Në kuadrin e një trajnimi, mua,si specialiste e të drejtave të fëmijëve, m’u kërkua të hartoja një material frymëzues.
Tema që unë vendosa të zgjedh ishte për bashkëkombësit e mi, që të mos braktisin Atdheun. Për këtë vendosa të takoja njerëz në moshë e profesione të ndryshme. Realisht nuk e dija se do të demotivohesha shumë herë, sa do të mendoja të përgatisja valixhet edhe për vete. E nisa nga im bir 13 vjeçar. Ai m’u shpreh:
- Këtu nuk ia vlen të mësosh, mund ta blesh shkollën kollaj!
- Nga dreqin e ka mësuar këtë: - thashë unë
Djali 6-vjeçar i një mikes time, duke folur per disa blerje, tha papritur: "Ne nuk kemi lekë".
Nerina, mikja ime, humbi punën! Edhe pse është një vajzë energjike dhe me vullnet për punë, u shpreh se do të donte të ikte.
Zefi ,një biznesmen i ri, shkon më tej ,duke thënë se: “Që të jesh i suksesshëm, duhet të kesh lidhjet e duhura për të përfituar tendera shtetërorë.”
Në takimin me ish-kolegë të mi mësues, ata që duhet të frymëzojnë brezin e ri, nuk guxova as t'i pyes, sepse në vend të përgjigjeve, pashë trishtim të tejskajshëm në sytë e tyre, demoralizim ekstrem!
E dhimbshme ishte dhe retorika e një kleriku: “Përse duhet t'u thuash qëndroni?! Nuk u ofron asnjë mundësi ky vend.
Këtu po vritet shpresa dhe besimi”.
Nardi, nga të paktët të rinj që kanë mbetur në një fshat pranë qytetit, shprehet se nga këtu duhet te ikësh një natë pa hënë !
M’u kujtua një shprehje e kryeministrit aktual: "Nuk qëllohet shtëpia jote me gurë"... A kemi ne një shtëpi?
A është kjo shtëpia që në shekuj, paraardhësit tanë dhanë jetën ta mbronin? Një shtëpi, kur të gjithë kanë veç dëshirën për të ikur, a mund të quhet më shtëpi?
Nga gjithë sa pashë dhe dëgjova, më erdhi furishëm thirrja: Dua gurë!!!! -Dua gurë për të qëlluar çdo padrejtësi, që më bëhet! -Gurë për këtë sistem të korruptuar arsimor, shëndetësor, politik dhe shoqëror. -Gurë për të qëlluar, sa herë të më kërkojnë rryshfet për të marrë një shërbim që më takon. -Gurë, për sa herë të më thonë: Mos fol sepse ti nuk mund të bësh asgjë dhe më kërcënojnë me mohimin e të drejtave që më jep guri i themelit të shtetit tim: "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë". -Gurë, për sa herë, dikujt që s'jam unë, i mohohen të drejtat, sepse "Dëmin më të madh, një kombi nuk ia bëjnë të korruptuarit, por ne njerëzit e ndershëm që heshtim, po po ne këtu dhe mijëra të tjerë atje jashtë!” Jam e bindur që në Shqipëri ka plot njerëz të ndershëm, që e kanë dinjitetin, forcën dhe dëshirën të hedhin gurë mbi këtë çati të kalbur. Mjaft i fshehëm plagët nën flamujt e partive ku aderojmë!
Partia është shumë shumë herë më e vogël se kombi dhe ne kemi detyrën më të vështirë por edhe më të lehtë, që duhet të dalim përtej përkatësisë politike për të dashur ATDHEUN. Ne, së bashku mund t'ia dalim! Në emër të dashurisë për ATDHEUN, ne mundemi të çlirojmë këtë vend nga një grup i vogël njerëzish që e rrënojnë atë çdo ditë. Mos u besoni kur na thonë, që jemi vend i varfër dhe nuk mund të bëjmë më tepër! Jo jo, ky vend s'është i varfër, por është i vjedhur nga bijtë e tij plangprishës.
Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, me pasuri natyrore e njerëzore dhe në shekuj ka nxjerrë figura të shquara si Gjergji Kastrioti dhe Nënë Tereza, që jane bërë burim frymëzimi për mbarë njerëzimin! Duhen shumë, shumë gurë për të ngritur shtëpinë e re të shpresës! Le ta bëjmë sëbashku! Ne duhet të jetojmë këtu, ku kemi lindur bashkë me ëndrrat tona, të peshojmë rëndë në tokën tonë, në dheun e të parëve, tu trashëgojmë forcën dhe besimin fëmijëve tanë që ky vend do të bëhet. Ne s'mund të jemi popull ikanakësh. Flamuri ynë përfaqëson gjakun e mijra e mijëra njerëzve, qëndresëtarë përballë pushtimeve romake, turke dhe shteteve te Evropës, që e lakmuan ndër shekuj. A duhet sot,të heqim dorë për shkak të një grupi të korruptuar që është në krye të politikës ?! Qëndro dhe bëhu gurë i shpresës për një Shqipëri të re, Shqipërisë sonë të përbashkët. Mos ik , bëhu gurëhedhës!!!
*Alma JAKU - Lezhë Specialiste e të drejtave të fëmijëve
Comments