Shqipëria jonë sot i ngjan një gjallese me dy portrete dhe plot deformime e kontraste tragjikomike.
Portreti i parë
Faqet si dy tullumbace të fryra nga yndyrna që del shtresa - shtresa mbi lekurë.
Kafka si zgavër bosh që trurin e ka mbushur me gërshëreza helmatisëse.
Sytë katër dhe veshët shpuar për gjueti zarfash, tenderash e PPP -ra, por verbuar e vulosur për një mijëra halle publike.
Goja si çorape grash: zgjerohet e madhohet për privilegje e shpifje dhe mbyllet për hallet e skamnorëve dhe të vërtetën.
Buzët sidoqofshin, të trasha apo të holla, nxjerrin tinguj hareje e gogësima mbingopje.
Ky është kati i kreut dhe këtu kanë haremin liderët e turpit.
Portreti i dytë
Në katin e poshtëm është krematoriumi i vdekjes së skamnorëve.
Qafa e hollë si kallami i fushës, i pa mbështjellë me shall të trashë leshi, i pa tendosur me karfica e kollare.
Gjoksi ku rreket të pulsojë zemra i ngushtë si epruvetë dhe i tharë si skelet.
Të pasmet të padukura e të humbura dhe në pantallonat e ngushta.
Kërcinjtë të tharë e të nxirë si furkaçe spuriqësh. Mos qëmto që t'i shikosh se të trembin e të tmerrojnë.
Lëviz me shpinë të kërrusur, fytyrë të fshehur e maskë të sajuar majmuni.
Buzë, edhe këtu sidoqofshin, lëshojnë rënkime, klithma e thirrma urije.
Tri pyetje dhe tri përgjigje eliptike A mund të krijohet një sajesë njerëzore me këta dy portrete që janë dy skaje të kundert të një litari? A mund të lind Bukuria në këtë kontrast të pa arsyeshëm? A duhet të vazhdojë edhe më tej të vegjetojë kjo gjallesë e shëmtuar trefish e keqe? S'ka sesi!... Nuk ka mundësi!... Nëse po, fatkeqësi!.
Comments