Zade Kuqi
Po e mundonte rruga dhe koha, prapshtas njëra–tjetrës qenë mbërthyer pakuptueshëm. A thua u ndërtua kësisoj mekanizmi me vetëm ca shkronja, si fjala fat, grua, breg, ujë...Si të orientohej?
Meqë kishte humbur busullën, i ra fushës trup e tërthor, pa mundur të gjente një drejtim që do ta qonte në një anë të caktuar. Një kahe të gjatë eci, ashtu kot, me duar të futura në xhepa. Nata ishte e kthjellët dhe mbi kokën e saj digjeshin me mijera yje, si një qytet milionësh xixillonja.
Asnjë mendim nuk e definonte dot. Duke ia ngulur sytë qiellit, ndjeu një nevojë të tmerrshme sikur të mund t’i çasej ndonjërit prej yjeve; iu duk si një mundësi lehtësimi, duke marr parasysh gjendjen nëpër të cilën po kalonte.
– Ku mund të çojë mendja, – i foli ajo vetes. Kishte parasysh shqetësimin që të duket bulevardi i ngushtë për mendjen e efekteve që bën ndërrime të mëdha. Hap sytë, sikur prek qiellin me duar.
Duke u sjellur vërdallë, porsi kafshë e lodhur nga tërheqja e qerres nëpër një ditë me diell, po niste të mendonte për atë shtëpinë botë të Borgesit, nga Utopia e një burri të lodhur, dhe për metaforën e borës si dicka që më në fund mbulonte të gjitha ndotësitë. Por, megjithatë ndotja ekzistonte, ashtu si ekzistonin kampet e krematoriumet, ashtu si ekzistonin depërtimet e akujve në pjesët pasive, shumë pasive të trurit. Më e keqja.
Ndotja ekzistonte, ashtu si ekzistonte vetmia; gjasonte me një lloj grope të pafundme dhe po gëlltiste çdo çast e prapë nuk mbushej me asgjë, por vetëm kërkonte e kërkonte momente të tjera.
Çdo gjë ishte e pafund, nata, universi, fusha dhe vetmia. Po ia thithnin shputat, po ia shtypnin majën e kokës. Dhe teksa sillej vërdallë, nëpër të gjitha nga pak, pa ndonjë orientim të caktuar, u ndje si një mi brenda një qarku të mbyllur. Shpresa e gënjeshtërt e shtynte të ecte, ndonëse intimisht e dinte se dalja nuk ekzistonte. Daljet ishin të mbylluara me nga një qark që ruante një minotaur. Qarqet ndërroheshin vazhdimisht, sapo të ndoteshin. I ndërronte paaftësia për me i kuptuar impulset, pjesët, të cilat e përbënin mozaikun, substancën, përkufizimin. Minotauri shprehte shenjën e caktuar.
Prapa tij ishte ajo piramida që në secilin mes krijohet nga imtësirat, faljet, injorimet, pikërisht insektet dhe natyra e demonstronte më së miri pse ishte mjegulla, prishja e mendjes, përpikmëria që i shkohet pas të fuqishmit që nuk fal, nuk bën dallim, nuk hedh në peshore asgjë.
Dikur ajo mund të kishte zgjedhur të kultivonte lula. I dukej delikatesë. Ky kujdes, nga ana tjetër, kjo sjellje e hollë, po bënte që demoni brenda qenies të nxirrte krye. Në të vërtetë ajo dikur edhe kultivonte lula në dritaren e saj, ndërsa tashmë ato ishin tharë, aq sa prej tyre kishin mbetur vetëm disa kërcenj të zi, si kongjij zjarri, dhe një shtresë e hollë pluhuri mbulonte hapësirën rreth tyre. Ashtu si mbulon kronikat e shtypësit masa pa tru, pa kërkuar shpjegime, pse ju bëhen katran duart, pa ditur çka të bëjnë me ato, kurse nuk mësohen fshehtësitë, të cilat kthehen në ca festa tmerri. A nuk mendohej shpesh pikërisht pse mjegulla është ingjeniose, derë e hapur nga përshatshmëria, por dritare e mbajtur mbyllur nga mprehtësia. Dëshiroj t’i frynte lehtë atij pluhuri, i cili tregonte mungesën e përkufizimit dhe ishte bërë gulç në fyt e nuk po e kalonte kurrsesi, por ngritja e tij gjer te organet e saj të frymarrjes e ndaloj. Ia bëri shkrumb shikimin dhe ndjesinë. Më në fund, krejt ajo që mund të bënte ishte të vështronte së kujtuari kohën kur mbillte lula.
Ajo që erdhi më vonë ishte kjo lëvizje pa busullë natën nëpër një fushë të humbur. Përse sillej nëpër këtë fushë? Ndoshta, ngase ishte e saj, edhe pse fushë e humbur – ishte e saj, ashtu siç ishte edhe fusha e humbur e Pedro Paramos – e tij. Fusha nëpër të cilën ai sillej pa pra, duke kërkuar atë që nuk e gjente dot, d.m.th. të humburën e tij të pagjetun. I bëhej që i humbi me saktësi vetë eshtrat e trupit, ndërsa mishi nuk kishte ku t’i rrinte i mbërthyer. I pagjetun ajri për mendimet që e bën copa. U hodh fushës, duke çapitur një rruge rrethi të tretë, më të madh, se ai më parë dhe më të madh, edhe se tjetri i bërë ende më heret, duke gjakuar edhe më shumë të humburën...
Comments