Nga Silvana Begaj
Ti e di dashurinë time për të shkruajtur letra, por kurrë nuk të kam shkruajtur ty. Gjithmonë kam menduar se ti më lexon me shikim dhe nuk ke nevojë për fletë të bardha e lapsa të zinj. Por sot ndjeva nevojën të të shkruaj! Nevojë që vjen nga një acarim i brendshëm!
Pash një video që qarkulloi në çdo rrjete sociale dhe një reagim kërcënues kundër dhunës së përdorur ndaj një të moshuare, ndaj një nëne, ndaj një qënie njerëzore. Duket si: Reagimi i një shoqërie të dhunuar që dhunon! Shpresoj mos ta kesh parë këtë video sepse e di që do të prekesh. Nuk e di se sa do prekesh më shumë, për videon e dhunës, apo për reagimin e dhunshëm?!
Nënë! I ke parasysh ato paradat ku protestohet kundër dhunës kryesisht ndaj femrave? Janë evente për tu përdorur si pasarela mode, fotografi dhe lajm portalesh se realisht ne jemi shoqëri që dhunën e kemi pjesë të përditshmërisë. Reagime fasadë!
Ne jemi një shoqëri e rritur me dhunë në kopshte, shkolla, punë, rrugë, familje e kudo. Reagimi që bëhet në facebook është vetëm sa për të lehtësuar sadopak ndërgjegjen e për të qënë protagonist.
E dashur nënë! Ti mbase rrjetet sociale nuk i ndjek, por emisione dhe lajmet i ndjek rregullish! I ke dëgjuar kryetarët e partive, ligjvënësit, njerëzit publikë se me cfarë gjuhe të dhunshme flasin? Sigurisht që i ke dëgjuar. Kudo që ta lëvizësh telekomandën shikon po ata duke treguar dhëmbët dhe duke infektuar breza ndër vite me këtë komunikim.
Ish presidentë, ish kryeministra e kryetarë partish që bërtasin, kërcënojnë, shtypin qytetarë dhe ne i quajmë heronj dhe i ndjekim, por ama kur shikojmë një video të tillë ne acarohemi, reagojmë, mallkojmë, shajmë, ofendojmë dhe përsëri kercënojmë. Reagimi jonë si shoqëri kundër dhunës është me dhunë!
E dashur nënë! Ti e di mirë se demokracia prodhoi kaq shumë viktima sa nuk e di pse u quajt e kundërta e komunizmit. Ti e di se që në vitin 1990 e deri më sot sa të dhunuar e të vrarë dëgjojmë ç'do ditë, qoftë ndaj njëri tjetrit po ashtu edhe nga shteti ndaj nesh.
Në demokraci, vritet në mes te bulevradit për një mendim ndryshe, nënë, dhe ne cuditërisht i adhurojmë si perëndi e Olimbit dhe nuk reagojmë si për atë video. Se këta që na kanë udhëhequr e na udhëheqin janë dhunues nënë. Dhunes që bëjnë sikur po na shpëtojnë nga një dhunues tjetër për të na dhunuar vetë.
Por ç'të të them më shumë se çdi ti o nënë? Admirimi që shprehim ndaj “drejtuesve të xhunglës” është mëkati më i madh që ne po bëjmë. Këto rastet sporadike janë thjesht disa kopje të shëmtuara dhe amatore ndaj krimeve të vërteta që ne përjetojmë si shoqëri.
Po ta shkruaj këtë letër, nënë, se shpesh është më mirë të bësh diçka gabim se të mos përpiqesh të bësh diçka mirë.
Silvana Begaj
Comments