Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*
Në epokën që po jetojmë, jemi duke u ballafaquar me një fenomen intensiv të medias sociale. Pasojat e krijuara nga media sociale, ku njerëzit kalojnë orë të tëra çdo ditë, po diskutohen gjerësisht. Rrjetet sociale janë, për disa, një mjedis anarkik (Hobbesian) ku njeriu është armiku i njeriut; për të tjerët, është një situatë natyrore (Lockeane) ku gjithçka është e lirë dhe e gëzueshme, por kërkon një rregullim.
Si duhet ta vlerësojmë median sociale? Gjëja e parë që duhet të themi, është se rrjetet sociale vazhdojnë të rrjedhin në kanalet e tyre pavarësisht nëse i vlerësojmë apo jo ato. Megjithatë kjo nuk përbën një pengesë për të bërë një vlerësim.
Një mjedis që ofron mundësi falas dhe të lirë për të shprehur çdo ide...
Le të flasim së pari për përfitimet e saj. Media sociale ofron mjete unike për ata që dëshirojnë të prezantojnë “idetë e tyre”, të njohin mendime të tjera dhe për ata që janë kureshtarë të dinë se çfarë mendojnë pjesët e tjera të shoqërisë. Ajo na mundëson të përcjellim idetë tona te shumë njerëz në terma kombëtare dhe globale, të cilat ne s’mund t’i arrijmë në jetën reale. Nëse e shikojmë nga ana e kundërt, ne mund të mësojmë se çfarë mendojnë për ne njerëzit që janë shumë larg nesh.
Për më tepër, nuk nevojitet shumë kapital për të ndarë idetë. Më parë, botimi i një gazete, themelimi një stacioni radiofonik apo televiziv lokal kërkonte mjete të shtrenjta financiare. Kurse media sociale – me një kosto shumë të ulët – u mundëson të gjithëve të ndajnë idetë e tyre në një nivel shumë të gjerë.
Nga ana tjetër, këto ide mund të ndahen në një mënyrë të pakontrolluar dhe të pakufizuar. Rrjedha e lirë e ideve kërcënon kryesisht shoqëritë dhe regjimet e mbyllura. Fillimi i ndryshimit pas Pranverës Arabe të regjimeve arabe që kishin arritur të ruanin ekzistencën e tyre për disa dekada në një mënyrë të mbyllur, duket se është shkaktuar kryesisht nga rrjetet sociale. Sepse falë mjeteve të medias sociale masat gjetën shansin për t’u organizuar dhe reaguar më lehtësisht.
Një mjedis ku çdo mashtrim mund të përhapet dhe turmat mund të manipulohen...
Rrjetet sociale janë në të njëjtën kohë një mjedis ku mund të përhapni të gjitha llojet e gënjeshtrave apo shpifjeve. Ndonjëherë bëhet e pamundur të dallosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.
Nuk janë vetëm idetë ato që përhapen në mënyrë të pakontrolluar në median sociale, por gjithashtu çdolloj imoraliteti, parregullsie dhe elemente të krimit. Ajo është e përshtatshme për çdo sulm të mundshëm. Interesant është fakti që Mark Zuckerberg, themelues i “Facebook”, mbështjell me izolant kamerën dhe hyrjen e mikrofonit të kompjuterit të tij për t’u mbrojtur nga pirateria digjitale.
Masat janë të hapura për manipulime të drejtpërdrejta, pasi ato janë direkt të arritshme nga media sociale. Kjo dobësi mund të vlerësohet shumë mirë nga organet e inteligjencës që duan të manipulojnë masat për qëllimet e tyre. Të gjithë kemi parë se si ishte e mundur të manipuloheshin masat në Turqi për shkak të prerjes së disa pemëve në Parkun “Gezi” të Taksimit. Ne gjithashtu e dimë fare mirë lidhjen e ngushtë midis Institutit të Shoqërisë së Hapur dhe lëvizjeve të quajtura Revolucioni i Verdhë, Revolucioni Portokalli dhe Revolucioni i Kadifenjtë në disa vende.
Kur flasim për anët negative të medias sociale sigurisht që s’duhet të harrojmë trolët. Ata mund të bëjnë një propagandë intensive me llogari false për të krijuar një agjendë të caktuar ose për të diskretituar njerëzit apo institucionet rivale.
Shpesh hasim në rrethana postreale, në të cilat e vërteta humbet kuptimin e saj dhe zëvendësohet nga imazhi i prodhuar me ndikimin e rrjeteve sociale. Për trolët, media sociale nuk është as sociale dhe as media apo rrjet (mjet komunikimi); por vetëm një mjet sulmi.
Sa shërbime të inteligjencës zotërojnë informacionet që ka media sociale?
Një situatë që i shpëton vëmendjes sonë kur vlerësojmë/përdorim median sociale, është njohja e jashtëzakonshme që kompanitë e platformave sociale kanë rreth nesh. Nuk do të përmend fare të dhënat personale që ne ndajmë vetë në këto rrjete. Kompanitë e medias sociale kanë qasje në analiza të identitetit, karakterit, vlerave ose opinioneve politike të komuniteteve, individëve dhe të gjitha fraksioneve, përfshi këtu ato fetare, laike dhe etnike, nga komentet, pëlqimet dhe shpërndarjet që bëhen në platformat e tyre. Madje thuhet se këto kompani janë në gjendje të analizojnë identitetin e njerëzve më mirë sesa miqtë më të afërt të tyre vetëm nga një numër i vogël pëlqimesh. Në këtë kontekst, këto kompani janë si teleekrani i cituar nga George Orwell në romanin e tij me titull “1984”, i cili monitoron dhe analizon të gjithë botën falë të dhënave që posedon. Kjo situatë u jep një forcë të paimagjinueshme kompanive, shërbimeve të inteligjencës dhe shteteve që bashkëpunojnë ngushtë me to. Jo më kot ato ofrojnë kaq shumë shërbime falas! Imagjinoni që me komentet tona – sikur ta kishim për detyrë – ne u japim këtyre kompanive informacione për llojet e reagimeve ndaj ngjarjeve nga më të ndryshmet në vende të caktuara dhe nga fraksione të caktuara. Komentet, pëlqimet, postimet dhe ripostimet tona në median sociale mund të krahasohen me sondazhet publike që bëhen çdo ditë për çështje të ndryshme me miliona njerëz. Kompanitë bëjnë analiza afatgjata të këtyre informacioneve apo të dhënave. Vetë njerëzit, institucionet dhe komunitetet nuk i zotërojnë këto analiza kaq të hollësishme dhe afatgjata rreth vetes së tyre. Për më tepër, këto analiza nuk kanë vetëm një dimension. Ato mund kenë shumë përmasa duke përfshirë identitetin, karakterin dhe zgjedhjet e tyre sociale, kulturore e politike, tendencat e tyre të blerjes, reagimet e tyre ndaj zhvillimeve në botën e jashtme, të metat, prapësitë dhe zbrazësitë e tyre. Kjo është një situatë që të gjitha shtetet duhet ta marrin seriozisht në konsideratë për të ardhmen e tyre.
Brezi të cilit unë i përkas, d.m.th. njerëz mbi një moshë të caktuar, e përdorin ose jo median sociale deri në një farë mase. Por njerëzit nën një moshë të caktuar lindin dhe rriten në median sociale. Rrjetet sociale po bëhen gradualisht mjedisi i vetëm i shoqërizimit për fëmijët tanë në këto rrethana, ku fëmijët po rriten pa mbikëqyrje për shkak të marrëdhënieve familjare gjithnjë e më të dobëta dhe ku rrethet shoqërore reale e shkollat po humbasin domethënien. Ku po i çon fëmijët tanë një platformë pa rregulla e virtyte, por e mbushur me gënjeshtra, trolë dhe shtrembërime? Çfarë bote mund të krijojë ky mjedis?
Unë nuk jam plotësisht i pashpresë. Siç e thash edhe më sipër, rrjetet sociale ofrojnë mjete të mira përkundër të gjitha elementeve shkatërruese. Është plotësisht e mundur t’i vlerësoni ato për sa kohë që ju e dini se çfarë natyre kanë. Ajo që duhet të bëjmë për fëmijët tanë, nuk është t’i lëmë ata që të shoqërizohen në rrjetet sociale, por të sigurohemi që ata t’i përdorin këto platforma pasi të kemi përmbushur përgjegjësitë tona dhe pasi të jenë shoqërizuar në një masë të caktuar në jetën reale. Sikurse në metaforën e kompasit, të cilën Mevlana Xhelaludin Rumiu e shpreh në formën e mbështetjes së fortë mbi një këmbë dhe hapjen e këmbës tjetër anembanë botës; ndërkohë që në njërën anë qëndrojmë të palëkundur mbi këmbën që formon identitetin dhe personalitetin tonë mbi bazat e vlerave tona, në anën tjetër të jemi të hapur ndaj të gjitha dallimeve apo ndryshmeve që do të lehtësonin jetën dhe pasuronin botën tonë mendore e intelektuale. Por nëse njëra këmbë nuk është e qëndrueshme dhe e mbështetur fort, atëherë mund të mos ketë më dalje nga mjediset e gabuara.
Si përfundim, media sociale rrjedh në kanalin e saj pavarësisht nëse ne e përdorim/vlerësojmë apo jo atë, sikurse edhe proceset e globalizimit. Ajo çfarë duhet të bëjmë – përtej qëndrimit tonë pro ose kundër saj – është të minimizojmë dëmet dhe të maksimizojmë dobitë e kësaj rryme për veten, familjen, vendin tonë dhe njerëzimin.
*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara
Comentarios