top of page
Search

Ditëlindja e hidhur e Fiqiri Meços

Nga Pajtim Çaushi


Para dy ditësh ka patur ditën e lindjes. Para disa ditëve pati natën e ikjes. Dhe s'kishte moshë për t'u larguar nga jeta. Këto që sapo lexuat nuk janë shprehje në përgjithësi për ndonjë të panjohur. Jo, është fjala për dikë që ka qënë mes nesh tani afër, por s'është më. Pra kujtojmë me trishtim të thellë të mirin e të dashurin tonë e të gjithë atyre që e njohën, Fiqiri Meçon. Njeriu që para pak ka kaluar të pesëdhjetat quhet i pjekur dhe i gatshëm për t'u përballuar me to papriturat e ekzistencës vetiake e familjare. Ndaj titulli i shkrimit Ditëlindja e hidhur ka brenda kontrastin në dukje të pakuptimtë, por në fakt shpreh paradoksin real për një jetë të prerë përgjysmë  pikërisht në momentin kur duhet të vijonte vrullshëm e bukur.    

Një familje që rriti fëmijë me virtyte 

Fiqiriu (Fiqua) ishte i biri i Tahirit dhe i Senos, vëlla me tre djem të tjerë dhe shtatë motra. Tahiri dhe Senua qenë të njohur në lagjen Pirat e në gjithë Konispolin si njerëz në punën e tyre, por të zotë e të zgjuar, të pastër e të papërtuar. Senua nikoqire e pastërtore nga dera fisnike e Bejzatëve të lagjes së fundit të Dushkut. Tahiri nga fisi i njohur e i kamur i Meçajve sa dhe sot ara me rezen më të lartë të vajit të ullirit në Konispol quhet Ara e Meçajve.

Vec punës së përditshmes Tahiri ishte edhe mjeshtër për mëltime (sharrtime) për drufrutorë të ndryshëm. Me dhjetra e qindra ullinj. dardha, ftonj, shegë, mollë e qershi kanë mbetur për pasardhësit Konispolit  të  sharrtuara nga dora e tij mjeshtërore.

Shumëkush habitej me faktin se si mundnin këta prindër të mbanin, ushqenin e rritnin një familje me kaq shumë fëmijë pa patur asnjë të ardhur tjetër ndihmëse. Dhe jo të mbajtur dosido, por me dinjitet e pa i shtrirë dorën askujt për ndihmë. Dhe jo të rritur dosido, por të ushqyer me ndjesi pozitive që në djep për tu bërë të ndershëm e punëtorë, të dashur e pa vese. Të tillë dolën e udhëtuan në jetë të gjithë pasardhësit djem e vajza të Tahirit dhe Senos.   


Portreti i tij dhe mjedisi ku u rrit 

Portreti i Fiqos ishte i hijshëm e i këndshëm. Ai sikur kishte marrë në pamjen e vet më të bukurat e mjedisit ku lindi e u rrit. Flokë zi e sy zi si kokrrat e ullinjve të Arës së Meçajve, I qeshur si mjedisi i kësaj are kur lahej me rrezet e diellit deri në perëndim të tij. Hokatar e shakaxhi me të qeshur të sinqertë si gurgullima e Përroit të Pirros kur vërshonte në dimrat me lagështirë. Të gjithë ata me të cilët ai ka punuar thonë vetëm fjalë adhurimi e lavdërimi për të. Kushdo e pranonte me dëshirë në bisedë pasi ai i gjallëronte me qyfyret e tij pa të keq. Dashuria e të njohurve, pra e të tjerëve ështënmedalja më e lartë dhe më objektive për secilin individ. Dhe këtë Fiqua e kishte merituar. I zoti për çdo lloj pune, i aftë për t'u përballur me sfidat e jetës... ndonëse ato shpesh vinë edhe të papritura e dashakeqe dhe të dëmtojnë rëndë deri në kufijtë ekstremë. Ndoshta ndonjë e tillë e mori në qafë edhe Fiqiriun... ndoshta se i ikuri i merr me vete ndodhitë vetiake dhe sekretet  e kalimit në mosekzistencë.   


Sikur ende udhëton mes nesh    

E kujtojmë me dhimbje Fiqon tonë të mirë. Nuk e besojmë se ai s'qëndron më mes të gjallëve. Sikur është ende e freskët jehona e gazit dhe zërit të tij në veshët  tanë. Portreti i tij simpatik me lëvizjet e shkathta dhe energjike na duket se udhëton mes nesh ashtu siç ishte në jetë: i qeshur, gazmor, i dashur, i këndshëm e rinor,    Qofsh në Parajsën e Zotit, Fiqua ynë i mirë...!  

Comments


bottom of page