Në një shtet të ri, të çarë nga partitë dhe nga interesat vetjake, siç ka qenë Shqipëria gjer dje, ministra dhe politikanë janë ngritur dhe kanë rënë, janë dukur dhe zhdukur. Vendet, punët, rrogët, kurdoherë të tundura, s'kanë qëndruar shumë kohë të lidhura me persona të caktuara. Sot njëri, nesër tjetri, një lëvizje dhe një ndrrim i papushuar kanë prurë kurdoherë përpara perdes fytyra të ra.
Po në këtë fluturim të çuditshëm që mund të shëmbëllehet vetëm me Meksikun dhe me republikat e tjera të Amerikës së Mesme, një grusht njerë zish në Shqipëri kanë mundur të mbajnë e të shtojnë rrogët e tyre dhe të rrinë të patundur në mes të fortunave. Këta njerëz janë të vetëquajturit "ekspertë”. Shqiptarë dhe "eksperte"! Po "ekspertë" në ç'degë? Në gjithë degët e botës, - dhe në ca të tjera përveç të gjithëve. Burimi i këtyre njerëzve asht i ndryshëm. Ca kanë dalë nga administrata e Turqisë, ku kalbeshin në latrinat e huqumeteve si kapistë; ca janë ngritur nga moçalet dhe llucat e Myzeqesë ose të Durrësit dhe janë sulur të rrinë në frona, pa fshirë baltën e njomë nga opingat e tyre. Guximi dhe paturpësia e tyre zunë vendin e diturisë, serviliteti i tyre në të zotërit e ditës zunë vendin e shërbimeve kombit.
Çudia është se këta njerëz njëqind herë të kapur në lajthime qesharake ose të dëmshme; nuk u tronditën aspak nga vendi, kurse ata që zbuluan lajthimat u shtrënguan të hiqen. Me të ardhur të Monarqisë, Shqipëria shikoi ndryshime në gjithë faqet e shtetit: po "ekspertët" janë në vend të tyre, më të patundur se Dajti, më të fortë se Tomori!
Le të hedhim tani një sy mi ca vepra të kësaj race prej tutkalli.
Për shembull të parë do të marr një pikë e cila mund të çmohet menjëherë nga shqiptarët e Amerikës. Në një letër të shkruar frëngjisht dhe të drejtuar Presidentit Coolisge; "eksperti" që kish për barrë të shkruajë tekstin kish vënë këtë titull: "A Monsieur le President de la Republique des Etats Unis d'Amerique."
I shkreti "ekspert' s'kish edhe marrë vesh që Shtetet e Bashkuara duke qenë jo një republikë, po një bashkim dyzet e tetë republikash, të cilat kanë sicilado kryetarin e tyre, titulli i kryetarit të përgjithshëm nuk është "Kryetari i Republikës", po është "Kryetari i Shteteve të Bashkuara", që ka një kuptim fare tjatër.
Comments