Mbresa e mendime për librin e Pajtim Çaushit
" E BUKURA GJENDET KUDO"
Megjithëse libri "E Bukura gjendet kudo" i Pajtim Çaushit është produkt i një pune studimore një vjeçare, në të është mbjellë e gjithë nxënia dhe përgatitja e një jete të tërë në fushën e letërsisë.
Nuk do ta teproja po ta cilësoja një libër studimor letraro - kritik i një niveli të lartë në letrat shqipe për llojin e eseistikës bashkëkohëse shqiptare.
Në themel është një vështrim i thellë, i detajuar prej një profesionisti të vërtetë për krijimtarinë letraro - estetike të një shkrimtari tejet të rëndësishëm, serioz e produktiv, një penë e rëndë e dinjitoze në letrat shqipe, profesor Resmi Osmanit.
Profesor Pajtimit për të shkruar këtë libër studimor i është dashur të lexojë dhe të kalojë në laboratorin e tij shpirtëror, mendor e analitik të gjithë korpusin e madh të krijimtarisë së Resmiut vetëm për një vit. Po brenda këtij segmenti kohor të shkruaj edhe studimin e tij të plotë me rreth njëqind e shtatëdhjetë faqe.
Dhe nuk janë të pakta botimet e tij autorit R Osmani. Plot njëzetë e pesë libra të shkruar në njëzetë e pesë vitet e fundit. Ai filloi të shkruaj letërsi artistike në moshë madhore.
Korpusi i botimeve të tij përbëhet nga 7 romane, 5 novela, 130 tregime të përmbledhur në pesë libra, tri monografi, 5 me ese e studime e të tjera. Pra, Pajtimit i është dashur të lexojë, të studiojë, shënojë, analizojë shumë për të shkruar studimin "E Bukura gjendet kudo", këtë libër të mrekullueshëm në lëmin e vet eseistik.
Forma e gjetur nga autori për paraqitjen tek lexuesi e studimit të vet letraro - eseistik të bën ta lexosh librin jo si një botim thjeshtë teoriko - letrar, por si një krijim letraro - eseistik tejet tërheqës.
Kjo formë e gjetur nga autori për studimin e vet i përshtatet më së miri mënyrës së komunikimit të shkrimtarit Osmani me lexuesit. Kuptohet, studimi nuk është bërë vetëm për një libër. por për gjithë bllokun e krijimtarisë së tij.
Që në krye libri "E Bukura gjendet kudo" hapet me një studim letraro - eseistik teorik mbi të Bukurën si kategori estetike. Mendoj se ky grup eseshë është për të gjithë ne një leksion i mrekullueshëm që na zgjeron kufijtë e dijeve tona në këtë fushë e lëndë.
Pa e tepruar do të thoja se këtu kemi një cikël leksionesh të vlefshëm edhe për studentët e Fakultetit të Gjuhë - Letërsisë si dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të lëvrojnë me të vërtetë si duhet udhën e krijimtarisë letrare.
Eshtë me fat profesor Resmi Osmani dhe krijimtaria e tij që kaloi nëpërmjet aparatit studimor të një studiuesi si profëesor Pajtim Çaushi. Ai ka evidentuar për secilin libër të autorit objekt studimi veçoritë, vlerat, stilin rrëfimtar, shprehësitë morfologjike, dukjet sintaksore, mesazhin e drejtpërdrejtë e atë nëntekstor.
Kaq mjeshtërisht është bërë kjo, sa që kur e lexon librin "E Bukura gjendet kudo" të duket sikur ke lexuar njëherësh dy libra.
I pari, libri i Pajtimit me esetë e tij, me leksikun e përsosur, me nivelin e lartë të të shprehurit të mendimit kritik prej një mjeshtri.
I dyti, libri për të gjitha librat e shkrimtarit Resmi Osmani.
Në përfundim të leximit të esesve studimore çdo lexues, sado pak i kualifikuar, nuk mund të mos shprehet së brendshmi:
- Sa punë e bukur, e shprehur me dashuri e pasion, me seriozitet e profesionalizëm, me gjuhë të bukur e mendim të thellë nga profesor Pajtim Çaushi!...
Dhe po atë çast do të shtojë:
- Sa fat për krijimtarinë e profesor Resmi Osmanit që ra në dorën e një ustai, siç thotë populli, i cili mundi të shpalosë vlerat më të çmuara të veprave të tij.
Pas leximit të këtij studimi eseistik të Pajtimit, askush nuk mund të rrijë pa kërkuar, gjetur dhe lexuar të paktën një nga librat e Resmiut.
Sarandë, korrik 2024
inxh Hekuran Halili -
Kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë
Comments