Autori: Shënim i Shtëpisë Botuese STREHA - Tiranë
Shtëpia Botuese STREHA në Tiranë ditët e fundi botoi vëllimin poetik DIELLI DHE DIEJT E RREMË të shkrimtarit Pajtim Çaushi.
Mendojmë se është paraqitje dinjitoze e një libri me vlera të shumta artistike dhe mesazhore. Idetë që përcjellin poezitë e këtij vëllimi i kapërcejnë kornizat kohore të bashkëkohësisë duke trokitur në portat e të adhmes.
Struktura e librit paraqitet me Vetparathënie dhe nëntë cikle me poezi. Në vargjet e poezisë hyrëse të librit "Psallme murgu në sikur meshë" jepen titujt e të gjithë cikleve poetikë. Kjo për të paraqitur të përmbledhur tek lexuesi brendinë dhe ndërtimin e kësaj ngrehine poetike. Konkretisht: nëntë vargje me nëntë titujt e cikleve:
Psallme globi në sikur meshë
Në tregun e ëndrrave vinë
sinjalet nga gjallesa të tjera...
I thonë vetes e të tjerëve
vodhën diellin,
vodhën detin tok me dhera...
Jetën njeriut e njeriut jetën...?
Dashurinë që shkrep si flesh
falja tjetrit si të vetën...!
Psallme globi në sikur meshë...
Nëntitulli i librit është "vargje në vite" dhe lidhet me vetparathënien. Tek kjo e fundit jepet dilema shumëvjeçare e poetit në formës e dilemës ekzistenciale hamletiane:
"Ç'të bëjë ngjizësi me pjellën e vet,
ta mbajë a ta hedhë?
Jetë a jojetë si princi Hamlet..."
Pas "protestës" së vargjeve, poeti i hedh tek lexuesit me këshillën e sinqertë:
"... I nxorra,
kush dëshiron le t'i marrë,
veç pluhurit mbase gjen dhe ar..."
Libri është i pasur me larmi vargjesh dhe figurash stilistike origjinale. I urojmë udhëtim të mbarë edhe këtij botimi të ri të autorit Pajtim Çaushi.
Tiranë, mars 2023
Tri poezi nga vëllimi "Dielli dhe diejt e rremw"
Jam si flakë rrufeje
Në vegime,
çaste dritash a humnerash
shtriva krahët dhe kërkova,
kapa jetën,
fort e shtrydha.
Iu luta të më falte
gaz jete, farë Khajami.
A e dini çfarë më tha
pa përfillur frikë e famë...?
- Unë jam si flakë rrufeje
në mijëvjeçarët e pafund
ku do të shtrihesh i vetmuar
si një lëndë pa shpirt e dritë...!
12 nëntor 1971
Jeta në abort
Kur më dëbove prej klithmave të tua,
mendova se rinia ime një abort qe,
kryeposhtë ktheva skemën të dua,
dyshova se nënta s’pjestohet me tre...!
S'qenë ulërima me munxa të shortit,
as revoltë uni si fyshkëllimë pyjesh...
Qenë shfrymet e tua si tekat e motit,
oj arushë gjahu me vello dritë yjesh...!
4 gusht 1984
Curriculum për hierarki...
Vetja - kryemoda e kohës sonë
me gjyshër e stërgjyshër olimpik,
me etër të llastuar si dëshmorë,
me emtat që garojnë me hyjnitë,
me bijtë që pjekin art në flakë letre,
me bijat që në gojë shkrinë qirinjtë,
me mbesat që rigjetën prapë perçe,
me nipat ylberistë që rritin gjinjtë...!
A duhet tjetër për krye të kreut...?
Hapi portat e rënda ti o panteon...!
Në ndenjëset bosh krimbat e dheut,
ata që mbjellin grurë e korrin rigon...!
Hija pa hije Nder i Kombit, Vigan,
megjithëse jetëpupël porsi gogël...!
Të fundmin e radhës Mjeshtër i Madh,
për gjindjen s’qe as mjeshtër i vogël...!
19 maj 2011
Comments