Nga Hamit TAKA
Funksioni kryesor i babait, thotë psikanalisti frëng Lacan-i në seminarin XIX, është “të mahnitë familjen e vet”...
E vërteta e kësaj thënie shpaloset fare qartë këto ditë pranverore në vendin tonë, një javë para 25 prillit, kur votuesit shqiptarë do të shkojnë te kutia e votimit, për të zgjedhur qeverinë e katër viteve të ardhshëm.
Po të ndjekësh vendet që zgjedh kryeministri aktual, ku do të vendosë skenën dhe teatrin e aktrimit të tij e deri te konfigurimi i karrigeve, për të bërë takime me zgjedhësit, shikuesit televiziv i duket se ne jemi një nga vendet më të zhvilluara në Europë. Pasi qytetarët zënë karriget, kryeministri fillon aktrimin dhe recitimin që do ta kishin zili humoristët më të mirë dhe recituesit më të spikatur.
Dikush do të thotë se, si ish-piktor, i është bërë natyrë imazhi. Po, por shumica e popullit shqiptar, në këtë gjëndje varfërie që është dhe në kushtet e pandemisë, nuk ia ndjen dhe nuk ka oreks sot për teatrin imazhist. Dhe vërtetë, sa shkojnë te vendi i takimit me kryeministrin socialistët dhe simpatizantët e PS-së, “babai” e mahnit familjen e tij me dekorin, aktrimin dhe fjalimin e tij.
Fushata elektorale njëmujore për partinë në pushtet nuk ka mision vetëm të shpalosë programin për një mandat të mëtejshëm, por së pari duhet të jetë edhe llogaridhënie, ku qeverisësit të tregojnë para të qeverisurve arritjet e mosarritjet e mandatit të mbaruar. Sidomos të përmenden mosarritjet dhe të argumentojë sinqerisht shkaqet e vërteta dhe të besueshme.
Unë si qytetar do të besoja më shumë sinqeritetin se sa premtimet: të argumentohen të paktën shkaqet e papunësisë, varfëria ekstreme në pjesën më të madhe të popullsisë, mosrritja e pagave dhe pensioneve, korrupsioni galopant, mospranimi dhe përjashtimi nga administrata shtetërore dhe ajo lokale e të gjithë shqiptarëve që nuk janë votues të PS-së, shkaqet e largimit të të rinjve dhe intelektualëve më të mirë nga vendi i tyre dhe pse ne nuk arrijmë akoma të plotësojmë kushtet e pranimit në BE…
Votuesi shqiptar sot ka nevojë për programe të qarta dhe të realizueshme, që t’i japë shpresë për të ardhmen, të ketë punë, të dalë nga varfëria e skajshme dhe fëmijët e tij të kenë të nesërme në vendin e tyre për shkollim dhe punësim, nuk ka nevojë për ëndërrat e një dite pranvere. Mirëpo kryeministri i tyre u servir parajsën. Sa e sa herë televizionet kryesore u tregojnë shikuesve imazhin e ardhshëm të Durrësit, të cilat ia kalojnë edhe Dubait të sotëm. Natyrisht shqiptari i sotëm s’është në kohën e diktaturës, kur besonte përrallën e fenerit ndriçues në Europë e më gjerë.
Paradoksi jashtë çdo logjike është pretendimi i kryeministrit aktual se, në se nuk votohet ai për të qënë sërish kryeministër i vendit, Shqipërinë e mori lumi dhe dreqi; vaksinim të popullsisë nuk do të ketë më, bukë e ujë më nuk do të ketë më, krojet do të shterin dhe dielli nuk do të lind më për Shqipërinë e bekuar nga Zoti në brigjet e Mesdheut; investime të huaja nuk do të ketë më, sipërmarrësi global i Emirateve, Mohamed Alabbar, do ta prishë kontratën dhe nuk do të investojë në portin e Durrësit, por shqiptarët nuk janë aq naivë të mos e kuptojnë se kontrata e investitorit arab nuk është nëshkruar me personin Edi Rama, por me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Shqipëria është këtu, e paluajtshme.
Në këtë situatë pa rrugëdalje të qeverisë mazhoritare dhe Kryeministrit, këshilltarët legalë dhe ilegalë të tyre, u kanë këshilluar përdorimin e armës së vjetër, trumpirëse, mashtruese e dhunuese të propagandës, imazhit përrallor. Kushdo që ka sy e vesh e shikon dhe e kupton se ajo është bërë mëngjesi, dreka dhe darka që u serviret qytetarëve të varfër me anë të mediave servile apo të blera, të cilat kanë vetëm një moral-paranë apo karriget e deputetëve, ministrave, zvendesministrave e atyre bashkiake.
Eshtë për të ardhur keq që edhe pjesa më e madhe e opinioneve në emisionet televizive dhe atyre që që botohen në shtypin shkruar kanë të bëjnë me politikën aktuale, më ngushtë me politikanët kryesorë në fushatën zgjedhore. Është një vërshim i vërtetë, që shkon nga analiza e qetë politike te eseja pasionante, satira e hidhur e deri hosanarat për prijësit sipas simpative dhe angazhimeve partiake. Dhe së fundi do dëshiroja të theksoja mendimin tim, që unë e quaj fakt, se në vendin tonë thyesa dinjitet/ambicie është vendosur kokëposhtë.
Gjen kudo njerëz që kanë ambicien më të rëndësishme se sa dinjitetin, madje, është më e saktë të thuhet që gjen kudo njerëz që kanë ambicie e s’kanë dinjitet. Fjala është për kandidaturat e karrigeve në parlamentin e ardhshëm. Disa nuk e kanë për gjë të tradhëtojnë skuadrën, e cila i ka ngritur nga hiçi në karrierën e prijësave e të përfaqëuesve të popullit në kuvendin popullor, kanë bërë pasuri e biznese pa djersën e ballit, kanë shkolluar fëmijët në shkollat më të mira, brenda e jashtë vendit dhe i kanë sistemuar në punë të lakmuara, duke mënjanuar intelektualë me diploma të arta(për t’i degdisur jashtë vendit), të kalojnë në kampin tjetër apo të krijojnë partiçka, për t’u marrë votat për unin e tyre egoist.
Comments