top of page
Search

Dy fjalë për familjarët e Mateos



Nuk mund të gjesh fjalët për t'ju ngushëlluar se nuk ekzistojnë.

Unë kam qenë një nga njerëzit që i jam bashkuar thirrjes për varje të përbindëshit në çastin e parë, që tek e fundit nuk e kam mbajtur në bark Mateon, nuk i kam dhënë gji dhe as nuk kam punuar fort për ta rritur.


Është mëse e kuptueshme gjendja juaj dhe kërkesa juaj për varje. Kushdo që do të ishte në vendin tuaj të njëjtën gjë do të thoshte dhe të njëjtën gjë do të bënte, por ka një ligj që nuk e parashikon dënimin me vdekje në Shqipëri dhe çdo përpjekje e juaja për ta ndryshuar këtë ligj, është thjesht një plagë më shumë në shpirtin tuaj dhe një ushqim për kronikat e lajmeve.


Drejtësisë duhet t'i bëjmë të gjithë presion që të japë dënimin maksimal për Mateon, ndonëse edhe dënimi me vdekje është i paktë për përbindëshin. As vdekja nuk mjafton për të.


Duke qenë e vetëdijshme se fakti që ai përbindësh merr frymë ju rëndon si gurë mbi shpirt , e kuptoj se e keni të vështirë të pajtoheni me këtë fakt, por ndoshta është mirë që ai përbindësh të vdesë për së gjalli ditë për ditë në burg, se të vdesë veç një herë nga varja në litar.


Thonë se vdekja është kapak i dhimbjes. Ai përbindësh nuk e meriton atë kapak. Ai përbindësh meriton të vuajë çdo sekondë, çdo orë, çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit për atë që ka bërë brenda në qeli.


E di se vuajtja e tij nuk jua kthen më Mateon tuaj, por është një formë shpagimi vuajtja e tij e përditshme në qeli.


Për të mos u bërë më ushqim për mediat që po abuzojnë me këtë tragjedi, kthehuni në shtëpinë tuaj dhe mblidhuni në dhimbjen tuaj.


Protestat në rrugë nuk do të zgjidhin asgjë, por do të jenë thjesht një kafshim më tepër në plagën tuaj.


E gjithë kjo dhimbje nuk do të shuhet kurrë dhe nuk do të harrohet kurrë. Thjesht do të bashkëjetoni me të dhe do të shëroni njëri-tjetrin, pasi dhimbja e vërtetë ndihet veç mes katër mureve dhe veç njerëzit që jetojnë mes katër mureve mund t'ia gjejnë gjuhën dhimbjes së tyre.


Post Scriptum- Zoti ju dhashtë forcë e durim! Zoti qoftë me ju!


Elona Caslli

Comments


bottom of page