top of page
Search

Edhe pse unë s’do të jem më

Poezi nga Gladiola Jorbus posaçërisht për portalin miremengjes.net


Edhe pse unë s’do të jem më

Edhe pse unë s’do të jem më...

qielli, deti dhe stinët

do të frymojnë njëlloj.


Dielli do të lindë e do të tretet

tutjemë në horizont.

Edhe pse sytë e mi nuk do ta shohin dot.


Të tjera ëndrra do të ndezin yjet.

Të tjera dhembje do të rendin

mbi këtë tokë të lashtë.

Të tjera dashuri do të digjen

si zjarr i padukshëm në shpirt.


Flokët e mi s’do t’i shpupurisë më

flladi bohem i erës.

Plagët e njerëzimit do të shërohen sërish

duke kulluar gjak.

Të tjerë flegmatikë do të shëtisin të vetmuar

dhe jetën do ta gjerbin pak e nga pak.


Shekujt do të zbehin shkëlqimin e njëri-tjetrit,

në amfiteatrin abstrakt të kohës.

Kurse ditët do të përplasen me furi,

nën ritmin e njëtrajtshëm të frikës nga e nesërmja.


Kthjelltësia do të pushtojë ndonjëherë qeniet.

Dhe zbrazëtia pafund do t’i trishtojë.

Bota do të bëhet e zhbëhet mijëra herë

në fragmente sekondash.


Gjithçka do të tingëllojë e njëjtë,

edhe kur unë të mos jem më.


 





Kënga e Këngëve

Në sytë e fjetur të kohës

‘’Kënga e Këngëve’’ pëshpërit dashurinë.

Sekretet e perëndeshave rrokullisen me shekujt,

nën kubenë e shenjtë që lindi stuhitë.

Klithmat homogjene të dhembjes njerëzore,

zbresin nga lashtësitë...

si melodi të përvajshme ëndrrash

që micërohen nga marrëzitë.


Ka diçka që ngrihet përtej fjalëve,

përtej barrikadës së gënjeshtrave bardh e zi,

përtej ngadhnjimit të shëmtisë së jetës...

përtej trishtimit e vetmisë.


Kudo në themelet e botës,

Zoti mbjell foshnje,

copëza shpirti të veshura me dritë.

Dhe rrezet e shpresës përndizen,

më shpejt, më shumë se qirinjtë.


Tashmë ditët janë derdhur lumë,

kanë rrjedhur me mijëra netë.

Por ‘’Kënga e Këngëve’’ nga toka ngrihet,

në buzë të qiellit troket.


Borås, 24/8 - 2022

 


Mbretëresha e Shebës

Nën mëndafshin e flokëve

fshihen yjet e rraskapitur.

Era pikturon një shëmbëlltyrë...

më të çmuar se brilantët,

më kundërmuese se aromat që

udhëtuan përmes Detit të kuq.


Mbretëresha e Shebës lëkundet

mbi karvanë marramendës.

Dy mijë vjet pa e parë...

imazhin tënd të skalitur

në pendët e laureshave.


Ia rrëmbeva frymën, flladit të vjeshtës.

Etshëm i gjerba, rrezet e hënës...

derisa koha ndali mbi trokun e shpirtit.

Dhe qielli u tret nga malli,

kur nata qëndisi, gjurmët e tua mbi re.


Horror vacui

Si retë e plogështa të një pasditeje të dhimbshme… …zbrazëtia fluron në ajër.

Dhe universi i pafund është përgjysmuar nga moti i akullemë. Trishtimi ngjyrë indigo shfaqet si preludi i një lamtumire të gjatë.

Ëndrrat u shembën si idhuj dështakë në horizontet e zbrazura. Boshësi… pa tinguj jete. Në labirintin abstrakt të fatit enden kurthe plot gjemba e hije, sa vetë Dedalusi do të zihej në to.

Lëkurë e plagosur nga mijëra zhgënjime që kafshojnë dhe fshihen. Përtej udhëkryqit nuk shihet asgjë. Horror vacui.


Gladiola Jorbus





Comentarios


bottom of page