top of page
Search

Edhe një këshilltar për Kryetarin?!...nga Pajtim Çaushi

Thonë se është e ligjëruar që Kryetari i Bashkisë mban edhe një Këshilltar për t'i dhënë mendje. Nëse qënka e vërtetë, atëherë ligji mbron pa aftësinë dhe rehatinë e Sulltanit.

Se dihet, kryebashkiakët qofshin pa tru, me pakëz tru apo me truplot janë kthyer në Sulltanë. 


Perandoria e madhe osmane kishte vetëm një, provincës së vogël shqiptare i duhen gjashtedhjetë e një. Dhe i ka bashkë me haremet e tyre.

Popujt kanë folur me kohë në gjuhë të ndryshme duke thënë:

- Ngarkesën e një elefanti mund ta mbajë vetëm një elefant.

Kjo vlen edhe për gomarin, kalin, mushkën, por vlen edhe për njeriun. Pra si rrjedhojē edhe për kryebashkiakët. 

Që do të thotë nëse pranon të hipësh në pemë, do të pranosh të të duket edhe prapanica. 

Që do të thotë të kesh aftësinë mendore për ta drejtuar njësinë sulltanore me trurin tënd të cilin duan ta shikojnë në praktikë edhe ata që të votuan për tē qënë Sulltan.


Në anën tjetër çdo bashki që nga më e vogla deri tek mē e madhja kanë këshilltarēt që shkojnë në progresion ngjitës si numer 15 - 31 - 51 dhe si pagë në masën 10.000 - 15.000 - 20.000 mijē lekë të reja në muaj. 

Ndryshe nga progresioni zbritës i votuesve tē papunë që asistohen në shifrat 5.000, 4.000 e 3.500 lekë në muaj.

Pra, mbaje ngarkesën që kërkove o Sulltan dhe nëse të duhet ndihma apo këshilla, ke tufën e të paguarve në haremin tënd!...


Mirëpo, ç'të bëjë njeriu i shkretë!... Ai edhe me ujë deri në fyt të jetë, bërtet se do ujë!...

Atëherë, si i bëhet që Sulltani t'i ketë të dyja: dhe lakminë dhe rehatinë?...

Fare thjeshtë e zgjidh Ligji për Pushtetin Vendor: Sulltanit i lejohet të ketë edhe një, dy apo tre këshilltarë vetiak. 

Le të gjejë cilën apo cilin të ketë oreks, t'i caktojë pagën sa t'i teket e t'i komandoj ku t'i thotë qejfi i vet!


Pse kot thonë që vet shkruan e vet vulos, vet gjuan e vet palos?... Kuptohet, gjuan tendera e biznese, palos euro e dollarë!


Po votuesi i mjerë?... Merr asistencën qesharake, paguan taksat që shtohen, hedh çantën me arna në shpinë dhe merr arratinë. 

Kush i mbetet vendit, tokës, nëntokës, detit e qiellit shqiptar?

Pak, perherë e më pak! 

Ja shikoni!... Po mbeten liderët sulltanë, tufa me këshilltarë, haremi sulltanor dhe kopeja me skamnorë! 

Skamnorët shtohen për ditë se ndërsa Zoti u jep miellin me sitë, djalli u merr thesin dhe sytë!...

Comments


bottom of page