TIRANË, 16 prill/ATSH/ “Porti i ri turistik i Durrësit do të jetë një nga marinat më të rëndësishme jo vetëm në Mesdhe, por edhe në Europë me një kapacitet 2-fish më të madh, ndoshta edhe se porti i Malit të Zi, që është një nga projektet më të njohura turistikë të Mesdheut”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të masterplanit të portit të ri turistik në Durrës.
Sipas saj, turizmi padyshim është një nga shtyllat më të forta të zhvillimit ekonomik dhe qyteti i Durrësit, tha ajo, i ka të gjitha potencialet për të qenë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit mesdhetar.
Balluku theksoi se Porti i Durrësit është një nga polet ekonomike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe gjithçka e ka bazuar te deti.
Ministrja shpjegoi se ky projekt ka dy kolona.
“Kolona e parë është ndërtimi i portit të ri të mallrave të Durrësit, që do të jetë vetëm 9 km larg portit ekzistues, në zonën e Porto Romanos dhe parashikohet të jetë një port model ku të mbulohen jo vetëm kapacitet përpunuese që sot kemi, që kanë arritur në 90 % të volumit të mundshëm, por do të jetë një port i ri që do të përmbushë të gjithë parametrat e kërkuar nga BE, sa i përket teknologjisë dhe parametrave mjedisorë, që me thënë të drejtën këtu ku jemi sot kishin kohë që kishin humbur”, deklaroi ministrja.
Balluku kujtoi ndotjen që ndodh në qytet apo në det sa herë fryn një erë apo bie një shi.
“Nuk mund të qëndrojë më një port i tillë tregtar i bazuar në një teknologji të vjetër përpunimi mallrash, afër mureve romake dhe siteve të tjera antike që ka ky qytet, që për shumë vizitorë të botës është një ëndërr, por që nuk e ka patur deri sot infrastrukturën e duhur për t’u kthyer në një pikë të turizmit elitar”, tha ajo.
Porti i ri që do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos, theksoi ministrja, nuk do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë, pasi Autoriteti Portual i Durrësit e ka kapacitetin për të investuar për këtë port.
“Kemi një studim shumë të mirë fizibiliteti dhe shumë shpejt do të nisim nga puna për t’i dhënë Durrësit, Shqipërisë dhe gjithë trevave shqiptare, pasi Kosova e përdor sot portin e Durrësit dhe do ta përdorë edhe më shumë pas ndërtimit të infrastrukturës së re. Dhe më pas me përfundimin e Rrugës së Arbit do të jetë më e lehtë për t’u përdorur edhe nga Maqedonia e Veriut”, shtoi Balluku.
Me ndërtimin e portit të ri, vijoi ministrja, nis një epokë e re për Durrësin dhe gjithë rajonin sa i përket tregtisë përmes detit.
“Projekti për portin turistik, ndërkohë ndryshon qytetin dhe e kthen në pikën më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe. Një nga kompanitë më prestigjoze që ka bërë ndryshimin në konceptin e turizmit, që ka arritur të kthejë një pikë në shkretëtirë në pikën më të rëndësishme të turizmit botëror, “Emaar Group”, ka vendosur që të ketë një vëmendje të veçantë në Durrës. Me marrëveshjen ekonomike që u firmos mes shtetit shqiptar dhe atij të Emirateve të Bashkuara rriti në një rezultat të mirëfilltë, interesin e këtij grupi që njihet për ndërtimet e jashtëzakonshme dhe konceptin e ri të turizmit që ka futur në mbarë botën, këtu në qytetin e Durrësit. Një projekt që është pjesë e masterplanit të zhvillimit të qytetit që konsiston një një investim gjigant prej 2 miliardë eurosh në një periudhë 5-vjeçare dhe do t’i japin jo vetëm Durrësit, por gjithë Shqipërisë një injektim financiar për rritjen e ekonomisë së shkallës”, deklaroi Balluku.
Comments