Nga përgjumja e Pandemisë?...
Natyrshëm më lindin disa pyetje që rrjedhin nga kulmimi ekstrem i çështjes pikërisht në prag të çeljes së negociatave në BE. Një veprim i tillë i papritur, pikërisht në kohën e përgjumjes së globit nga kuçedra Pandemi a i shërben dëshirës dhe ëndrrës së shqiptarëve drejt integrimit në BE?
E thënë ndryshe, a u shërben vallë interesave bashkëkohëse të Shqipërisë apo forcave e qarqeve antishqiptare? Pse pikërisht tani? Pse ky nxitim marramendës, a nuk mund të shtyhej pas Qershorit për hir të interesave të vendit?
Medalja ka dy anë
Shikojmë pak anën tjetër, atë që ndodh në mes të ditës në dritë të diellit. Shumë monumente kulture dhe vepra historike janë në rrezik shembje dhe zhdukje (në fakt po zhduken pupas veças në Jug). Ato gjenden në Gjirokaster, Butrint, Konispol, Finiq, Mesopotam dhe kanē lashtësi mijëra vjeçare.
Ç'ndodh me këto vlera të paçmuara të identitetit tonë mijëra vjeçar? Sikur harrohen, sikur qellimisht u fshihen syrit të banorëve vendas dhe u tjetërsohen syrit të vizitorëve të huaj
Përse një Teatër as 100 vjeçar është kthyer në arenë të egër lufte politike, ndërsa për muret Pellazgjike që mbahen heshtur në Butrint nuk flet askush?
Kujt i shërben kjo lloj heshtjeje dhe fshehje?
Tjetër e tjetër...
Shikuar në një kënd tjetër mbase ky aksion i nxituar kërkon të tërheqë vëmendjen nga problemet e mëdha ekononike e sociale që po kalon vendi duke e spostuar diku tjetër. Gjithçka është e mundur me këta mbi krye që vetë kanë thënë e janë bërë pronarë të pafryrë të timonit e tepsisë.
Tjetër. A mos vallë kërkojnë që populli të "hajë gola" edhe me reformën në drejtësi dhe mosndryshimin e sistemit zgjedhor?
Një fakt tridhjetë vjeçar
Asnjë nga qeveritë "demokratike" nuk e ka rikonstruktuar këtë Teatër gjatl 30 viteve të "ndryshimit të madh". Mos vallë kjo është bërë me qëllim dhe fsheh interesa të forta klienteliste sapo të vinte momenti për këtë truall të lakmuar?
Pushteti i sotëm ka thënë se bashkë me Koronën i erdhi lepuri në shteg dhe vendosi ta shfrytëzojë deri në pikën e fundit momentin. Atëherë, le të ndizet zjarri në vatër, vrap ruspat mbi teatër! ...
Në anën tjetër mbase Kryeministri i ka bërë rrengun e radhës opozitës, përpjekje që ta "fusë në kurth" duke i imponuar lëvizje të detyruara dhe të vogla pa dobi politike për zgjedhjet e ardhshme.
Mendoj që opozita e pjekur tashmë për qeverisje nuk duhet të bjerë në këtë grackë dhelprash duke gëlltitur çorbat e qëllimshme që gatuan dhe servir pozita e djallëzuar.
Ferra e vogël dhe lepuri i madh!...
Sinqerisht edhe vrapi i medias pas berihait nuk më pëlqen fare.
Pse duket kaq shumë e shqetësuar vetëm për Teatrin lukunia mediatike shqiptare?
Po varfëria e shqiptarëve, drejtësia e munguar, papunësia dhe shumë probleme madhore për vendin përse nuk trumbetohen me të madhe?
A mos vallë edhe ato janë të varura nga Pushteti si varet nga këmbët keci?!...
Ja, këto qenë pyetjet që më lindën nga mendimi se pas ferrës së vogēl të djegur, mbase fshihet lepuri i madh i prerë e i pjekur!...
Comments