top of page

E dashur Ministre, a e dini se rehabilitimi është dinjitet dhe jetë?

nga Tanush Çaushi


E dashur Ministre,


A keni menduar ndonjëherë si do të ishte jeta juaj nëse çdo hap do të ishte një betejë? Nëse çdo përpjekje për të lëvizur do të kërkonte një luftë të vazhdueshme mes trupit dhe sëmundjes?

Nëse për të mbajtur veten në këmbë, për të ngritur një gotë uji, për të përqafuar një njeri të dashur, do t’ju duhej më shumë forcë sesa keni në trup?

Unë nuk po flas për diçka hipotetike. Unë po flas për realitetin e mijëra njerëzve në Shqipëri që jetojnë me sklerozë multiple, distrofí muskulare, paralizë cerebrale, artrit reumatoid dhe shumë sëmundje të tjera që i dëmtojnë lëvizjen dhe autonominë. Ata nuk kanë nevojë për mëshirë, ata kanë nevojë për rehabilitim fizik, për fizioterapi falas në qendrat shëndetësore, ashtu siç ndodh në çdo vend normal të Europës.

Por çfarë bëni ju dhe ministria që drejtoni për ta?

Shëndetësia juaj, për të cilën keni bërë kaq shumë propagandë, e trajton rehabilitimin si një luks dhe e injoron totalisht. A e dini se në mbi 400 qendra shëndetësore në Shqipëri, vetëm 17 ofrojnë fizioterapi? Dhe edhe këto, në mënyrë të kufizuar, pa pajisjet e duhura dhe pa personel të trajnuar?



Ministre, a e dini se sot në shqipëri ka njerëz që nuk lëvizin sepse s’kane para për fizioterapi?


Të sëmurët nuk mund të presin. Çdo ditë pa fizioterapi është një hap më afër paaftësisë totale.

Çdo javë pa ushtrime të drejtuara nga një fizioterapist është një javë më afër karriges me rrota. Çdo muaj pa trajtim është një muaj më afër atrofisë së muskujve dhe humbjes së funksioneve bazë.

A e dini sa kushton fizioterapia në privat? Shifra që shumë pacientë nuk mund t’i përballojnë. A e dini se disa duhet të zgjedhin mes blerjes së ilaçeve apo pagesës së një seance rehabilitimi?

E dashur Ministre, a e dini se duke mos investuar në fizioterapi sot, po rrisni kostot për trajtimet spitalore nesër?

Një pacient që nuk merr fizioterapi sot, përfundon me invaliditet të plotë nesër. Një person që mund të ruante aftësinë për të ecur, përfundon në një shtrat, duke i kushtuar shumë më tepër sistemit shëndetësor. Fizioterapia nuk është shpenzim, është investim në jetë dhe dinjitet!

Nuk dëgjoni. Mos bëni sikur nuk kuptoni. Lëvizja është një e drejtë, jo një privilegj!

Comments


bottom of page