Përkthyer dhe përshtatur në shqip Nga Gladiola Jorbus
Servantesi ka qenë apo jo në Ulqin?! Kjo është një temë interesante e cila ka ngjallur mjaft debate. Po sikur Dulcinea të mos jetë një personazh, por një vend?
“Dulcinium”, titullohet libri i gazetares Angela Rodicio, njëherazi e vlerësuar në vitin 2002, si korrespondentja më e mirë spanjolle nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Spanjë (Asociación de Periodistas Extranjeros en España). Gazetarja Rodicio, një ish-korrespodente në Lindjen e Mesme ka mbuluar konflikte të shumta lufte në Ballkan e më gjerë.
Ky libër i botuar në vitin 2016, pikërisht në 400 - vjetorin e vdekjes së shkrimtarit me përmasa globale Miguel de Servantes, të cilit dhe i kushtohet, rezonon me inkandeshencën e tij në botën shqiptare.
Angela Rodicio gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, teksa raportonte për fushatën e NATO-s kundër Serbisë, zbuloi se qyteti malazez i Ulqinit ishte Dulcinium i vjetër. Me të mbërritur në Ulqin (Dulcinium për Romakët), dhe me të marrë vesh që zonja ishte spanjolle, të gjithë kishin nisur t’i tregonin për Servantesin dhe burgosjen e tij atje. Banorët e tij nuk reshtnin së dhëni detaje, në lidhje me qëndrimin e Miguel de Servantes-it si rob, në muret e kalasë së qytetit të bukur. "Në fillim mendova se ishte një shaka, por më pas nisa t’i mendoja gjërat seriozisht," shpjegon Rodicio, gjatë intervistave të saj, dhe thotë se si banorët e zonës i treguan një kep dhe një kështjellë duke aluduar se ai ishte vendi i burgut të Servantesit. Në të vërtetë, ekziston një legjendë, sipas së cilës, pas betejës së Lepantos, ku shkrimtari humbi dhe krahun e majtë, do të ishte burgosur në Ulqin, ndërkohë që robëria e tij në Algjer nga Kapitan Arnaut Mami është e dokumentuar. Sipas vetë ekspertëve, ky kapitull i jetës së Miguel Servantesit konsiderohet një “vrimë e zezë”. "Vendasit më thanë që është një histori e transmetuar gojarisht nga brezi në brez,- thekson ajo, dhe pohon se nuk është eksperte e Servantesit, ndaj e ka trajtuar këtë temë me shumë respekt dhe përulësi”. “Dulcinium” përshkruan se cili mund të jetë çelësi i dashurisë së tij të madhe dhe zhgënjimit biblik me vendin. E vetmja histori me një fund të lumtur që ai shkroi te “Don Kishoti” i tij është ajo e robit të dashuruar me vajzën e guvernatorit osman ... në një port piratësh që do të mbijetonin gjithnjë në kujtesën e tij, dhe nga e cila do të rridhte ai emër "muzikant, pelegrin dhe domethënës", Dulcinea apo Dulqinja.
Comments