top of page
Search

Dimër në Stokholm

Dimër në Stokholm


Ditët e dimrit mbi rrugë,

si fletëza akulli shtrohen.

Petkat lyej me dëborë

E mbështillem me dashuri.

Foleza e puthjeve

nga ndrojtja çlirohet.

Kur shpirti prangoset

në krahët e tij.

 

Përrallëz


Kridhem në thellësirën e vështrimit tënd.

Vetëm aty mbushem me ajër, me frymë.

Strehëza ime, kur ëngjëjt flenë.

Qëndro pranë meje!

Shiu pëshpërit lutjen time...

Dua të të dëgjoj përrallën e zemrës.

Ashtu siç dëgjon bregu,

Përrallëzën e dallgës lozonjare.

 

Perëndimi i diellit


Perëndimi i diellit

ngjet me një fëmijë,

në krahët e nënës.

Ëmbëlsisht,

përgjumet mbi det.

Përralla, legjenda, të qeshura, gumëzhitje.

Të gjitha shkumëzohen….

Bëhen margaritarë, korale, kripë.

Dhe asgjë në botë

Nuk ka më rëndësi.

Si deti dhe perëndimi

Jemi unë e ti.

 

Zëra të trishtë


Zëra të trishtë

jehojnë nga amfiteatri i çudirave.

Pa tigra, luanë e gladiatorë.

Arenë boshe,

ku zemrat,

Për vdekje përleshen.

Ligjet e pashkruara të jetës.

Atij që mbi supe të shkel,

Këmbët do t’i puthësh.

Përtej Lindjes dhe Perëndimit,

I gjithë globi

është një amfiteatër sfilitës.

Me njerëz që urrehen nga muzgu

Në agim.


Anija e dashurisë


Anija e dashurisë po mbytet.

Nuk patëm kohë të zbrisnim.

Sa e çuditshme!

Deti,

me plotësinë e tij të pafundme

Nuk e nxë dot.


Flutur e trishtë


Me sy të zhytur në abis,

Si një e paftuar në shtëpinë e saj.

Lule molle,

me aromë dashurie të harruar,

si Migeni golsuorthian.

Një trëndafil shpirtpërgjakur,

me petale të fishkura,

I pajetë.

Flutura e trishtë

e dimrit siberian.

Pret vdekjen e paralajmëruar.


 









Torturë


Sonte,

ti nuk je me mua.

Mbrëmja i shëmbëllen

një psherëtime të përvajshme.

Vetminë rrëqethëse

Me kë po e ndan?!

Nuk ndihem xheloze.

Por e papërfillshme për ty.

E kjo, dhemb më shumë.

Oh, Zot!

Ç’torturë të mos jem asgjë në jetën tënde!

Të mungoj

Apo e ke përmbushur boshllëkun e kësaj dashurie të pafat?!

Në heshtje unë vuaj për ne.

Dhe psherëtima zgjatet në infinit.

Ti je një mallkim që pas vetes më mban lidhur

Me fijet e padukshme

Të një zhgënjimi gjithlëndues.

Rrekem të të harroj.

Por ia dal mbanë

Të fshij nga kujtesa

Gjithçka,

Që nuk ka lidhje me ty.

Veten braktis

Në ndjenjën time të jetuar përgjysmë.

Dhe hëna,

Mikesha e zemrave të dëshpëruara

më rri pranë,

në thellësinë e këtij vizioni.

 

Enigma e botës


Enigma e botës,

një dëshirë egoiste

Për të pushtuar njerëz, yje,

gjithësinë...

Trokitje zemrash,

si valë trishtimi regëtijnë.

E frymorët,

pakëz të marrë,

pakëz naivë.

Me vete flasin,

në një gjuhë të panjohur.

Për kallot shekullore

që s’dihet nga mbijnë.

 

Unë

Këmbëzbathur,

të ndoqa në rrugëtimin tënd.

Mes gjembash, në drizërishtë,

Vetveten harrova.

Unë,

një luginë e paprekur,

plot dëshira e ëndrra

Që përndiqnin horizontin.

Shërova dhembjet e tua,

mungesën e dashurisë,

padrejtësitë e padukshme,

kohën e humbur,

armiqësinë e kultivuar

në kopshtin zoologjik njerëzor.

E sheh, se si puthet shkëmbi

Me rrezen e diellit?

Si përqafohet liqeni

Me dritën e hënës?

Është kaq e lehtë

Të dashurosh.

Të dhurosh zemrën

Pa egoizëm.

Dhe jeta …

do të reshtë së qeni

një varg vegimesh të trishta.


Meduzat e vetmuara

Rreth nesh orbitohen.

Dashurinë të shtangin.

Më e thellë se humnerat

Se detet, se bërthama e Tokës

Është dhembja për emrin e

Harruar…


Comments


bottom of page