Që nga gjeneza, njerëzimi ka njohur tragjedinë e së keqes, e cila përbëhet nga mosmirënjohja, ligësia, padrejtësia. Njerëzit u sfilitën të kuptonin rrënjët e saj, të shpjegonin shkaqet e saj sepse e keqja s’vepron në forma anonime, është e personalizuar, ka emër e mbiemër, kalon caqet e lirisë njerëzore.
Sa herë mund të jemi treguar të ndrojtur në një ambient të caktuar, ku simpatia kundrejt nesh, nuk shkëlqente dukshëm. Por nga ana tjetër, s’mund të mohojmë se cilido syresh, ka energjinë e mjaftueshme për të reaguar. Natyrshëm lind pyetja: sa pushtet real kanë vallë qytetaria, kultura, fisnikëria që t’i imponohen dukurive negative e të shëmtuara?!
Më ka bërë përshtypje një reflektim i Nënë Terezës: ” Jepi botës më të mirën dhe do të të zënë me shkelma. S’ka rëndësi! Ti bëje!”.
Sigurisht që mesazhi përmbyllës (derisa vjen prej saj) domosdoshmërisht do të inkurajojë të mirën, por për intelektualët e vërtetë që sfidohen çdo ditë nga padrejtësia, paaftësia e dashakeqësia, nuk rezulton aspak optimist.
Të qenit korrekt dhe i ndershëm të bën automatikisht, më të butë dhe më tolerant. Ndërkohë, teksa realizojmë objektivat e ngjisim shkallët me përulësi, gjithnjë e më tepër hasim miq të rremë e armiq të betuar. Aq shumë ka penetruar skepticizmi brenda qëllimeve të mira, saqë dhe mirësia pa interes keqkuptohet nga të tjerët, e nuk mungojnë etiketimet pezhorative si hipokrit, egoist, ekzibicionist etj.
Sot gjithkush ëndërron të jetë dikushi, të ketë sukses. Siç thoshte dhe Eskili: ‘Suksesi për të vdekshmit është një zot, madje më shumë se aq’.
Ç’do të thotë, të jesh dikushi?! Pastaj, e pse duhet domosdoshmërisht të bëhesh i tillë?! Sepse për t’u bërë vërtet dikushi duhet mençuri, fat, kurajo, vullnet. Mbi të gjitha, guxim për të mbijetuar i vetëm ndaj të gjithëve. S’duhet të trembesh, nëse askujt s’i intereson ajo që ti bën. Kushedi se sa duhet të presësh dhe në fund, ndoshta pas vdekjes, do të quhesh dikushi.
Por këtë detaj e kanë fshirë të gjithë nga memoria dhe praktika e të vepruarit. Nxitojnë drejt katapultimit dhe suksesit të madh. Numërojnë 1…5…8…13…, duke u zhveshur nga virtytet njerëzore dhe duke kapërcyer mbi vlerat, kompetencën, sakrificat, moralin, ligjet e shkruara e të pashkruara.
Ndërsa qëndrestarët mjegullohen, e presin në cep; të shpërfillur, të lënë në harresë, të pavlerësuar, me parimin modest se “Jeta i ngjet tangos, dy hapa para e një pas”.
Shumëkujt mund t’i duken naivë. Por jo, nuk janë të tillë! Thjesht spikasin për dinjitetin e tyre që s’i lë të rendin pas makinacioneve, servilizmave e intrigave për të arritur synimet.
Rrugëtimi ynë rreth Jetës, ashtu si toka orbiton rreth Diellit vazhdon teksa i nënshtrohemi kërkimit së të vërtetës, eksperiencave pozitive, dijes; misioni ynë bëhet më i plotë, më i vlefshëm, më vizionar.
Pasi kalojmë të gjitha etapat e rrotullimit, zbulojmë se kush jemi.
Leksioni është përvetësuar shumë mirë tashmë. Jeta është mister dhe surprizë e pafundme. A ia vlen vallë të humbasësh magjinë e vërtetë të saj?!
Comments