top of page
Search

Edhe një 8 mars!


Nga Psikologe: Erisa Aliaj

Çdo vit në këtë datë uroja nënën time për 8 mars, padyshim dhe sot e bëra! Sot ndërkohë që shprehja fjalët e dala nga zemra, kujtoja copëza sakrifice të jetës së saj, copëza që deri një vit më parë, nuk i shikoja si të tilla. Ne jemi qënie kaq egoiste sa harrojmë të kujtojmë sa shpirtra nënash lënduam nga një fjalë a një veprim.

Rri dhe kujtoj për shembull sakrificat e femrës më të fortë që kam njhur në jetën time. Ri dhe teksa lotët përshkojnë cdo centimetër në fytyrën time, kujtoj ditët kur ajo mbushte të fundit pjatën e saj, sigurisht pasi ne ishim ngopur dhe nuk e pyetëm kurrë nëse mjaftoj ajo që ngeli për të. Ditët kur e gjykoja se kursente shumë, nuk e kuptoja që kur plotësonte nevojat dhe dëshirat tona, e bënte pikërisht me ato kursime!

Psikologe: Erisa Aliaj

Ditët kur ndaj sfidave që jeta përballi familjen tonë, ajo dukej më e ftohta nga të gjithë ne, mëngjesëve syt e saj ishin të lodhur nga pagjumësia! Nuk e kuptoja atëherë se heroina jonë, ditën na jepte forcë ne e ndërkohë që të gjithë flinim, ajo i lutej Zotit me lotët në sy që dhe kjo të kalonte! Nuk e di pse sot po ndihem kaq e paaftë të kthej kohën pas për të ndryshuar gjithçka! Nuk po më besohet që unë, ajo që mjafton ti vë synim vetes dhe arrij gjithçka, sot nuk mundem!!! Më fal nënë!! Më fal stolia më e bukur e familjes, më fal që nga padituria, të kam zbehur shpesh herë shkëlqimin!! Uroj që në të ardhmen, të jem një nënë si ti!! Ti tregoj djalit se femra që do të ketë në krahë duhet të trajtohet ashtu si ai do të donte të trajtohej motra e tij! Ti tregoj vajzës se ajo nuk duhet ti nënshtrohet askujt! Të jetë pronarja e vetme e jetës së saj dhe të mbrojë dinjitetin e saj kundrejt kujt do! T'ju mësoj fëmijëve të mi se nuk është e rëndësishme të jenë kudo të parët, por të meritojnë atë çka kanë arrit, pamvarësisht ku, qoftë edhe të fundit!! 


Kjo festë femre më bëri të mendoj kaq gjatë sa e vështirë është të jesh femër në vendin tim dhe tëndin nënë. Po ti si ja ke dalë nëna ime?! Ndihem e vetmuar në këtë botë nënë e ndjej se po mbytem nga mendimet e mia! A nuk më mësove ti se duhet të them me zë të lartë të vërtetën dhe të mbroj fortë veten e mos të lejoj të shtypem vetëm se jam femër? Eh, pikërisht kjo më bëri të mbetem vetëm sepse këtu e drejta e femrës quhet emancipim e një femër që kërkon të respektohet mendimi i saj e liria bashkë me të konsiderohet degradim shoqërie! E dhimshme por çfarë mund të presim nga një popull ku mbizotëron injoranca?! Çfarë mund të presim nga një popull që prostitucioni promovohet kudo por edukata seksuale është tabu?! Çfarë mund të presim nga një popull që femrat, akoma shikohen si objekt shërbimi për figurën mashkullore?! Çfarë mund të presim nga një popull që përbëhet nga nëna, të cilat ndikojnë në të menduarit e vajzave për ti bindur se, vëndi tyre është në këmbët e meshkujve, se kanë ardh në jetë për tu shërbyer atyre apo për të qenë objekt i kënaqësisë mashkullore?!

Çfarë mund të presim nga një popull që ndershmëri akoma quajnë injorancën, të përulurën dhe idiotësinë e ngulitur në mendjet e tyre prapanike?!

Nuk duhet të presim asgjë më shumë nga çfarë është duke ndodhur!

Furishëm në mendime më kaluan fytyra femrash që për shkak të punës jam përballur në jetë. Një e dhunuar, një e përdhunuar, një e gjakosur në trup e tjera me shpirtin copash. Kush është fajtor kryesor për vuajtjen e një femre a e di? Fatkeqësisht është një tjetër femër që sot, me siguri mezi pret të festojë dhe të mari dhuratën e radhës.

Është pikërisht një tjetër nënë, që me forcën e trupit të saj, më siguri ka sjell dhe ajo një vajzë në jetë! Unë kam vetëm një lutje për t, e të lutem bashkoju dhe ti kësaj lutjeje me mua! Nëna, ju lutem flisni me vajzat tuaja dhe mësoni ato si të jenë të panënshtruara ndaj askujt në këtë botë! Nëna, në emër të Zotit që ju dha këtë status, kujdes kur ushqeni ego të sëmura me virtyte të paqena te djemtë tuaj, nesër ai me siguri do të jetë një përdhunues, dhunues e vrasës në një lloj forme.


Mos harroni se si ju mund të jetë dhe një nënë tjetër, që edukon në të njëjtën mënyrë djalin e saj dhe prea e tij mund të jetë pikërisht vajza juaj!! Baballarë, një lutje të fortë dhe për ju që ndoshta sot kaloni urimin me një lule dhurojini vajzave tuaja një shembull të mashkullit të mirë dhe më pas jepini lirinë e zgjedhjes! Baballarë, mos duartrokisni epshin e shfrenuar të djemve tuaj, kjo nuk i bën ata më shumë "burra", tregoni për ta modelin më të mirë të të qënit mashkull pikërisht sot, si dhuratë për femrat e së nesërmes së tyre, në një ditë që ndryshoj botën! Një lule, një urim a gjithë bota e dhuruar po të doni, nuk mund të zëvendësojë vlerën e edukatës dhe kulturës demostruar para një femre!

Gëzuar ti femër që akoma lufton me këdo rrotull për të treguar vlerat e tua!


Comments


bottom of page