nga Silvana ÇAUSHI
Nëse një shkollë është vazhdimisht e suksesshme, padyshim drejtuesi i saj luan një rol kyç, ai padyshim është një menaxher mjaft i mirë. Menaxhimi efektiv sjell, shkolla të suksesshme.
Në ditët e sotme, përkufizimi i menaxherit përgjithësisht përcaktohet si procesi i planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit të punës së punonjësve në kombinim me burimet e tjera, për të përmbushur synimet dhe objektivat e shkollës. Meqenëse në ditët e sotme koncepti i menaxhimit të shkollës po fiton një rëndësi të veçantë, është e rëndësishme të përmendim se menaxhimi luan një rol shumë të rëndësishëm në çdo aspekt të arsimit.
Drejtuesi menaxher është përgjegjës për zhvillimin e kurrikulës në shkollë. Ai duhet të jetë një person shumë i përgjegjshëm, të ketë aftësinë për t'i dhënë përparësi punës, duhet të komunikojë në mënyrë efektive me nxënësit, prindërit si dhe stafin, për të kuptuar dhe zbatuar kërkesat e nevojshme të tyre. Ai duhet të ketë njohuri për standardet dhe ligjet e arsimit, duhet të zotërojë shkathtësi inovative, organizative dhe motivuese. Të ketë aftësinë për të mbikqyrur njerëzit si dhe të menaxhojë kohën në mënyrë sa më efektive.
Drejtuesi duhet të ketë njohje shumë te mira të aftësive, interesave dhe synimeve të burimeve njerëzore me të cilin punon. Duke njohur aftësitë e gjithësecilit, ai e ka shumë te lehtë te caktojë detyrat e secilit në përputhje me interesat dhe aftësitë e tyre.
Menaxhimi kërkon aftësi, besim, vullnet, kohë, dëshirë dhe kembëngulje për të bërë gjërat e duhura në mënyrën sa më të mirë. Besimi në aftësitë që zotëron synon gjithmonë të arrijë sukses.
Si çdo njeri, edhe menaxheri mund të ketë raste kur është dyshues për veprimet ose vendimet e tij. Ai duhet të reflektojë gjatë dhe të gjejë mënyra për të arritur realizimin e objektivave. Duke qenë se një menaxher i mirë e bën punën me një cilësi të lartë, atehere edhe pritshmëritë e tij jane për rezultate te larta, ku gjithësecili nga stafi jep më të mirën nga vetja.
Nuk është çudi që shpesh disa punonjës mund ta bëjnë punën me një cilësi shumë më të mirë se vetë menaxheri, kjo për faktin se ato janë ndjerë të motivuar, kanë patur mbështetje dhe kanë aftësinë për ta bërë në mënyrën më të mirë atë punë që j’u është caktuar.
Çdo drejtues duhet që gjithmonë të jetë i motivuar, duhet të ketë shumë besim tek aftësitë e tij për të arritur suksesin që medon. Shpesh drejtuesit që janë menaxherë të mirë shpenzojnë shumë kohë për të kuptuar se çfarë duan njerëzit nga ai me qëllim që ekipi i tij të jetë gjithmonë i përgatitur për të sfiduar çdo pengesë që hasin gjatë punës së tyre. Në këtë mënyrë drejtuesi bën hapa për një staf dhe punë të suksesshme.
Për menaxherin, motivimi i vazhdueshëm i stafit luan një rol kyç. Koha e shpenzuar për moralin e ekipit të punës, asnjëherë nuk është kohë e shpenzuar kot. Nëse dikush nga stafi do të ndihet i mërzitur, ai shpesh duhët të përpiqet të tregojë se është gjithmonë një mbështetje për të dhe i gatshëm për ti ndihmuar, por asnjëherë ndjenjat personale nuk duhet të përfshijnë procesin e punës.
Planifikimi për të ardhmen duhet të jetë arma më e forte për drejtuesin e shkollës. Ai gjithmonë duhet të ketë gati planin e punës për të realizuar objektivat e vendosura. Puna në ekip duhet të jetë primare për drejtuesin e shkollës, ku të gjithë duhet të punojnë së bashku për të arritur të njëjtin qëllim.
Kritikat janë pjesë e punës . Një drejtues i mirë duhet ti marrë si sfida për të reflektuar për punën që po bën. Çdo ditë e punës është një sfidë më vete ku mërzitja nuk duhet të jetë pjesë e saj.
Nje drejtues shkolle, gjithmonë duhet të bëjë një feedback të punës së tij. Optimizmi duhet gjithmonë të triumfojë në çdo ditë të punës.
Shkolla të mira kanë nxënës të mirë dhe këto janë rezultat i një pune në ekip që drejtohet nga një drejtues lider dhe menaxher i suksesshem.
Kommentare