Shkrimtare dhe mjeke, 2 profesione që shkrihen në një emër
Albina Hoxha
Quhet Brunilda Zllami dhe tek ajo gjenden të gërshetuara me njëra-tjetrën mjekësia dhe letërsia. Është diplomuar për mjekësi dhe menjëherë pas përfundimit të studimeve ka filluar punë si mjeke neurologe.
Tani ajo ushtron profesionin human të mjekes në një spital privat por ka edhe një pasion të madh për librat, madje deri tani ka botuar plot 16 libra. I lexonte me shumë dëshirë të gjithë librat që ia zgjidhte babai i saj. Ndërsa të shkruante nuk e kishte menduar më parë. Ndodhi natyrshëm.
Por cila është lidhja mes tyre? “E dua mjekësinë dhe e dashuroj letërsinë. Të dyja janë pjesë e imja, më bëjnë të ndihem e plotësuar. Nuk do mundja të isha plotësisht e lumtur sikur të më mungonte njëra prej tyre”,- shprehet Brunilda.
Shpeshherë ndihet e lodhur dhe e dëshpëruar kur nuk gjen kohë të bëjë gjërat që do. “Ndodh, sepse mjekësia është ezauruese, kërkuese, e përbindshme, egoiste, të do vetëm për vete. Ndërsa letërsia është prehja, parajsa që ia lejoj vetes për të mbajtur atë që është esenciale tek unë”,- argumenton ajo.
Lidhja me letërsinë
Tregon se lexonte me shumë dëshirë çdo libër që i binte në dorë. Babai i saj kujdesej që ajo të lexonte librat që ai i quante kryevepra botërore. Gjatë viteve të para të fëmijërisë dhe adoleshencës ka lexuar vetëm letërsi të huaj, ndërsa në gjimnaz ka lexuar edhe letërsi shqiptare. “Kam filluar të shkruaj rastësisht e ndikuar edhe nga fakti që unë mbaja ditar… kështu një ditë marsi fillova të shkruaj romanin tim të parë e më pas edhe shumë të tjerë, ndërsa ditar nuk mbaj më”, -shprehet Brunilda.
Sakrifica për librin e parë
“Shpesh diskutoja me babain për ndonjë shkrimtar, personazh, kohë historike, apo rrymë letrare, por përgjithësisht kam qenë njeri i mbyllur dhe ato që doja i mbaja për vete. Kur kam diçka në mendje është e pamundur të më ndalësh. Doja të shkruaja dhe kam bërë gjithë sakrificat e shkrimtarit, ndonëse nuk e quaja sakrificë në atë kohë. Kjo, duke përfshirë edhe shtypjen e librit me makinë shkrimi, e cila ishte e rëndë, e zhurmshme, e vjetër. Mbaj mend se gishtat më ishin enjtur, më dhimbnin në çdo tast që shtypja aq sa edhe natën nuk flija nga dhimbja, por të nesërmen ulesha sërish për të shkruar. Nuk më interesonte mendimi se dikush nuk mund të shkruajë roman në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Letërsia nuk ka moshë. Familja më mbështeti, më pas mësuesja ime e letërsisë. Kështu nisi një rrugë, e cila më ka dhënë një mënyrë të jashtëzakonshme për të përshkruar botën ashtu siç e njoh unë. Letërsia është dritarja e shpirtit tim. Aty jam vetvetja”, -tregon ajo. Për të koha më e mirë për të shkruar dhe që e frymëzon është vera. “Në verë kam dëshirë të shkruaj, më pëlqejnë ngjyrat, dritat, gjallëria. Më pëlqen jeta! Sapo kam filluar të shkruaj romanin më të ri”,- rrëfen ajo.
Romanet? Jo gjithmonë fund të lumtur
“Jo gjithmonë i lumtur, keni të drejtë. Kam filluar të shkruaj në moshë të re, mendoja se fundi i lumtur ishte i natyrshëm për çdo histori. Ka qenë mosha e romantizmit, idealizmit, ëndrrave. Por në çdo çast më pëlqen të përshkruaj realitetin. Zhgënjimi im më i madh ishte kur mësova se realiteti mund të jetë edhe i hidhur. E rëndësishme është se në libra unë nuk tentoj të përçoj vetëm një fabul, por ndjesi, përballje, reagime. Vërtet realiteti është i hidhur, por shpresëdhënëse është se jeta vazhdon. Ka shanse të dyta, dashuri të reja, rrugë të pashkelura që na presin. Siç thotë një shprehje që më pëlqen shumë ‘Ajo që s’na vret na bën më të fortë’”,- thotë ajo.
Libri që autorja ka më shumë përzemër është “Matilda”. E ka shkruar kur ishte për herë të parë me pushime në Athinë. “E kam ndier shumë të afërt si personazh, të gjallë, sikur lëvrinte në mendjen time. E kam dashur çdo rresht që kam hedhur në këtë libër”,- shprehet Brunilda.
Familja, ëndrrat dhe dëshirat
Brunilda rrëfen se i pret me padurim minutat, jo të shumta, për t’i kaluar me shokun e jetës. “Jemi të dy në të njëjtën rendje drejt spitalit, të lidhur ngushtë me zilen e celularit, të cilin e konsideroj edhe si gardian burgu”,- thotë ajo. Më tej shton se e rëndësishme është dashuria mes nesh, e cila është sërish e bukur, më e pjekur, më e duruar, por që ndriçon në zemrat tona.
Ajo ka shumë ëndrra, të cilat nuk mbarojnë kurrë, madje nga një ëndërr i lindin shumë të tilla. “Dua të jetoj gjatë që t’i plotësoj të gjitha”, -thotë neurologia. Mendon se e keqja e saj është që sapo arrin diçka synon diçka tjetër, ndoshta më të madhe se ajo që ka arritur. Madje duket se mjekja nuk është mjaftuar vetëm me profesionin që ka dhe pasionin për librat, sepse ajo ka mbaruar edhe fakultetin e Drejtësisë.
“Gjithnjë sytë e mi janë të përqendruar tek e ardhmja. Do doja të gjeja kohën dhe kënaqësinë për të jetuar edhe të tashmen, për të mos pasur synime ndonjëherë edhe të paarritshme. Megjithatë gjithmonë kam dashur gjithçka”,
Burimi: Gazeta Shekulli
përmbyll rrëfimin e saj neurologia e librave.
Comments