top of page
Search

Edith Harxhi, kandidatja për kryetare të PD-së

Edith Harxhi është një kandidate me vlera dhe integritet për kryetare të PD-së. Ajo ka studiuar në Universitetin e Edinburgut, Britani e Madhe dhe është diplomuar me Bachelor of Arts në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Më vonë, ka kryer vitin e parë të Doktoraturës (Ph.D.) në Universitetin Bilkent të Ankarasë[1].

Momentalisht drejton organizatën "think tank" të pavarur Albanian Policy Center[2].


 

Ajo tashmë është kandidate për kreun e PD-së.



Të nderuar miq,

Sot po nis një rrugëtim të ri, pasi kam vendosur kandidaturën time për Kryetare e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partia Demokratike është një vlerë kombëtare, me të cilën jam njohur gjatë atyre ditëve të dhjetorit 1990, kur ajo po themelohej. Që prej lëvizjes studentore dhe, më pas, gjatë grevës së urisë për të rrëzuar diltaturën komuniste në Shqipëri, kur isha vetëm 19 vjeç, kam besuar e bindur në vlerat kryesore të së djathtës shqiptare, vlera, të cilat i përfaqësonte dhe i mbronte në ato vite Partia Demokratike. Por, fatkeqësisht, ajo që sot ka mbetur nga Partia Demokratike, nuk ka asnjë ngjashmëri me Partinë e viteve ’90. Ajo që ka mbetur nga Partia Demokratike është transformuar në formë dhe përmbajtje dhe ngjason më shumë me një grupim okult, të mbyllur mbrenda vehtes. Një grupim që çdo ditë e më tepër po tkurret e dobësohet, përballë një rregjimi të nipërve të diktaturës. Regjim ky, i cili, prej disa vitesh tashmë, ka sjellë vujatje dhe shkatërrim shpirtëror, moral, politik dhe ekonomik për shqiptarët.


Sot, pas 30 vitesh, kur secili prej nesh bën bilancin jetësor, mendova se ka ardhur koha për të përfaqësuar dhe mundësuar një projekt të ri për Partinë Demokratike. Projekt ky, i bazuar në vlerat e vërteta më të mira të së djathtës bashkëkohor e, si liria, njeriu, prona, familja, besimi, tregu dhe sipërmarrja e lirë, autonomia vendore, meritokracia, barazia para ligjit, çështja kombëtare dhe Euro-Atlantizmi.

Ky projekt synon kthimin e Partisë Demokratike jo vetëm tek antarët dhe mbështetësit e saj, por tek qytetarët, tek shqiptarët. Ata të cilët për shumë vite ëndërruan një vend ndryshe nga ky që kemi sot. Ata që ky tranzicion lodhës, i mbarsur dhe i kapluar nga interesa përfitimesh vetjake dhe llogaritje të vogla meskine të disa politikanëve të papërgegjshëm e të pangopur, i bëri të humbasin shpresën dhe besimin. Jam e bindur se kjo shpresë dhe ky besim mund dhe duhet t’ju rikthehet shqiptarëve. Është pikërisht ky kumt shprese të cilin dua t’ju përcjell sot shqiptarëve. Jam e vetëdijshme se vetëm një ringritje e të djathtës shqiptare mbi baza morale, vetëm bashkimi i çdo kontributi, vetëm rihapja e zgjerimi i Partisë Demokratike, mund të rikthejë shpresën dhe besimin e humbur. Asgjë nuk është e pamundur!

Vetëm një Parti Demokratike e reformuar mbi idealet e viteve ’90, por me një strategji të re, të përditësuar dhe të përshtatshme për vitet e ardhshëm, mund të ngadhënjejë mbi krimin, korrupsionin, papunësinë, largimin masiv të shqiptarëve shpresë-humbur. Partia jonë ka nevojë për ndryshime të përgjegjëshme, thelbësore dhe largpamëse. Partia ka nevojë jetike të ketë një Statut të ri, të bazuar në përvojat më të mira të partive të djathta në botë. Ajo ka nevojë jetike të rikthejë meritokracinë, mendimin e lirë, debatin dhe konkurencën e ndershme, sistemin e përfaqësimit (primareve), për një përballje të çdo kandidati në strukturë. Partia ka nevojë për struktura dhe forume demokratike dhe jo të kapura nga një njeri; ka nevojë për hapje, bashkim dhe riorganizim të punës, për të bërë të mundur ndaljen e kapjes së shtetit dhe rikthimin e diktaturës në Shqipëri!

Zgjedhjet e 25 prillit, treguan se qeveria e nipërve të diktaturës është po aq e fortë të kapë çdo segment të shtetit shqiptar, po aq e fortë të manipulojë vullnetin e lirë të shqiptarëve, me çdo mjet dhe mënyrë, sa edhe të parët e tyre. Partia Demokratike, fatkeqësisht, nuk arriti të ngrejë besimin dhe frymën tek njerëzit, sepse ajo vetë është në krizë morale dhe politike. Nuk mund të lejojmë që një gjë e tillë të përsëritet për të pestën herë!

Pikërisht për këto arsye, me përgjegjësi politike dhe qytetare, vendosa të kandidoj për këtë detyrë të rëndësishme, për të sfiduar sistemin politik në Shqipëri, për të ndaluar të keqen të vazhdojë më tej. Jam e vetëdijshme se ky është një rrugëtim shumë i vështirë. Jam e vetëdijshme se do përballem me një mjedis maskilist dhe të korruptuar, do përballem me njerëz, të cilët do bëjnë gjithçka për të mbajtur postet që kanë. Por jam e bindur, gjithashtu, se së bashku asgjë nuk është e pamundur. Jam e bindur se fuqia dhe zemërata popullore mund t’a marrë përpara këtë kastë politike dhe të verë në vend nderin e nëpërkëmbur të shqiptarëve.

Ne jemi popull liridashës, por i ndrydhur në vendimarrjet e ndryshimit. Mbi të gjitha ne jemi popull me prirje të qarta Euro-Atlantike. Duhet ta ndërmarrim së bashku këtë rrugëtim dhe të tregojmë se nuk do të jemi gjithmonë ata që mbeten të fundit. Kosovës dhe shqiptarëve në rajon i duhet një Shqipëri që të ngallë shpresë dhe besim.

Ju ftoj t’a bëjmë realitet fundin e tranzicionit shqiptar, nëpërmjet ringritjes së Partisë Demokratike. Ju ftoj të bëheni pjesë e këtij rrugëtimi. Ju falenderoj për besimin dhe mbështetjen

Comments


bottom of page