Nga Rezearta Çaushaj
"Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit."
- Sado që znj. Kim do të donte të vazhdonte përzgjedhjen me dorën e saj të fotove me natyra të qeta, zemërimi i komenteve te faqja e ambasadës për prishjen e Teatrit Kombëtar, e detyroi të bënte sikur po bënte diçka.
Kjo është edhe detyra kryesore e ambasadës (përvec takimeve rituale VIP): t'i bëjë shqiptarët të besojnë në gjëra që nuk ekzistojnë e të mos besojnë në gjërat që përjetojnë.
"Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE."
Këtu lindi nevoja të përdornim nga ato frazat bosh me BE e NATO, për të rikujtuar se SHBA nuk është e vetmja palë e painteresuar per fatin e Shqipërisë.
(Njerëzit mund të mendojnë edhe që po flasim për gjëra të rëndësishme dhe kjo na jep pikë shtesë.)
Gjithashtu, që të qetësohen shpirtrat e trazuar, themi edhe se konsultimet e molloisjet e gjata i bëjnë mirë qeverisë, që t'u bëjmë qejfin protestuesve.
Tregohemi të kujdesshëm, gjithsesi, të mos mbajmë qëndrim që këto nuk janë zbatuar e të shmangim fjalën "teatër".
"Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë."
Të sqarohemi, nuk kemi gjë me qeverinë. Jemi këtu të sigurohemi që plani jonë i punës, me reforma të suksesshme imagjinare, të vazhdojë i pashqetësuar nga përpjekjet vendore për drejtësi e demokraci të vërtetë. Fatmirësisht, sukseset imagjinare në reforma janë një interes i përbashkët i qeverisë Rama dhe ambasadës sonë.
"Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti."
Rrini të qetë, se këtë punën e diskutimit për politikat që (nuk) i interesojnë ambasadës (por që duken mirë në Jetëshkrimin e znj. Kim), do ta bëjmë edhe me opozitën. Vetë Basha mezi e pret takimin.
Besojme se kjo është e dukshme nga strategjia e re e opozitës, që shpreson të vijë në pushtet duke na bërë qejfin ne, ndërkombëtarëve.
Comments