ndalur rrotullimin. Ky izolim obligues ne shtyn të reflektojmë, të rikonfigurojmë kuptimin, vlerat dhe drejtimin e jetës. Çfarë ka në të vërtetë më shumë rëndësi për ne?!


Në përfundim të kësaj lufte, si në çdo luftë tjetër do të numërohen viktimat, humbjet, dëmet. Sigurisht që paralelisht gëlojnë dhe teoritë konspirative, manipuluesit, fake news-et që mjegullojnë të vërtetat. Shumë njerëz do të lëndohen nga e gjithë kjo histori, nga mungesa e të dashurve të tyre, pamundësia për t’i riparë, por duhen nxjerrë mësime.


Mësime të vyera nga kjo eksperiencë e trishtë, e hidhur, angështuese që gjithsesi ka një aleat - teknologjinë; kjo e fundit të paktën po na ndihmon të lidhemi me ata që na do zemra, të punojmë nga shtëpia ose thjesht të vrasim kohën.


Mësimet e sipërpërmendura duhet të shërbejnë për të orientuar njerëzimin, përgjatë vijimësisë së shekullit XXI. Në fund të fundit asgjë s’është më e rëndësishme se dashuria për njëri-tjetrin, solidariteti, mirëkuptimi, mirënjohja apo dashamirësia.


Dhe si në përmbyllje pason një lutje për të Plotfuqishmin, Zotin e botës, qiellit e tokës që ky makth të marrë fund sa më shpejt, e njerëzit të rikthehen në monotoninë e tyre më të ndërgjegjshëm e më të përmbajtur se më parë.

Comments


bottom of page