Nga Gladiola Jorbus
Aktualiteti i dhimbshëm që po përjetojmë ka sjellë vështirësi financiare për shtresa të ndryshme sociale, e sidomos për ato në nevojë. Me përkeqësimin e situatës së pandemisë në Durrës një grup biznesmenësh durrsakë:
Adrian Reci, Neritan Golia, Ilir Myshketa, Julian Berxulli, Ilir Xhani, Mir Bicaku, Llazar Tati, Orges Mullai, Julian Guce, Edison Sulejmani, Adnan Quku, Eli Baxheri, Edi Nallbani - Servis Horeka, morën inisiativën për të ndihmuar sadopak grupet më vulnerabël të komunitetit tonë, kryesisht atë rom dhe egjiptian.
Ditët e izolimit vunë në vështirësi jetike shumë familje të cilat gjenden në pamundësi financiare për të siguruar bukën e përditshme. Kontributi i bashkëqytetarëve biznesmenë, konsiston në dhurimin e bukës, në zonat ku ata jetojnë.
Që prej ditës së shtunë, ata po shpërndajnë një sasi prej 200 bukësh në ditë.
Mobilizimi dhe ndërgjegjësimi i këtyre bashkëqytetarëve të nderuar përforcon dhe ngre vlerat e qytetarisë durrsake dhe nxit solidaritetin e përbashkët.
Le të jenë nisma të tilla burim frymëzimi dhe ndërgjegjësimi për të gjithë shoqërinë, e akoma më tepër të vlejnë si model për mobilizim të vazhdueshëm institucional.
Comments