Nga Pajtim Çaushi
Tri pyetje një njeri të ikur nga jeta
A e kujtojnë banorët konispolitë apo ata të fshatrave që krijonin njësinë ekonomike "Fitorja e leninizmit" dikë të papërtuar që lëvizte me këmbë për punët e fshatit në çdo orë të ditënatës?
A kanë dëgjuar brezat e sotëm për një njeri i cili kishte shumçka në dorë për karakteristikat e kohës dhe e linte në dorë të të interesuarve për të bërë biografinë e tyre?
A e e besoni se dikush në krahinën e Konispolit (kuptohet, mes edhe disa të tjerëve) që nuk e besoi kurrë sajesën e Sigurimit të Shterit diktatorial për të quajturin "grupi i Teme Sejkos?
Nga pyetjet e ngritura gjithkush e kupton se është fjala për njeriun e mirë dhe human me emrin Faik Haxhiu (Veli).
Portret i shkurtër
Gjithkujt i kujtohet në Konispol e fshatrat rreth tij portreti i një njeriu që bënte disa herë gjatë muajit rrugën Vërvë - Konispol e kthim. Kuptohet, me këmbë, as me kalë, as me makinë. Këtë rrugë e merrte më shumë për problemet e fshatit dhe pak ose fare për hallet e tij.
Lëvizte ngadalë, por i vendosur. Me trup të shkurtëer, por të ngjeshur e vital.
Me vështrim të menduar, por dhe peshues.
Faik Haxhiu (Veliu) ishte nga fshati Vërvë, por në origjinë paraardhësit qenë nga Konispoli. Burrë i qetë. Nëse dikush që merret me shkrimtari do të donte të krijonte një tip personazhi me këtë tipar, shembull më olimpik nuk mund të gjente. Njeri i matur në fjalë e veprime,
Familja e xha Faikut
Faiku krijoi familjen e tij së bashku me Zizen, bijën e të njohurit në gjithë krahinën e Konispolit, Beqir Abazi. Beqiri njohu botën që nga Vërva deri në Amerikë dhe ishte pajisur nga Zoti me zgjuarsi natyrale të rrallë. Fjala e tij qe gurë i skalitur mençurie dhe drejtësie.
Çifti Faik - Zize linden pesë fëmijë. Tri vajza: Hanko, Bukuri, Hervo. Dy djem: Sadikun dhe Aliun, Zizja nikoqire dhe mikpritëse e gjithkujt që trokiste në shtëpi. E dashur dhe respektuese ndaj gjithë të tjerëve. Vajzat të urta, të ndershme e punëtore. Sadiku mësues gjithë jetën. Jo mësues i zakonshëm, por mjeshtër i mësimdhënies dhe drejtimit.
Gjatë viteve të shumtë që drejtoi shkokllën e fshatit ai s'pati asnjë problem, por vetëm arritje të vijueshme. Nga puna dhe mendja e tij kanë dalë dhjetra e dhjetra breza nxënës që përherë e respektojne dhe e duan ish mesuesin dhe drejtorin e tyre të pasionuar. Aliu ka qënë ushtarak. Njeri i palodhur, me portret të ushtarakut shembullor, shoktar besnik dhe mirëkuptues, i drejtë dhe i hapur.
Jo, është i mirë, sheh punën e tij
Ka qenë për disa vite kryetar i Këshillit të fshatit dhe për disa vite të tjerë edhe sekretar i organizatës së partisë moniste të kohës. Kur dikush, për interesa të veta ose për smirë apo militanitizëm, fliste keq për ndonjë bashkëfshatar të Faikut, ai ia priste me zërin e tij të shtruar e bindës:
- Gjithë fshatarët atë e njohin dhe e dinë që është njeri i mirë i cili sheh vetëm punë. Fjalët e liga nuk na japin as bukë, as unitet në fshat. Unë kështu mendoj.
Pas fjalëve të tij propozuesi murmuriste nëpër dhëmbë dhe heshtëte.
Dihej nga të gjithë në krahinë se Faiku, në çdo pozicion që të ishte, nuk i bënte keq as mizës, jo më ndonjë njeriu. Në asnjë rast në mbledhjet e rangjeve të ndryshme të Partisë që bëheshin ai nuk fliste keq për askënd dhe kryesorja, nuk lejonte për sa kishtë mundësi, të merrej masë ndëshkuese pëer asnjerin.
Ata zuri lapsi, mund të na zinte edhe ne
Në takime shokësh të ngushtë, kafe miqsh a rrethe familjare, Faiku, pasi dëgjonte lloj lloj variante sajesash të Sigurimit të Shtetit për të quajturin "grupi i Teme Sejkos" thoshte pa drojë e me sinqeritet të tepruar për kohën:
- E ore e, kështu erdhi puna!... Ata i zuri lapsi sot, po mund të na zinte edhe ne... E nesërmja s'dihet, andaj shihni punën tuaj e lini fjalët...
Të përcillje në atë kohë në prani të të tjerëve fjalë të tilla, ishte shumë e rrezikshme sepse nuk merrje vesh nga të vinte e keqja. Atëherë pse e bënte xha Faiuku?
Arsyeja është e theshtë. Ai nuk i honepste dot ata që mirrnin flamurin e besnikërisë falce ndaj partisë duke dëmtuar të tjerët.
Qëndrimi i tij kishte ndikuar edhe tek bashkëfshatarët. Kur dikush nga fshati arrestohej nga organet e kohës, në Vërvë askush nuk pranonte të shkonte për dëshmitar apo të jepte deklarata kundër personit të ndaluar.
Shkruaje dhe ma jep ta firmos
Ky detaj është i përjetuar dhe treguar nga mësuesi dhe gazetari i talentuar Ilmi Jupe.
Ishte koha kur nisi botimi i gazetës Fitorja në Sarandë. Ilmiu qe drejtor shkolle në Vërvë.
E kërkuan për të qenë pjesë e redaksisë së gazetës. Për t'u realizuar kjo, duhej një karakteristikë biografike dhe pune nga organizata e partisë. Xha Faiku ishte zgjedhur sekretar i saj. Ilmiu shkoi tek sekretari dhe i tha për karakteristikën.
Faikun e patën njoftuar edhe në linjë partie. Pas kërkesës së të interesuarit, Faik Haxhiu i tha:
- O drejtor, mos e zgjat fare, bëje vete ma sill ta firmos!
Ashtu u bë. Ilmiu e shkroi, Faiku e firmosi dhe vulosi. Ish drejtoi i shkollës së Vërvës që të nesërmen fluturoi dhe korrektor letrar tek redaksia e gazetës qëndroi.
Ilmi Jupe vite më vonë, në prani të Faik Haxhiut, thoshte me të qeshur:
- Ishte ky burrë që më shpëtoi se ende sot në Vërvë do isha unë!... Dhe mos të harrojmë, ishte fillimi i viteve '70 kur karakteristika të dërgonte në hapsanë!...
Segmenti i jetës së Faik Haxhiu (Veli) përmbledh vitet 1923 - 2000... Jetoi me nder dhe dinjitet, la pas emër shumë të mirë dhe familje si veten.
Comments