Nga Pajtim Çaushi
Një tjetër njoftim i dhimbshëm
Goditjet mbi Shoqërinë e Krijuesve të Sarandës, të njohur si Klubi i Krijuesve Jonianë, po bien njera pas tjetrës. Të gjitha të hidhura e të dhimbshme, të papritura dhe tragjike...
Pasi dje u përcoll për në banesën e përjetësisë krijuesi Alush Avdyli, sot një tjetër lajm tejet të trishtuar na duhet të ndajmë me të afërmit, shokët e miqtë krijues.
Kryesia e Klubit të Krijuesve Jonianë njofton se në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, 11 janar 2024, u nda përgjithmonë nga jeta, famija e nga gjiri ynë një figurë e ndritur e letrave shqipe, poeti, studiuesi dhe kritiku i artit Doktor Bardhyl Maliqi.
Një lajm tronditës e befasues pasi prisnim me shumë shpresë që të përmirësohej dhe të ishte mes nesh ashtu si dinte të ishte ai: dinjitoz e i mençur, i ditur dhe polemist, i hapur dhe argumentues.
Bardhyl Maliqi ishte një ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Shoqatës së Krijuesve të Sarandës, hartuesi dhe kujdestari i gjithë dokumentacionit të duhur për këtë event të bukur artistik, Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë për disa vite rresht...
Bardhyli ishte një poet i nivelit të lartë, një zë modern dhe i veçantë për poezinë e sidomos poemën shqiptare të ditëve të sotme.
Zëri i tij kumbues në biseda e takime, në debate e simpoziume nuk do të mungojë asnjëherë se atje do të jenë krijesat e tij të bukura dhe elitare: poezitë, poemat, studimet, recensat, shënimet e diskutimet e vyera.
Bardhyl Maliqi ishte një figurë shumëdimensionale e letrave shqipe në ditët e sotme.
Ngushëllime familjes së tij të nderuar...
Ngushëllime për gjithë krijuesit konispolitë, saranditë e mbarëshqiptarë...
Lamtumirë vëllai ynë i talentuar...!
Do na mungosh shumë, Bardhi...
Kryesia e Klubit të Krijuesve Jonianë
Sarandë, 11 janar 2024
Comments