(portret i paautorizuar)
Nga Pajtim Çaushi
Takim pas ikjes së Bardhit
Jeta është udhë, njerëzit udhëtarë. Nëse një vrojtues i përhershëm do të qëndronte në lartësinë e atmosferës, do të vërente se kalimtarët në udhën - jetë gjatë kohëve kanë dukje fizike e shaqje mendore të ndryshme.
Në fletoren e stërmadhe të hapësirës do të shënonte për anën fizike pesë mbiemra cilësonjës: i gjatë, mesor, i shkurtër, i dobët, i shëndosh. Për shfaqjen mendore nuk do shënonte fjalë, por do të vërente shenjat e mbetura prej tyre.
Dallimi mes të dyjave qëndron tek e njohura për të gjithë. Dukja fizike është e përkohshme dhe harrohet shpejt. Dukja mendore mbetet tek brezat njerëzorë dhe është e përjetshme.
Doktor Brdhyl Maliqi, intelektuali i shumënjohur në qytet dhe në vend, do të jetojë pranë brezave njerëzorë me shenjat e çmuara e të bukura që la pas.
Pikërisht, këto shenja mençurie të cilat kalova në mendje e në duar disa ditë pas largimit të tij në tejjetë, më nxitën për të shkruar këto radhë.
Ndonëse segmenti i jetës së tij nuk ishte i gjatë (1955 - 2024), shenjat që la pas do të jetojnë përjetësisht.
Pasuria e familjes - librat dhe leximi
Asgjë nuk lind nga asgjëja. Në një shkretëtirë rëre s'mund të çelin lule shumëngjyrëshe e gjethe të blerta. Edhe nëse arrinë të ngrej kokë ndonjë farë, do nxjerrë një bimë të zbjerrët e pajetë.
Bardhyli lindi dhe u edukua në një familje të zakonshme konispolite.
Shtëpia e prindërve të tij, Aliut dhe Ervehesë, ishte një ndërtesë e thjeshtë.
Në këtë godinë, sapo të hyje brenda, të binte në sy një paradoks tepr i dallueshëm. Pajisjet dhe mobiljet qenë të thjeshta e të pakta, vetëm ato më të domosdoshmet. Librat, revistat e gazetat ishin të shumta dhe i vëreje ngado: në rafte, dollape e tavolina.
Aliu, një erudit, më tepër me zell autodidakti, jo nga shkolla, i kishte pjesë të qënies dhe i adhuronte librat. Për të lexuar blinte në librari apo i këmbente me miqtë e tij, Myfitin dhe Izetin. Atë nuk e zinte gjumi në mbrëmje pa lexuar dhjetra faqe të ndonjë libri të filluar.
- Kadal, kadal... dëgjo, më thoshte kur pinim kafe në lokal, mos e prek kurrë gjënë e tjetrit, por ama për librat s'e vë dorën në zjarr!...
Erveheja, mësuesja ime e klasës së dytë, lexonte e shkruante ditaret deri afër mesnate. Mësuese e pasionuar dhe e përkushtuar si askush tjetër që njihja.
Ja, në një mjedis të tillë familjar u rrit Bardhyli, Valentina, Agroni, Nuria, Arbeni. Ndaj secili prej tyre ishte mik i vogël e i madh i librit.
Edhe pasuria e Bardhit - librat
Familjen e vet Bardhyli e krijoi me Umije Shorin, bijë e një familje të njohur e të nderuar nga Konispoli. Edhe ajo nxënëse shumë e mirë në të mesme dhe me arsim të lartë.
Lindën dy fëmijë, Anisën dhe Ardin. Anisa, maturantja e shkëlqyer e gjimnazit "Hasan Tahsini" të Sarandërs dhe studente ekselente. Ardi, djalë i përkushtuar i familjes, me edukatë e kulturë në shoqëri, punë e kudo.
Edhe fëmijët e tyre, ashtu si fëmijët e Aliut e Ervehesë, u rritën dhe u edukuan të qarkuar nga mijëra librat e bibliotekës së familjes.
Kur bisedonim me Bardhin për pasurinë që do t'u linim fëmijëve, ai më thoshte me shaka:
- Ne fëmijëve do u lemë opingën e Sheros, o Pajtim!... As ti, as unë s'kemi monedha... Me libra kemi punuar, librat do u mbeten nga ne...
Dikush librat i quan pasuri e madhe, disa të tjerë nuk i vlerësonë. Bardhi dhe unë i vlerësuam gjithë jetën, ndaj ato na mbetën dhe ato u dhuruam pasardhësve.
Portreti në dukje
Trup mesatar me një shëndet normal.
Flokë në ngjyrë të kaftë e hapur deri në bjond.
Shikim të vëmendhshë e vëzhgues nga dy sy të zgjuar.
Ecje e njëtrajtë me hapa të qetë e të menduar.
Të folur të ngadaltë me fjalë tejet të qarta e timbër tingëllues.
Zakoni i tij i përhershëm: të dëgjonte, mandej të kthente përgjigje.
Mësues i përkushtuar
Pas mbarimit të së lartës për Gjuhë - Letërsi, punoi si mësues në disa shkolla të rrethit të Sarandës. Nxënësit e Konispolit e Janjarit, të Shkollës Ekonomike e Gjimnazit "Hasan Tahsini" të Sarandës derisa të kenë frymë do të sjellin në dëgjim zërin tingëllues të mësuesit të pasionuar të Letërsisë e Psikologjisë. Po kështu edhe studentët e Filialit të Universitetit të Tiranës në Sarandë.
Korrekt në mësim e leksion, i patolerueshëm në vlerësim, i saktë e shkencor në shpjegim, i afruar e miqësor për shoqërim...
Nxënësit e tij kujtojnë me buzëqeshje atë etapë të orës së mësimit që ne mësuesit e quajmë moment organizues të procesit. Kur Bardhi dallonte përgjumje, mërzitje apo apati në klasë, niste të tregonte ndonjë ndodhi humoristike të dëgjuar apo të krijuar vet.
Pas kësaj nxënësit gjallëroheshin e mësimi vijonte normalisht.
Intelektuali studiues
Me fjalën "intelektual" është lozur dhe luhet shumë edhe sot. Zakoni i turmës është standart: cilindo që e sheh me një libër në dorë e cilëson si të tillë. Dhe më keq, cilido që ka marrë apo gjetur një diplomë shkolle të mesme a të lartë, vetquhet intelektual.
Bardhyl Maliqi ishte një intelektual në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Studioja e tij ka mijëra libra jo thjeshtë si stoli fasade, siç ndodh tek shumica e "intelektualëve", por të lexuar e studiuar deri në imtësi prej tij.
Ai zotëronte njohuri shumëdimensionale. Ishte i plotësuar në shumë fusha të dijes dhe kishte aftësi komunikimi e argumentimi të nivelt sipëror. Ndaj dhe klasa e nxënësve, auditori i studentëve, salla e konferencave dhe debateve e dëgjonte me vëmendje fjalën e tij sapo dilte në foltore.
Komunikimi i tij ishte bindës, i pakompromis, logjik, me fakte, elokuent, tërheqës... nuk të mërziste asnjëherë.
Titujt dhe gradat shkencore Docent e Doktor i mbrojti me dinjitetin e një studiuesi të zellshëm e të palodhur. Bardhi plagjiaturën dhe zbritjen e materialeve të gatshne nga interneti e quante jo vetëm anti shkencore, por edhe turp e antinjerëzore.
Pikërisht, kjo metodë studimore e diturimit vetiak, e ngriti në majat e larta të shkencës së letërsisë, gjuhësisë dhe psikologjisë.
Një ndodhi e kuptimshme
Tregonte një ndodhi nga jeta si mësues në Janjar. Ishte koha e monizmit, pra para viteve nëntëdhjetë.
Bardhi shkruante poezi dhe i dërgonte në organet e shtypit të kohës. Shoku i tij, mësues nga fshati, shkruante letra anonime dhe i niste në organet eprore të kohës.
Poezitë e Bardhit qenë të lira e pa skemat politike të regjimit, ndaj rrallë botoheshin. Letrat anonime të tjetrit qenë për probleme a sikur probleme të fshatit, por përgjigje s'merrte asnjëherë. Anonimi i ankohej Bardhit:
- Ore ti, ç'bëjnë këta, janë vete a s'janë?... Mos nuk i lexojnë fare këto letrat e mia?
- Letrat e tua do hapen, kur të botohen poezitë e mia, lum miku, ia kthente me të qeshur Bardhi.
Poezitë e poetit qenë ndijime të bukura të botës së tij shpirtërore dhe jo parrulla politike të vargëzuara si të disa të tjerëve që mbushnin faqet e shtypit të kohës.
Letrat anonime... dihet, si anonimet në të gjitha botës!...
Poezitë e poetit u botuan dhe u vlerësuan.
Letrat anonime të anonimit s'u hapën e u harruan...
Poet i lartësive
E them pa mëdyshjen më të vogël se Bardhyl Maliqi ishte dhe është një Poet i lartësive të epërme. Ai ka shkruar e botuar dhjetra libra me poezi, ese, studime, interpretime...
Kuptohet, lexuesi e njeh më tepër si krijues të lirikave me ndjeshmëri të lartë dhe poemave me peshë të rëndë.
Poezitë lirike të Bardhit kanë dritë e jetë, hapësirë dhe origjinalitet. Poemat e tij janë sinteza të fuqishme të një vëzhgimi të mprehtë të lashtësisë dhe bashkëkohësisë, të rrënjëve, degëve e majave të trungut etnik iliro - arbëroro - shqiptar.
Mendoj se më së shumti Bardhi është krijues i poemave të bukura me këndvështrim origjinal për dukuritë që fokuson si referent poetik.
Në këtë shkrim të shkurtër do të fokusohem më tepër tek poema "Ankthi i statujave".
Është pjesë e vëllimit me të njëjtin titull. Botim i Shtëpisë Botuese TOENA në vitin 2011. Eshtë paraqitur në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.
I kushtohet Butrintit, qytetit antik të mijëra antikave. Poeti, si qytetar i lirë, është vëzhgues i rreptë i dukjeve e interpretimeve të deformuara nga sikurarkeologët e huaj. Njëherësh është edhe njohës i mirë i autoktonisë së këtij qyteti lavdimadh që aq shumë e lakmojnë grabiqarët e kulturës së të tjerëve.
Burtint, amfiteatër i lashtë me tragjedi të reja,
me brenga të përgjakshme të mbetura nga rropatjet, ankthet dhe harrimet... shtegtojnë statujat e tua Europës
dhe nëpër gishtat e mi kalërojnë stuhitë.
Poeti është intelektual i lexuar dhe studiues e njohës i mirëfilltë i objektit për të cilin shkruan. Ai njeh rrëfimet e fantazuara dhe mitologjinë mesdhetare, historinë dhe letërsinë, Herodotin dhe Homerin, Virgjilin dhe Dante Aligerin. Ndaj nuk e ka të vështirë të poetizojë të vërtetën për paraardhësit dhe të ngrejë mëdyshjet e drejta për interpretimet e dyshuara që paraqesin arkeologët a sikur të tillë.
Butrint, krenaria ime epirote,
ti kryeqendër e fisit kaon të prasajbëve,
ti vend i mikpritjes për Enean
dhe muze frymëzimi për Eneidat e reja...
Pse vetëm histori pushtuesish na servirin arkeologët
dhe ciceronët e mërzitshëm përrallin të njëjtat gënjeshtra?...
Si bir i denjë i qytetit të lashtë të Konispolit, fqinjit vëllazëror të Butrintit antik, poeti hedh në tryezën e poezisë, por edhe të shkencës zbulimet e reja arkeologjike për hershmërinë e jetës së banorëve vendas në linjën pellazgo - iliro - arbëroro - shqiptar. Eshtë poetizim i bukur i së vërtetës shkencore, të argumentuar në disa botime nga arkeologu dhe historiani i njohur Halil Shabani, i cili ka kryesuar bashkë me arkeologë amerikanë ekspeditën arkeologjike në Shpellën e Kreshmoit dhe Çukën e Ajtojt.
Kreshmoi atje lart në Konispol,
dëshmia jonë e hershmërisë
njëzet e shtatë mijë vjeçare
flet me prova,
flet me fakte..,
Eshtë revoltuese për cilindo kur shikon në hyrje të qytetit antik deformime e shtrembërime dashakeqe për të grabitur edhe më të njohurën e më shenjuesen në Glob për Butrintin, hyjneshën Dea.
Mbi kokën e Deas së keqkuptuar
studiuesit vendosin kurorën e Apollonit,
dhe Dea trishtohet,
dhe emri i saj pagëzon shoqatat
dhe hotelet buzë Jonit.
Mbyllja e poemës është një përfundim logjik i gjithë këtij meditimi të gjatë poetik. Ndonëse lakmitë kanë qënë dhe janë, ndonëse deformimet vijojnë të bëhen, ndonëse statujat nuk kanë gojë të flasin, Poeti përcjell shpresë dhe besim se dikur gjithçka do pastrohet dhe vija e historisë do të shkojë në rrjedhën e vet të vërtetë...
Eh, erdhi dita...
Ndërsa po mbyllja kapakër e vëllimit poetik "Ankthi i statujave" më ngeci vështimi tek poema hyrëse i librit. Ajo ka titullin marramendës për nga bukuria e nënkuptimi:
"Perandoria e zogjve". E pata lexuasr disa herë se më kishte pëlqyer shumë. Sytë më mbetrën tek vargjet fundorë të saj. I rilexova me dhimbje. Bardhi ynë shkruante:
Eh, erdhi dita bija ime, të hyjmë dhe ne
në perandorinë qiellore të zogjve!
Erdhi dita...
Ai na la para disa ditëve për t'u ngjitur në perandorinë e Qiellit. Pas mbetën shenjat e talentit, të diturisë dhe mençurisë së tij.
Ato do të jenë tonat sa të jemi gjallë.
Kur të ikim edhe ne tek Perandoria e Bardhit, ato do të vijojnë të jenë pronë e gjithë brezave që do të gjallojnë mbi Tokë...
Tiranë, 20 janar 2024
Comments