top of page
Search

EUNUKËT E PARTIVE

Fjalën eunuk besoj se e kuptoni ngase u përdor rreth pesëqind vjet në Ballkan. Pra, kështu quhej njeriu me gjuhë të prerë i haremit sulltanor.

Moda eunuke e të sjellurit në të folur e në të vepruar sot është në shkallën sipërore të hipokrizisë dhe turpërimit. Për t'ju bindur të nderuar lexuas po marr një fakt - detaj të superpërfolur nga të vegjël e të mëdhenj.

Është fjala për ndryshimet (lexo shkatërrimet) kushtetuese të vitit 2008 me dy arkitektët, Berishën dhe Ramën.


Dalin sot dy kokët e bajraktarizmit shqiptar, Rama e Luli në konferenca, takime e kongrese. Turren gazetarë, pseudogazetarë, analistë, sikuranalistë e shpurat shoqëruese. Pyetjet që rrjedhin si uji i gjolit kur gjen shteg kanë emëruesin e përbashkët: a bëjmë sikur pyesim? Njëlloj si vajtojcat që sikur vajtojne!


Dikujt që është me dinjitet apo rishtar në keto turma i bie në mend të pyesë:

- A duhen shfuqizuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 zoti Basha (alias Rama)?

Kryetari (pra njëra kokë e shqiponjës) tkurret, nxihet e vrenjtet:

- Mos kërkoni fajtor ku s'ka faj ju të kazanit mediatik! ... Ndyshimet janë ndryshime. Ato ndodhin dhe do të ndodhin. Lepuri fle tek opozita (ose pozita).

Të njëjtën përgjigje edhe koka tjetër e shqiponjës.

Dhe koka (dy kokët) duken si Zeusi. Ata janë rrufehedhës për shkallaren poshtë tyre.

Vasalet e shkretë kur përballen me të njëjtën pyetje, përgjigjen për shiun, kanabisin, përgjimet, harxhimet, ushqimet e kurrë për kërkesën.


Valle nuk e degjojnë apo bëjnë sikur?...

Sigurisht, bëjnë sikur dhe struken brenda kostumit të shtrenjtë e kollares që i mbyt. Atje i flasin vetes:

- Mos gabo o eunuk se kryetari të ngrinë, të shkrinë, të hedh, të mbledh, të ngre në gjasme hyjni... le të jesh xhind i zi!

Pas kësaj moda eunuke zbret poshtë deri tek shkalla e fundit e hierarkisë partiake dhe shtëterore.


Ja kështu vazhdon të jetë dhe askush nuk dëgjon zërin e arsyes.

Atëherë pushti ia hedh se mbretëron i patrazuar në moçalin e vet pjellor!...


miremengjes.net

Comments


bottom of page